Mallëngjim me bollëk, para me pikatore

Ndryshimin e stinëve nuk e presin njëlloj të gjitha shtresat sociale. Psh, të varfrit e presin me më shumë dëshirë stinën e verës. Edhe shtresa e mesme e ka këtë kënaqësi. Të pasurit, zbrazin xhepat për të shijuar detin, për të parë qiellin e kthjellët. Por, pragu i stinës të kësaj vere na gjeti të mbyllur në kuvli e të mbuluar hundë e gojë, për t’u mbrojtur nga virusi i pamposhtur (Korona). Si gjithmonë, ishim në pritje të kësaj vere të artë, sa për çmallje me vendlindjet tona, aty ku kemi shtëpitë dhe njerëzit tanë, ndonjë liqen që puthet me lumenjtë që vijnë andej – këndej, aq edhe për t’iu larguar streseve që sjellin angazhimet e përditshme në punë.

Dikush tjetër mbase do të merrte udhën për në ndonjë vend turistik brenda, apo jashtë vendit. E, punë që dihet, shumica e shqiptarëve preferojnë turizmin patriotik, apo rërën dhe ujin e detit Jon dhe Adriatik. Pikërisht qeveritë e vendeve turistike investojnë në infrastrukturë, për t’i joshur turistët. Krejt rastësisht, sa nga malli, aq edhe pamundësia, na bie në sy Jugu i Shqipërisë, rrugët e fshatrave dhe qyteteve, ku nga qeveria e atjeshme rikonstruktohen. Mjetet vizive, na i përafrojnë këto imazhe me bukuri të rralla. Kjo ndjenjë gëzimi e lumturie zbehet, kur mendon se je larg detit, larg kënaqësisë, afër mërzisë. E më të largët e bënë gjendja materiale, por dhe situata pandemike. Larg vendlindjes, nxitet malli për tokën tënde dhe njerëzit, familjarët. Pikërisht, ajo që më shumë u ka sjellë vuajtje, shqetësime, teprim malli, kjo kohë e rrezikshme, janë njerëzit tanë në vend të huaj (kurbetqarët- emigrantët).

Një gjë e dimë se pandemia, ka vështirësuar edhe më shumë gjendjen e rënduar ekonomike dhe sociale. Paraja, siç dihet nga njerëzit me logjikë të shëndoshë, nuk na bën shumë të lumtur, por nuk mohohet që është i vetmi mjet që mund ta shijojmë dhe përjetojmë çastin e jetës. Kemi lexuar dhe dëgjuar shpesh nga të parët tanë, madje edhe kemi parë, se paraja e tepërt e prish njeriun. Por, për fat të keq, edhe mungesa e saj ndryshon për keq rrjedhën e jetës. Kësaj radhe si mungesa e parave ashtu edhe virusi i pranishëm, na e ka zbeh kënaqësinë për detin, përqafimin e zjarrtë për fëmijën, nipin, mbesën, që jetojnë larg nesh.

Përveç mallit, që e ndez dashuria, dhe kjo ndjenjë na bën të mos heqim dorë asnjëherë, edhe kur bota po shembet përpara syve tanë. Por, kur sjellim ndërmend se dashuria zbret në zemër nëpërmjet syve, pritja mbetet ndezur. Pritja, në fakt, është nga të tillat fitore që nuk mund të arrihen ndryshe. Gjithashtu, pritja është nga ato humbje që nuk mund të zëvendësohen. Është çasti më i vështirë i kohës. Pritja për njeriun e zemrës, e ndryshk shpirtin. Jo vetëm për faktin e dashurisë që kemi ndaj njëri – tjetrit, por edhe nga interesi përfitues i fëmijëve për ta mësuar gjuhën e të parëve, kur prindi i tyre është larguar në ndonjë shtet të zhvilluar, të Evropës apo në SHBA, për një jetë më të mirë (se sa jeta jonë) për ta dhe pasardhësit.

Se ku gjendemi në dimensionin e emigracionit ekonomik të vendit në botë, me theks të veçantë në pjesën perëndimore të Evropës, kërkohet studim i mirëfilltë. Gjithmonë duke u referuar në impaktin e referencave të tyre, në zhvillimin e ekonomisë dhe shoqërisë, në përgjithësi. Por, duke mos u përqendruar vetëm në kapital, para, që gjithsesi janë të rëndësishme, si për vendin, ashtu edhe për njerëzit e saj ose familjarët e tyre. Siç dihet, prezenca e tyre, na jep mundësi për zgjidhjen e problemeve tona, si dhe ide e vizione mbi çështje të caktuara, nga përvoja e tyre. Këtë vit ne kemi humbur shumë nga mos ardhja e tyre. Është fakt se qytetarët tanë të punësuar në vendet tej oqeanike, nuk duken shpesh në vendlindje. Kjo do të thotë që më pak investojnë e shpenzojnë në vendin e lindjes. Por, për dallim nga ato, qytetarët e punësuar dhe që jetojnë në shtetet Evropiane, që dikur na vizitonin e na gostitnin dy herë në vit, me ç’rast edhe derdhnin paratë e tyre, kapitalin dhe ndonjë ide domethënëse, është tregues i rëndësishëm për rritjen e produkteve në shportën mujore të familjeve tona, por edhe për rritjen e ekonomisë së shtetit. Në rastin e Maqedonisë (RMV) remitancat (paratë e tyre të dërguara), patericat e buxhetit, kanë luajtur një rol të rëndësishëm, si në stabilizimin e ekonomisë, ashtu dhe në nxitjen e zhvillimit të shpejtë të saj. Ato janë ende burimi kryesor i furnizimit me valutë të huaj. Vlerësohet se sot diaspora ekonomike numëron miliona njerëz që kanë lëvizur nga vendet e tyre dhe që qarkullojnë me miliarda dollarë amerikanë në të gjithë botën.

Maqedonia, si një ndër vendet ku ka numër të madh të këtyre qytetarëve, larg saj, i mungon akoma një strategji specifike për çdo vend ku ka diasporë. Po ashtu me seriozitet duhet menduar për nevojat e një studimi të përpiktë, shumë dimensional dhe disiplinor, për gjendjet, mundësitë dhe përfitimet nga ky potencial. Këtë vit, përveç mungesës së të dashurve tanë, larg nesh, kemi humbur edhe djersën e tyre, paranë që e derdhin tek ne, një pjesë për investime banesore dhe familjare, një pjesë që kursehet nga ne dhe për të gjitha këto aktivitete ka leverdi dhe impakt direkt, në ekonominë e vendit. Fundja, shtresa e ulët, që u përket shqiptarëve, shpresën (për t’u përmirësuar gjendja ekonomike, tre muajt e verës) e kishin dhe e kanë te të dashurit e tyre, larg vendlindjes, larg shtetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button