RMV, Udhëzime të padobishme për regjistrim dhe përdorim të sistemit mësimor, reagojnë mësimdhënësit

Udhëzim dhe regjistrim për shfrytëzim të sistemit për menaxhim të mësimit” është emri i dokumentit të bashkangjitur në faqen zyrtare të Byrosë për Zhvillimin e Arsimit (BZHA) që duhet të përdoret nga mësimdhënësit për zhvillimin e tyre profesional dhe karrierë. Për shkak të epidemisë kovid-19, zyrtarët e BZHA krijuan një onlajn kurs me temë “Realizimi i mësimdhënies duke përdorur mjete TIK të ndryshme për mësim”. Në atë dokument, përkatësisht në letrën e dërguar drejtorëve është theksuar që këtë kurs duhet patjetër ta kalojnë të gjithë mësimdhënësit në vend (rreth 20,000) dhe për atë ata në fund do të marrin certifikatë.

Megjithatë, mësimdhënësit, me të cilët folëm, hasin në vështirësi gjatë përdorimit të dokumentit.

“Desha të ndiqja udhëzimet dhe të regjistrohesha në sistem për të ndjekur kursin. Por, dokumenti është në format PDF, e në të ka lidhje që duhet të hapen, dhe për shkak të asaj forme, unë nuk mund t’i hap ato. Më duhet të rishkruaj tërë URL-në shkronjë-për-shkronje dhe shenjë-për-shenjë që më në fund të hapi lidhjen. Për më tepër, fotot në doracak, të cilat janë vendosur për të na drejtuar, janë të paqarta, asnjëra prej tyre nuk lexohet sepse ato janë skanuar. E gjithë kjo krijon nervozizëm dhe në këtë mënyrë ne thjesht humbim kohën e panevojshme deri sa t’ia dalim”, thotë një mësuese e grupit klasor në një shkollë fillore në Shkup.

Për këtë biseduam edhe me një mësimdhënëse të informatikës e cila na tha se udhëzimet dhe fotot ashtu siç janë, nuk janë të dobishme.

“Është bërë ndonjë gabim në format kur e kanë dërguar te drejtorët. Ka gjasa ta kenë skanuar së pari e pastaj e kanë dërguar. Thuhet se është dokument PDF, por nuk është ashtu. Mund të hapet me programin Adobe, por tregon se dokumenti është skanuar. Si i tillë, ai nuk është i dobishëm pasi lidhjet nuk mund të hapen direkt. Në dokumentet e tjera PDF ose dokumentet e tekstit, teksti mund të kopjohet dhe transferohet. Gjithashtu kanë mund të vendosin foto me ngjyra dhe t’i bënin ato të lexueshme dhe me të vërtetë të dobishme e jo kështu siç janë. Do të ishte më së miri nëse autoritetet në BZHA, përkatësisht do të ishte më së lehti nëse do të dërgoheshin vetëm lidhjet për hyrje në kurs. Teksti në Word, sepse Word kanë të gjithë, dhe lidhjet duhet të dërgohen si lidhje”, thotë kjo mësimdhënëse.

U kërkua shpjegim edhe nga përgjegjësit në BZHA, duke marrë parasysh faktin se kjo është diçka që nuk është vullnetare, por është kurs i detyrueshëm të cilin do të duhet të kalojnë 20,000 mësues në vend. Pas reagimit tonë, ata premtuan të zgjidhnin problemin.

“Ne e rishikuam doracakun, u këshilluam me kolegët. Do të përpiqemi të vendosim version tjetër që do të jetë i përdorshëm nga mësimdhënësit”, thotë Oliver Stanojoski, këshilltar në Byronë për zhvillim të arsimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button