Vijon seanca plenare për zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e ka vazhduar seancën konstituive në të cilën duhet që të zgjidhet kryetari i shtëpisë legjislative. Me 62 nënshkrime të deputetëve nga LSDM dhe Koalicioni “Mundemi”, BDI dhe PDSH, Talat Xhaferi është propozuar për kryetar të Kuvendit për edhe një mandat katërvjeçar si kryetar i Kuvendit, njofton Portalb.mk.

Numri i nënshkrimeve për propozimin e Xhaferit, tregon se në Kuvend ka shumicë për marrëveshje të liderëve të LSDM-së dhe BDI-së për formimin e koalicionit qeveritar.

Seancës i parapriu koordinimi i grupeve të deputetëve me Xhaferin për rrjedhën e seancës. Gjithashtu, grupet e deputetëve kanë pasur koordinim më vete.

Në fillim të seancës konstituive, fjalë mori Gordana SiljanovskaDavkova, e cila iu drejtua Xhaferit se lindja e nipit nuk është arsye që të anulohet seanca.

“Në lidhje me anulimin e seancës konstituive të Kuvendit. Gëzuar për nipin, por ajo nuk është arsye për anulim në Kuvend”, i tha Siljanova-Davkova Xhaferit.

Xhaferi ia ktheu se zyrtarisht nuk ka caktuar vazhdim të seancës konstituive.

Koordinatori i grupit parlamentar të koalicionit ASH AAA, Skender Rexhepi tha se 1/3 e 15 deputetëve të BDI-së është zgjedhur me vota të vjedhura dhe se rrjedhimisht BDI-ja në Kuvend përfaqëson demokraci të vjedhur që vetëm e stimulon edhe më shumë ikjen e të rinjve. “Nuk është patriotizëm të vjedhësh vota dhe me to të propozosh kryeparlamentar” theksoi Rexhepi, duke paralajmëruar se deputetët e koalicionit ASH AAA nuk do të marrin pjesë në seancë gjatë votimit të Xhaferit, me arsyetimin se siç theksoi “Nuk do të jenë pjesë e kësaj njolle të zezë”.

Kreu i grupit parlamentar të BDI-së, Izet Mexhiti i hodhi poshtë akuzat si të pavërteta dhe si përpjekje për defokusim të opinionit. Mexhiti tha se kjo nuk ishte e papritur nga parti që ka humbur zgjedhjet, duke iu bërë thirrje krerëve të koalicionit të japin dorëheqje

Seanca plenare vazhdon dhe deputetët debatojnë për kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Seanca dje u shty për shkak mosmarrëveshjeve në BDI, pasi që sipas informatave jozyrtare, të mërkurën ka pasur debat të ashpër në mbledhjen e Këshillit Qendror të BDI-së. Disa degë të kësaj partie kanë qenë të pakënaqura me ndarjen e resorëve. Dega e Çairit dhe Sarajit kanë kundërshtuar emërimin e sekretarit të përgjithshëm, Artan Grubi për zy/kryeministër të parë dhe ministër për Sistem Politik. Ndërsa dega e Strugës dhe ajo e Likovës kanë kërkuar poste ministrore. Prandaj dhe nuk ka vendim për atë se kujt do t’i ndahet dikasteri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Askush nga partia nuk flet zyrtarisht.

Xhaferi ishte kryetar i Kuvendit edhe në përbërjen e kaluar parlamentare, i cili pritet të rizgjedhet nga 62 deputetët e shumicës parlamentare të koalicionit “Mundemi”, BDI-së dhe PDSH-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button