Thirrje për pjesëmarrje në përpunimin e strategjisë për ndërkombëtarizimin në arsim

Ministria e Arsimit dhe Shkencës e publikoi thirrjen për pjesëmarrje në grupin e punës për zhvillimin e strategjisë për ndërkombëtarizimin në arsim, e cila po përgatitet nga Agjencia Kombëtare e Programeve Arsimore Evropiane dhe Mobilitetit së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Qëllimi i dokumentit është që të afrojë arsimin e vendit me praktikat evropiane dhe të ofrojë hapa konkretë për të përmirësuar nivelin e ndërkombëtarizimit arsimor në vend, transmeton MIA.

“Ndërkombëtarizimi në arsim ndihmon në zhvillimin personal dhe profesional të të gjitha palëve të interesuara në procesin arsimor. Zgjeron horizontet, rrit gamën e lidhjeve sociale që ne ndërtojmë dhe ndikon drejtpërdrejt në mundësitë e punësimit. Ndikon edhe mbi vetë institucionet, u jep atyre perspektivë globale, mundësinë për të qenë në rrjedhë me zhvillimet në arenën ndërkombëtare, si dhe për të zgjeruar fushën e tyre të veprimit”, thonë nga MASH-i.

Për të siguruar pjesëmarrje të drejtpërdrejtë dhe thelbësore në përgatitjen e këtij dokumenti strategjik, do të formohet grupi punës i përbërë nga përfaqësues të institucioneve dhe organizatave, si dhe ekspertë të pavarur të cilët do të marrin pjesë aktive duke propozuar qëllime, masa dhe aktivitete të strategjisë.

Grupi i punës pritet të takohet të paktën pesë herë, nga shtatori i vitit 2020 deri në qershor të vitit 2021, dhe duhet të ketë së paku tetë anëtarë që do të ofrojnë sugjerime dhe komente për draftin e tekstit të strategjisë dhe do të marrin pjesë në hartimin e procesit të krijimit dhe promovimit të tij.

Sipas thirrjes nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, kandidatët e interesuar për anëtarësim në grupin e punës duhet të kenë së paku tre vjet përvojë në fushën e arsimit dhe dije të lartë të politikave arsimore në vend dhe kontekstin evropian në të cilin zhvillohen. Preferenca do t’u jepet kandidatëve me përvojë të drejtpërdrejtë në fushat tematike të ndërkombëtarizimit dhe mobilitetit në arsim.

Në thirrjen e publikuar nga MASH-i, theksohen kriteret për zgjedhjen e kandidatëve dhe dokumentet e nevojshme për aplikim së bashku me aplikimin. Afati i aplikimit është deri më 20 shtator të vitit 2020, në adresën elektronike [email protected] me shënimin “Aplikim për pjesëmarrje në grupin e punës” në temën e porosisë elektronike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button