Pas mbledhjes, Ali Ahmeti publikoi emrat e propozuar për ministra, Ziberit i premtoi ‘përgjegjësi apartiake’

Ali Ahmeti në konferencën për media sot konfirmoi emrat e propozuar për ministra në qeverinë e ardhshme, duke sqaruar se akoma nuk është caktuar emri i ministrit për shoqëri informatike dhe administratë, transmeton Portalb.mk. Ai theksoi kontributin e ish-kandidatit për kryeministër në ‘suksesin historik’, si e vlerësoi ai rezultatin e zgjedhjeve të 15 korrikut. Ndërkohë, nga opozita shqiptare kërkoi të jetë më konstruktive. 

“Në këtë qeveri, shqiptarët do të kenë kryeministrin e parë të premtuar shqiptar”, deklaroi Ahmeti,

Ai ndërkohë sqaroi se ish-kandidati për kryeministër, Naser Ziberi do të marrë përgjegjësi apartiake në shërbim të qytetarëve.

“Miku jonë, kandidati për kryeministër, Naser Ziberi, kontribuoi shumë në këtë sukses historik dhe me siguri që do të marrë përgjegjësi partiak në shërbim të qytetarëve”, sqaroi më tutje Ahmeti, duke theksuar se “se Ziberi është noter dhe ai vazhdon veprimtarin e tij deri në një moment kur të dakordohemi për ndonjë përgjegjësi të rëndësishme, që ka të bëjë me profesionin e tij”, u shpreh Ahmeti për Ziberin.

Ai konfirmoi se në krye të Kuvendit do të jetë Talat Xhaferi, ndërsa Artan Grubi, zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Sistem Politik; Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi, ministër i Financave; Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë; Naser Nuredini, ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa për Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Adminsitratë sqaroi se nuk ka caktuar akoma emër.

“Ministri për shoqëri informatike do të vendoset pas disa konsultave shtesë”, deklaroi Ahmeti.

Ai e vlerësoi marrëveshjen BDI-LSDM si rezultatin më të mirë për vendin.

“Kjo qeveri e përbashkët ndërmjet BDI-së dhe LSDM-së përfaqëson rezultatin më të mirë të mundshëm për vendin tonë dhe veçanërisht për shqiptarët, pasi qëllimi hynë ishte të arrijmë barazi”, deklaroi Ahmeti.

Ai premtoi se do të ketë vetting në gjyqësor dhe politikë.

“Kjo qeveri do të vazhdojë rrugën drejt integrimit evropian dhe partneritetit euroatlantik dhe do të jetë gardian i marrëveshjes së Prespës, fqinjësisë së mirë dhe asaj të Ohrit, do të zbatojë vetting në gjyqësor dhe politikë, dhe do të fokusohet në ekonomi”, premtoi Ahmeti.

Ahmeti kërkoi nga opozita shqiptare të jetë më konstruktive.

“Në u përpoqëm të bindim partitë opozitare, jo për të na përkrahur, por të qeverisur bashkë, për të ndarë përgjegjësin dhe suksesin bashkë, por ato nuk na u përgjigjën. Për këtë më vjen shumë keq. Megjithatë, unë jam i përkushtuar, që shqiptarët të kenë një zë opozitar të shëndosh dhe konstruktiv, dhe të jetë alternativë kombëtarë”, deklaroi Ahmeti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button