U propozuan tre modelet për zhvillimin e mësimit në Kosovë

Të hënën mund të vendoset për tri modalitetet e propozuara për nisjen e vitit të ri shkollor në Kosovë, duke iu përshtatur situatës me pandeminë Covid-19, transmeton EN

Kjo pasi, në fillim të javës tjetër Asociacioni i Komunave të Kosovës ka thirrur një takim të kryetarëve të komunave me kryeministrin, Avdullah Hoti, dhe ministrin e Arsimit, Ramë Likaj, për të diskutuar detajet e fundit para nisjes procesit së mësimor.

Drejtori i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, tregoi se në takimin e fundit ndërmjet përfaqësuesve të nivelit lokal me ata të nivelit qendror, është diskutuar për përgatitjet dhe është konstatuar përkushtimi për nisjen e vitit të ri shkollor më 1 shtator.

“Neve patëm një takim para dy-tre ditësh me ministrin Likaj, ku ishin prezentë të gjithë drejtorët komunalë të arsimit. Përsëri u ridiskutuan këto modalitete dhe konstatua që këto modalitete duhet të shndërrohen në vendim qeveritar. Në atë takim të gjithë drejtorët komunalë të shprehën të gatshëm që fillimi të jetë i mbarë dhe që parapërgatitjet janë bërë nga komunat e Republikës së Kosovës. I njëjti vlerësim, i njëjti konstatim është bërë edhe në takimin që kryetarët e komunave kanë pasur me kryeministrin Avdullah Hoti, ku janë zotuar se do ketë përkushtim maksimal që fillimi i vitit shkollor të jetë më 1 shtator, dhe pastaj modalitetet të diskutohen brenda komunave”, tha ai.

Pasi tregoi se komunat janë të kënaqura që janë pjesë e diskutimeve dhe vendimmarrjes lidhur me modulet e zhvillimit të procesit mësimor, Ibrahimi tha se prioritet do t’i jepet kthimit të nxënësve në shkolla, pa përjashtuar edhe dy modalitetet tjera; mësimin e kombinuar dhe atë në distancë.

Në krye të listës së prioriteteve do të jetë mësimi në shkolla i klasave të ciklit të ulët, veçanërisht i klasave të para dhe të dyta, por edhe klasave të gjashta dhe të dhjeta.

“Është më se e nevojshme dhe e domosdoshme që nxënësit e klasës së parë të ambientohen me shkollën, të ambientohen me mësimdhënësin. Gjithashtu nxënësit e klasës së dytë, për shkak gjysmëvjetorin e dytë të këtij viti nuk mundën ta mbajnë nëpër bankat shkollore, por u është dashur të kenë mësim në distancë. Ne kemi menduar që prioritet t’i jepet fëmijëve nga klasa e parë deri në klasën e pestë”, shtoi ai.

Eksperti i arsimit parauniversitar, drejtori i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, vlerëson se tri modulet e propozuara janë të mirëmenduara, por shton se prioritet duhet t’i jepet kthimit të nxënësve në shkollë, pasi mësimi në distancë nuk është treguar shumë efikas.

“Ne vlerësojmë se kthimi i nxënësve në shkollë është i domosdoshëm dhe paraqet një prioritet për institucionet tona. Mësimi nga distanca dhe ai online, është dëshmuar se nuk kanë arritur shumë suksesshëm rezultatet e të nxënit, sikurse ishin parashikuara. Shëndeti i fëmijëve jashtë shkollës jo domosdoshmërisht është më i sigurt sesa brenda vetë shkollës. Prandaj, është e rëndësishme që institucionet tona gradualisht të mendojnë për një rikthim të nxënësve, pa përjashtim, gjithmonë duke vënë në prioritet shëndetin e fëmijëve”, tha Qehaja.

Ndërkohë, Ibrahimi i cili është pjesë aktive e takimeve ndërinstitucionale në përgatitjet për nisjen e procesit mësimor, thotë se numri maksimal i nxënësve që do të lejohen brenda një klase është 15 .

“Të gjitha standardet, të gjitha masat e rekomanduara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike do të zbatohen gjatë vijimit të procesit mësimor. Do të thotë, nuk do të ketë më shumë se 15 nxënës në një klasë. Është diskutuar që ndoshta i njëjti mësimdhënës t’i ketë dy orë paradite me gjysmën e nxënësve të asaj klase dhe dy orë pasdite. Mirëpo, kurrsesi komunat nuk do të lejojnë që mësimdhënësit të mbingarkohen me norma mësimore, por do t’i zbatojnë ato norma që janë të përcaktuara me ligjin për arsimin fillor”, theksoi Ibrahimi.

Shumica e gjysmëvjetorit të dytë të vitit të kaluar shkollor u zhvillua në distancë, ndërsa për vitin e ri janë propozuar tri module: mësimi në shkolla, mësimi i kombinuar dhe ai në distancë. Qeveria u ka lënë në dorë komunave të vendosin për modulin që duan të zbatojnë varësisht nga kushtet dhe gjendja me pandeminë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button