Kosovë, projektligji për qeverinë dërgohet në Komisionin e Venecias

Qeveria e Kosovës ka finalizuar Projektligjin për Qeverinë, mirëpo për shkak të mundësisë për shkelje Kushtetuese, ky projektligj është dërguar në Komisionin e Venecias ku në tetor pritet të vijnë komentet, e më pas të votohet në Kuvendin e Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky vendim u mor në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Kosovës nga anëtarët e kabinetit të premten, në mbledhjen e parë pas kthimit të kryeministrit Hoti nga karantinimi për shkak të infektimit me koronavirus.

Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, përcakton përbërjen, mandatin e Qeverisë, fillimin dhe përfundimin e mandatit të anëtarëve të Qeverisë si dhe kufizimet në kompetencat e Qeverisë në dorëheqje. Po ashtu, me këtë Projektligj përcaktohet statusi i anëtarëve të Qeverisë, metodat e punës së Qeverisë si dhe aktet me të cilat vendos Qeveria.

Gjithashtu, Projektligji për Qeverinë cakton një limit për numrin maksimal të ministrive të cilat mund t’i ketë Qeveria e Kosovës. Me këtë Projektligj bëhet kufizimi i numrit të ministrave, të zëvendës-kryeministrave, të zëvendës-ministrave, këshilltarëve politikë dhe nëpunësve në kabinetet e kryeministrit.

Iniciuesi i projektligjit ka qenë zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë, Besnik Tahiri ndërsa pritet që ai të miratohet brenda vitit 2020.

Qeveria e Kosovës është kritikuar shpesh nga opozita për numrin e lartë të zëvendëskryeministrave, ministrave dhe zëvendësministrave. Në Qeverinë e fundit me kryeministër Ramush Haradinaj, kanë qenë gjithsej 21 ministri teksa në të njëjtën qeveri ka pasur edhe numër rekord të zëvendës-ministrave, prej mbi 50. Një gjë e tillë bëri që në zgjedhjet e tetorit të vitit 2019, partitë politike të premtojnë për zvogëlim të numrit të ministrive si dhe nëpunësve të kabinetit të kryeministrit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button