540 studentë nuk morën kartela pagesore prej 3.000 denarëve: Mund ta padisin shtetin

Megjithëse sipas dekretit të Qeverisë të miratuar në fund të majit që studentëve të vendit u takonin kartela pagesore vendase, 540 studentë nuk i morën, thotë Borjan Eftimov, kryetari i kuvendit universitar studentor. Edhe nëse i marrin tani, nuk mund t’i përdorin për shkak se afati për përdorim ka përfunduar. Eftimov sqaron që do të kërkohen mënyra juridike që ky problem të zgjidhet, shkruan Fakulteti.mk, transmeton Portalb.mk.

“Sipas dekretit, studentët nuk është dashur të aplikojnë për kartelë, por ato duhej t’u shpërndahen të gjithëve. Më 10 qershor u shpall lista dhe një numër i madh studentësh mungonin, 2.400 vetëm nga Universiteti “Shën Qirili dhe Metodi”. Vetëm ne kemi pranuar 2.400 kundërshtime nga studentët. Atëherë kontaktuam me Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë dhe ndërkohë në “Blejmë artikuj vendor” mundësuan nëpërmjet e-postës ata që nuk ishin në listë, ndërsa duhet të fitonin kartelë, të parashtrojnë kundërshtim”, thotë Eftimov.

Më 15 korrik u publikua që të gjitha kundërshtimet janë përpunuar, që një pjesë janë pranuar, por ata që kanë parashtruar kundërshtime, ndërsa nuk janë shtuar në listë, nuk kanë qenë të informuar përse sërish nuk janë në listë.

“Ne, bashkë me ata 540 studentë, u drejtuam në Sekretariatin e Përgjithshëm dhe në Ministrinë për Arsim dhe Shkencë, prej nga kishte paralajmërime që do ta zgjidhin problemin, mirëpo ndërkohë skadoi afati i përdorimit të kartelave dhe studentët janë të dëmtuar”, thekson Eftimov.

Si trup, ata tani nuk mund të ndërmarrin hapa institucional përveç se të kontaktojnë me shoqatat e juristëve të cilat pro bono do t’u ndihmonin studentëve t’i shqyrtojnë mekanizmat juridikë, si mund të ngrenë padi.

“Kjo e drejtë u takonte me dekretin, me fuqi ligjore, kurse tani janë të dëmtuar. Problemi është që në procedurë administrative secili vet duhet t’i mbulojë shpenzimet nëse padit. Nuk e di cili student do të ishte futur në shpenzime duke e pasur parasysh faktin që shuma e kartelës është 3.000 denarë. Ne si KUS nuk mund të parashtrojmë padi grupore, gjë e tillë te ne nuk ekziston”, shton Eftimov.

Nga ministria thonë që i kanë pranuar kundërshtimet që i ka dërguar KUS dhe se do t’u dërgohen fakulteteve, të cilat duhet të tregojnë nëse kundërshtimet janë të pranueshme.

“Pastaj përgjigjet do të dërgohen në Sekretariatin e Përgjithshëm, që do ta azhurnojë listën e shfrytëzuesve të masës, të publikuar në kupuvamdomasno.gov.mk“, thonë nga MASH.

Ndihma prej 3.000 denarë nga Qeveria përmes kartelës ishte pjesë e setit të masave të cilat ishin drejtpërdrejtë të dedikuara për qytetarët në periudhë të krizës për shkak të Kovid-19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button