Haradinaj: Në Washington për marrëveshje përfundimtare me Serbinë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se në takimin e 2 shtatorit në Washington, Kosova duhet të shkojë për marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Haradinaj thotë se duhet të shfrytëzohet vëmendja që po ia jep SHBA-ja zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, transmeton KOHA.

“ Kam qenë insistues që të kërkohet kthimi i Washingtonit në temë në çështjen e dialogut. Ne e kemi parë një ndihmesë në të kaluarën nga BE-ja dhe e kemi mirëpritur këtë ndihmesë të BE-së, por edhe të vendeve veç e veç, si të Gjermanisë, Francës, kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron. Mirëpo, po ashtu ne e kuptuam që BE-ja e delegoi çështjen e dialogut në nivel të BE-së, në këtë rast te përfaqësuesi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak”, tha Haradinaj në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Me këtë, shtoi Haradinaj, BE-ja në një mënyrë zbehu shpresën për suksesin e pritur, pra, siç tha ai, për nevojën e një rezultati final në procesin e stërzgjatur të dialogut.

“Duke parë këtë gjendje, ne e kemi kuptuar drejt se shpresa tash na ka mbetur vetëm në Washington. Ne çdoherë kemi pasur besim në Washington, por kemi shpresuar që edhe BE-ja do të investojë më shumë në këtë proces, duke u kyçur direkt kryeqytetet kryesore si Berlini, me ndonjë zyrtar të lartë të tij ose edhe Franca dhe të tjerët. Duke qenë se nuk ndodhi ashtu, pra unë kam kërkuar nga kryeministri Avdullah Hoti, që të bëjë hapa prapa në këtë agjendën e deleguar të dialogut te Borrell dhe Lajçak dhe të kërkojë Washingtonin. Pra, ishte një lajm jashtëzakonisht i mirëpritur nga unë rikthimi i Washingtonit, takimi i 2 shtatorit. Mirëpo, ne e kemi një shqetësim për përgatitjet që duhet t’i bëjmë. Pra temat, identifikimin e temave, identifikimin e materies për të cilën mund të themi po, por pastaj edhe formati i takimeve”, shtoi Haradinaj.

Haradinaj, tutje shtroi pyetjen se “për çka po shkon Kosova në Washington?”.

“Po shkojmë për marrëveshje, për njohje reciproke në kufi ekzistues. Nëse rrethanat e sjellin këtë marrëveshje, po shkojmë për këtë marrëveshje, por nëse ka përparim, marrim edhe përparimin cilido qoftë ai”, tha Haradinaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button