Kryeministri Hoti deklaroi se është shëruar nga COVID-19

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti thotë se është shëruar nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri, transmeton REL.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se është rikthyer në zyrë, pasi u trajtua për dy javë dhe qëndroi në izolim.

“Shfrytëzoj rastin që t’ju bëj thirrje sërish, të jemi të kujdesshëm dhe të respektojmë në përpikëri masat për mbrojtje nga COVID-19. Ka ende qytetarë që nuk besojnë se virusi ekziston dhe kjo është shqetësuese. Numri i rasteve me të infektuar dhe viktima vazhdon të jetë i lartë, prandaj derisa të zbulohet vaksina, ne duhet të tregojmë kujdes të shtuar”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Më 2 gusht, kryeministri Hoti kishte njoftuar se ishte infektuar me koronavirus dhe kishte kryer punët e tij si kryeministër nga shtëpia.

Në Kosovë nga COVID-19 janë prekur edhe liderë të partive politike dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar të martën se numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 416, i të infektuarve në 11.686 ndërsa janë shëruar gjithsej 7.562 persona.

Aktualisht në Kosovë, raste aktive me sëmundjen COVID-19 janë 3.708 persona

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button