Ndarja e pushtetit mes shqiptarëve dhe maqedonasve

Pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), afër tre dekada më parë, shqiptarët e këtij vendi morën të drejtën e ndarjes së pushtetit ekzekutiv në mes të elitës politike e partiake  maqedonase dhe shqiptare. Sidomos në dy dekadat e fundit, shqiptarët e RMV-së, përkundër vështirësive të mëdha, arritën të sendërtojnë synimet e tyre me taban kombëtar, duke ndryshuar dukshëm gjendjen me përmirësimin e të drejtave të tyre, në veçanti në rrafshin e pjesëmarrjes në institucionet shtetërore. Megjithëkëtë, shqiptarët e RMV-së ende janë larg shestimeve të tyre dhe në arritjen e barazisë me maqedonasit. Maqedonasit në këtë shtet sillen si padronë, ndërsa shqiptarët konsiderohen si qytetarë të rendit të dytë, shkaku se gjithnjë kanë qenë në pozitë të kërkojnë të drejta nga “padroni” dhe asnjëherë nuk i kanë marrë ato të drejta vetë, ndaj dhe janë në ngecje dhe disa hapa pas me zhvillim. Dora e parë e bizneseve në këtë shtet është tek përfaqësuesit maqedonas, ndërsa shqiptarët varen dhe janë të kushtëzuar nga të tjerët.

SHQIPTARËT MORËN POSTE VITALE SHTETËRORE

Për herë të parë pas zgjedhjeve të fundit të jashtëzakonshme parlamentare (korrik 2020), përfaqësuesit shqiptarë të partive politike që hynë në koalicion qeverisës, do të kenë disa poste të rëndësishme shtetërore, siç janë kryetari i Kuvendit të RMV-së, zëvendëskryeministri, ministri i Punëve të Jashtme, ministri i Financave e disa të tjera në mesin e zëvendësministrave shqiptarë me rëndësi jetike.

Kështu, pra, në vitet që vijnë, shqiptarët nëpërmjet përfaqësuesve të vet politikë e shtetërorë, do të kenë poste vitale si asnjëherë më parë. Mbi të gjitha, është shumë me rëndësi që në këto zgjedhje shqiptarët fituan mbi 30 vende në Parlamentin e RMV-së, që s’ka ndodhur asnjëherë më parë në periudhën e pluralizmit politik dhe të demokracisë në këtë vend. Ky numër i rëndësishëm dhe respektues do të jetë një faktor avancues për shqiptarët, por, në përgjithësi, edhe për vendin në aspektin plural dhe shumë-nacional, kur do të sillen ligjet reformuese me të cilat do të ngarkohet vendi në procesin e negociatave me BE-në, që pritet të fillojnë edhe praktikisht nga fundi i këtij viti.

* * *

Koalicioni qeverisës i BDI-së, si parti fituese në kampin shqiptar, të Lëvizjes BESA dhe PDSH-së që janë pjesë e qeverisë së përbashkët me LSDM-në maqedonase, pritet që në mandatin e ardhshëm katërvjeçar të punojë në çrrënjosjen e korrupsionit, të pastrimit të kuadrove të njollosura në gjyqësor, në vetingun e funksionarëve në të gjitha nivelet, në pastrimin dhe zvogëlimin e numrit të punonjësve në administratën shtetërore 20 për qind dhe në zhvillimin e mëtejmë të reformave dhe të ekonomisë së vendit.

Pritet, po ashtu, një përmirësim i dukshëm i gabimeve nga qeveritë e kaluara që e braktisën zhvillimin e barabartë të vendbanimeve në Maqedonisë perëndimore dhe veriperëndimore, sidomos të anës së majtë të Vardarit në Shkup, ku jetojnë  me shumicë shqiptarët, e cila është getoizuar dhe e lënë pas dore. Kjo elitë shqiptare në pushtet do ta ketë rastin e rrallë që këto lëshime ndaj vendbanimeve shqiptare të përmirësohen në të gjitha segmentet e jetës dhe të afrohet shkalla e zhvillimit të gjithanshëm mes maqedonasve dhe shqiptarëve, sidomos në planin infrastrukturor, ku Shkupi si kryeqendër dallohet shumë për nga zhvillimi për dallim nga qytetet e tjera më të mëdha me shumicë shqiptare në Maqedoninë perëndimore.

Funksionarët shqiptarë, të cilëve u është dhënë besimi, duhet t’i harrojnë interesat e tyre individuale, grupore e partiake dhe të punojnë për interesa të përgjithshme të popullit për të cilin janë zgjedhur. Ata nuk duhet të jenë vasalë, figura dhe kukulla në këtë qeveri në raport me elitën politike e pushtetare maqedonase. Një mangësi e dukshme në kampin shqiptar konsiston edhe me faktin se pos një elite në krye të ekzekutivit, ka pak shqiptarë që janë udhëheqës të drejtorive të shumta, në raport me maqedonasit. Një shembull eklatant është edhe Aeroporti i Shkupit, ku ka shumë pak të punësuar shqiptarë. Përfaqësuesit shqiptarë në këtë rrafsh duhet të marrin, pos privilegjeve, edhe përgjegjësinë mbi vete për punët që i bëjnë dhe për këtë duhet të japin llogari para popullit, ku kanë dhënë premtime të mëdha. Duhet të jenë largpamës, vizionarë, pragmatikë dhe transparentë në punët shtetërore, ndërsa maqedonasit, si shumicë e qytetarëve të këtij vendi, përfundimisht duhet të kenë më shumë mirëkuptim për këto çështje, të ndryshojnë mentalitetin e tyre prej padroni, dhe t’i braktisin paragjykimet, stereotipet dhe tabutë.

SHQIPTARË TË KTHYER NGA TIRANA DHE PRISHTINA

Një ambasador perëndimor në Shkup ka thënë me një rast se maqedonasit dhe shqiptarët janë shoqëri të mbyllura dhe nuk janë të integruara. Më shumë janë të integruar emigrantët në Perëndim, sesa shqiptarët dhe maqedonasit në shtetin e tyre të përbashkët. Rrënjët e këtij mos integrimi dhe inferioriteti të  shqiptarëve ndaj maqedonasve duhet kërkuar në periudhën e ish-Jugosllavisë federale, ndërsa ky mentalitet dhe praktikë e nënçmimit të shqiptarëve ka vazhduar edhe në këto tri dekada të qeverisjes në Maqedoninë e Veriut, nga funksionarë të ngarkuar dhe me paragjykime negative ndaj shqiptarëve.

Në këtë situatë, kur elita maqedonase po sillet me paramendim ndaj shqiptarëve, me përbuzje dhe nacionalizëm dhe diskriminim, shqiptarët të gjetur në rrugë pa shteg, shpesh kanë kthyer kokën nga Tirana dhe Prishtina, prej nga kanë pritur ndihmë dhe shtegdalje. Shqiptarët janë etnitet i dytë me madhësi në Maqedoninë e Veriut, andaj pa hamendje dhe me ngulmë të vazhdueshëm duhet t’i marrin të drejtat që u takojnë dhe të mos presin lëmoshë, në mënyrë që të jenë të barabartë me maqedonasit dhe të jenë të integruar në të gjitha segmentet e jetës. Kësisoj do ta perceptonin Maqedoninë si shtetin e tyre, sepse shqiptarët denbabaden kanë qenë dhe ende janë në trojet e tyre. Shqiptarët në Maqedoni duhet ta ndjejnë veten si gjermanët në Zvicër, për të cilët atdheu dhe shteti i tyre është Zvicra, kurse Gjermania është shteti i dytë.

* * *

Kjo qeveri e drejtuar nga LSDM-ja maqedonase s’duhet të harrojë se shqiptarët e këtij vendi ishin faktor i rëndësishëm në mposhtjen e regjimit dhjetëvjeçar të Nikolla Gruevski, duke ndihmuar LSDM-në që të vijë në pushtet, sikundër që edhe këto ditë u përcaktuan të bëjnë koalicion me këtë parti maqedonase, duke mos lejuar që të kthehet në pushtet një parti tjetër retrograde, siç ishte dhe ende është VMRO-DPMNE-ja. Meqë shqiptarët janë pro proceseve euro-integruese dhe të NATO-s, kanë bërë mirë dhe kanë zgjedhur rrugën e drejtë që kanë bërë dhe po bëjnë koalicion qeverisës me një parti maqedonase e deklaruar për euro-integrime dhe NATO.  

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button