Qeveria e re

Bisedimet për krijimin e qeverisë së re u përmbyllën me sukses. Kjo gjë vetvetiu duhet të konsiderohet si një arritje e rëndësishme duke pasur parasysh që formimi i qeverisë në shumë shtete fqinje në rajon por edhe në vende të zhvilluara të Bashkimit Evropian shpesh di të zgjasë me muaj të tërë dhe të përmbyllet me zgjidhje afatshkurtre dhe pa perspektivë. Këtu nuk ishte ashtu. Me gjithë gjakrat e ngritur gjatë fushatës elektorale dhe inatet e ndërsjella që besoj u kthjelluan gjatë periudhës së pushimeve, brenda 10 ditësh sa zgjatën bisedimet formale, të njejtat u përmbyllën me sukses. Dhe ashtu duhet të jetë, sepse situata pandemike në të cilën gjindemi nuk jep luksin e diskutimeve pa fund për atë se si duhet të duket qeveria e re.

Marrëveshja për formimin e Qeverisë 2020-2024 është marrëveshje vërtet e rëndësishme e cila e reflekton rezultatin e shprehur në numrin e votave në zgjedhjet parlamentare të korrikut. Për shqiptarët kjo marrëveshje është posaçërsisht e rëndësishme sepse në këtë qeveri kuadro nga parti shqiptare do të udhëheqin me resore thellësisht të rëndësishme si finansat dhe punët e jashtme. Poshtu më se e rëndësishme është që shqiptarët do të udhëheqin resore në kuadër të më shumë partive brenda koalicionit qeverisës, duke ardhur si kuadro të BDI-së, BESË-s dhe vetë LSDM-së. Pra kësaj here shqiptarët vërtet kanë marë në udhëheqje resore shumë relevante. Tani është sërish koha për të treguar se ministrat shqiptarë janë poaq të aftë të udhëheqin me sektorët jetikë të shtetit duke rrëzuar kështu paragjykimet se ata ndihen komod për të vepruar vetëm brenda temave etnike dhe jo edhe tek ato me rëndësi të përgjithshme.

Është posaçërisht interesante të shihet se si komentohen në publik edhe çështjet me rëndësi simbolike. Ideja e kryeministrit shqiptar që në fillim kur u shpall kishte për qëllim rrëzimin e stereotipit se një shqiptar nuk mundet asnjëherë të bartë pozitën më të rëndësishme ekzekutive në shtet. Që në fillim ishte e qartë simbolika e kësaj ideje si përpjekje për të thyer të gjitha tabutë lidhur me pozitat që shqiptarët mund të kenë në këtë shtet. Ato njëqind ditë kur kryeministri shqiptar do të jetë në detyrë vërtet do të jenë ditë kur edhe një stereotip lidhur me shqiptarët në këtë shtet do të rrëzohet. Edhe rruga më e gjatë fillon me hapin e parë dhe ky po që është një hap vërtet shumë domethënës. Në fakt Ministria e Finansave është goxha më e rëndësishme se sa pozita simbolike njëqindditëshe e kryeministrit (edhe vetë kryeministri pagën e mer nga thesari i shtetit) por ja që për shumë njerëz sërish simbolika është më e rëndësishme se realiteti.

Prandaj këto “zhgënjime” lidhur me atë se pse nuk qenka realizuar mandati katërvjeçar i kryeministrit shqiptar kur në fakt shqiptarët kanë marë nën udhëheqje gjithë ato resore të rëndësishme është vërtet i pakuptimtë. Për më tepër, ajo që habit më shumë është fakti që askush nuk e komenton në mënyrë të veçantë atë që edhe në këtë përbërje kryetari i Kuvendit është sërish Talat Xhaferi. Përveç që ka dëshmuar se është vërtet i aftë për të ushtruar këtë pozitë, ai është poashtu një shqiptar etnik që udhëheq me njërin ndër tri institucionet kyçe të pushtetit. Dhe kjo tani më nuk komentohet në mënyrë të veçantë. Konsiderohet si diçka tërësisht normale, tani, vetëm tri vite më vonë prej ditës kur desh filloi lufta civile kur Xhaferi u zgjodh për herë të parë në këtë pozitë. Tani më askush nuk e komenton faktin që kryetari i Kuvendit është shqiptar, ashtu si që askujt nuk i duket diçka e veçantë që shqiptarët kanë tri universitete ose që flamuri shqiptar qëndron në shtizë para shumë ndërtrsave të komunës. Këto gjëra tani konsiderohen aq normale sa nuk ia vlen as të komentohen. Poaq normale dhe as e vlefshme për koment do të konsiderohet pas disa vitesh edhe fakti që një kryeministër shqiptar ka udhëhequr me shtetin qoftë edhe vetëm për 100 ditë. Për më tepër, gjatë atyre 100 ditëve shqiptarët do të kenë edhe kryetarin e Kuvendit edhe kryeministrin. Dhe kjo do të jetë tërësisht normale, ashtu si që ishte tërësisht normal fakti që gjatë këtyre muajve edhe ministri i punëve të brendshme ishte një shqiptar.

Paragjykimet dhe stereotipet lidhur me shqiptarët në pozita udhëheqëse rrënohen një nga një nga dita në ditë. Dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Ato do të vazhdojnë zë rrënohen edhe më tej tani kur një kuadër shumë kompetent do të udhëheqë finansat e shtetit ose kur një kuadër me eksperiencë në institucione me famë botërore do të vazhdojë të udhëheqë me ministrinë e ambientit jetësor. Gjithmonë është theksuar që ka ardhë koha që shqiptarët ta tejkalojnë simbolikën e gjuhës e flamurit dhe të përmirësojnë kualitetin e jetës përmes zhvillimit ekonomik dhe rritjen e standardit jetësor. Tani që këto resore udhëhiqen nga shqiptarë komoetentë nuk ka më asnjë arsyetim pse të mos jetojmë një jetë më kulitative si qytetarë të barabartë të këtij shteti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button