A t’i kthejmë pak sytë andej nga vërtetë duhet të shohim?

Shkruan: Rita Behadini.

Me sistemin e arsimit që kemi ne, me kuadrot partiak të punësuar, me mësueset që “Diagramit të Venit” i thonë “Diagram i Vendit”, e kemi punën keq, shumë keq. Kemi objekte shkollore që nuk i plotësojnë kushtet, dhe e pamë që në shumicën prej tyre #skasapun. Shumica e mësimdhënësve nuk janë të trajnuar për programet bazike që duhen përdorur gjatë mësimit online, disa prej tyre dinë të përdorin vetëm facebook-un dhe instagramin. Nëse mendoni se po e teproj, ja ku ju them që nuk po e bëj. Ky është realiteti që unë e shoh çdo ditë meqë kam motrat e vëllaun në arsim fillor, të mesëm dhe të lartë. Punën e kemi pisk.

Me pandeminë situatën e kemi menaxhuar keq. Me arsimin mos më keq. Në një shtet ku papunësia është e madhe dhe pandemia i la edhe shumë të tjerë pa punë, vjen në shprehje mbijetesa, buka e uji (që shumica nuk e kanë), e ku më telefoni, interneti dhe tableti. Ne kemi shumë nxënës që nuk mund të kyçen në mësimin online, dhe kemi shumë mësimdhënës që ju mungojnë njohuritë teknologjike për të ligjëruar online. Të merremi vesh, kemi një përqindje, një numër profesorësh që po na e mbajnë gjallë arsimin, madje po bëjnë punën e ministrisë së arsimit. Kishte nga ata që nuk humbën asnjë ditë mësim, po vullnetarisht filluan të mbajnë mësimin online.

Nuk duhet të jesh ndonjë gjeni për ta kuptuar se nëse me arsimin i kemi pasur punët keq në situatë normale, në situatë të jashtëzakonshme i kemi mos më keq. Vazhdimi i mësimit online është dështim, i parealizueshëm, i pamundur. Vendimet për këtë sigurisht duhet të merren në koordinim me ata pak arsimtarë që marrin vesh nga këto punë, e jo nga ata që i ka punësuar partia, rrinë në shtëpi e marrin rroga. Mos i anashkalojmë edhe nxënësit në vendimmarrje, ata më mirë e dinë se çka ju duhet.

Sado e vështirë qoftë, ne duhet me patjetër t’i rikthejmë nxënësit në bankat shkollore. Kemi dasma çdo natë, mbrëmje festive çdo natë, lokale plot çdo natë. Përse të mos kemi mësim çdo ditë?

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button