Vuçiç: Tempulli i Shën Savës në Beograd do të jetë Ajasofja e re

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç njoftoi sot se tempulli i Shën Savës në Beograd do të përfundojë para fundit të tetorit dhe se ai do të jetë një vend grumbullimi për popullin e Serbisë si dhe të gjithë vizitorëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë vizitës dhe monitorimit të punimeve në tempull me kreun e Kishës Ortodokse Serbe (KOS), patriarku Irinej, Vuçiç tha se tempulli do të jetë një nga tre tempujt më të mëdhenj ortodoksë në botë.

Ai theksoi se 97.5 për qind e mozaikëve janë vendosur tashmë dhe se shteti ka investuar 43 milionë euro në tempull në tre vitet e fundit dhe shprehu shpresë se tempulli do të përfundojë para fundit të tetorit.

“Kjo do të bëhet një nga vendet më të mëdha dhe më të rëndësishme për grumbullimin e popullit tonë si dhe të gjithë turistëve që vijnë në Beograd dhe Serbi. Shumë do të vijnë për ta parë këtë vend sepse është e vështirë të gjesh një vend si ky. Është shumë e rëndësishme për ne. Ka shumë ngjashmëri me Shën Sofjen në Kostandinopojë apo me Ajasofjen në Stamboll dhe tani ajo nuk është më muze, e as kishë. Në një mënyrë indirekte dhe të veçantë tempulli i Shën Savës bëhet Shën Sofja e re dhe me virgjëreshën mbi altar që është pothuajse një kopje identike e ikonës në Shën Sofje”, tha ai.

Vuçiç gjithashtu u shpreh i sigurtë se tempulli i Shën Savës do të jetë vendi ku do të vinin jo vetëm ortodoksët dhe të krishterët, por të gjithë njerëzit që duan të shohin diçka madhështore.

Ai falënderoi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin dhe kompaninë Gazprom për dhurimin e 10.5 milionë eurove për ndërtimin, dhe deklaroi se ai priste praninë e presidentit rus në hapjen e tempullit.

“Ne presim që nëse gjithçka shkon mirë me luftën kundër koronavirusit, ndërsa jemi në rrugën e duhur, unë gjithashtu pres që presidenti rus Vladimir Putin të jetë me ne këtu gjatë hapjes së tempullit”, shtoi ai.

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, patriarku Irinej tha se shpresonte se do të ishte një tempull i mrekullueshëm.

“Shpresojmë se do të jetë një tempull madhështor, jo vetëm në Serbi, por mbi të gjitha në Serbi dhe ortodoksi, por edhe në të gjithë popullin e krishterë dhe në botë. Do të jetë krenaria jonë”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button