FILM MBI BANALITETIN E PROVINCËS

Filmi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”, me tekst dhe regji të Kushtrim Bekteshit, është komedi mbi moralin e rrejshëm dhe degradimin e vlerave shpirtërore e shoqërore. Është komedi mbi banalitetin e provincës, që zakonisht ka mendësi të mbyllur, frikë nga bota përtej gardhit, nga e panjohura dhe nga shumëllojshmëria.

Ngjarjet në film zhvillohen në ambientin ku nuk ndodh diçka e re dhe ku jeta i nënshtrohet rutinës. Aty çdo ditë është e njëjta ditë. Ndryshon gjithçka sapo arrijnë të përdalat në kafenenë e fshatit dhe sakaq del në sipërfaqe një botë tjetër, e cila ka qenë e padukshme.

Në fshatin e harruar dhe me rregulla të serta, njerëzit e shohin “çlirimin” te “gjërat e ndaluara”. Aty shumëçka është false. Maskat nuk arrijnë më që t’i fshehin virtytet e rrejshme. Shkolla e fshatit, që drejtohet nga një servil i pushtetit, është në gjendje kaotike. Faltores çdo ditë i pakësohen besimtarët. Njerëzit flenë gjatë ditës, kurse natën e kalojnë në kafene. Morali me të cilin janë rritur, formuar dhe që e kanë theksuar, është bërë i huaj për ta. Kodet morale kanë qenë sa për dukje. Brenda njerëzve është zgjuar Don Zhuani, që godet themelet e institucionit të familjes. Në fshatin e harruar, pra, ka moral dhe identitet të dyfishtë. Më saktë: ka mungesë morali dhe identiteti.

Në këtë ambient rrjedh ndryshe vetëm jeta e dy të rinjve të dashuruar. Ata janë të shkëputur nga bota hipokrite, bota e thashethemnajave, e mentalitetit të provincës. Bota e tyre nuk ka pikëtakime me botën e atyre që janë bërë ingranazhe të makinerisë së banalitetit.

Derisa burrat janë dhënë pas jetës hedoniste, situata që nxisin shumë humor, falë aktrimit të aktorëve, gratë bëjnë plane si t’i shpëtojnë familjet e tyre. Ato, si te “Lisistrata”, nuk janë më indiferente, nuk janë më qenie të nënshtruara, por subjekte që hidhen në veprim: rebelohen dhe djegin kafenenë.

Në fund edhe pse duket sikur jeta i kthehet “normalitetit”, ndjehet zhgënjimi për shkak të humbjes së kësaj bote që njerëzit e jetuan dhe e përjetuan përkohësisht.

Këtë mendësi province e hasim shumëkund dhe jo vetëm në hapësirën ballkanike, për të cilën shpesh është thënë se është “hapësirë mashkullore”.

Filmi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” të shtyn të qeshësh dhe të mendosh. Regjisori, me mjeshtëri, nuk ka lejuar teprime që e dëmtojnë zhanrin e komedisë.

Ky film, një bashkëprodhim i disa kompanive filmike, është i veçantë për shkak të lojës së aktorëve të njohur nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria e Bullgaria dhe elementeve tjerë që një film e bëjnë të suksesshëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button