Shqipëri, institucionet përgatiten për hapjen e shkollave

Institucionet në Shqipëri kanë në plan që të hapen shkollat në shtator, për vitin e ri mësimor 2020-2021, në institucionet arsimore të sistemit parauniveristar, edhe pse ende nuk është zyrtarizuar vendimi përfundimtar për mënyrën e nisjes së vitit shkollor, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në një komunikim në rrjetet sociale folën mbi mundësitë dhe masat paraprake që po merren për hapjen shkollave.

Ministrja Shahini tha se sipas rezultateve të një pyetësori zhvilluar me nxënës, prindër dhe mësues, për nevojën e hapjes së shkollave, nga 135 mijë pjesëmarrës në pyetësor, 87 për qind mendojnë se duhet të kthehen në shkollë në fillim të vitit shkollor dhe 13 për qind janë dakord që të zhvillojnë mësimin në kushte shtëpie. Ajo tha se pajtohen me këtë qëndrim të pyetësorit.

“Skenarët janë të ndryshëm në varësi të numrit të nxënësve për shkollë. Ka shkolla të cilat mund të vijojnë mësimin normalisht duke ruajtur distancimin social për shkak se ka pak nxënës. Ka shkolla të tjera sidomos në zonat e tërmetit që kanë një numër shumë të madh nxënësish që duhet të organizohen në një formë tjetër për të mundësuar kthimin në shkollë dhe ruajtjen e distancimit social dhe ruajtjen e shëndetit të nxënësve dhe mësuesve”, theksoi ministrja Shahini.

Shahini tha se dëshirojnë t’i hapin shkollat për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, por ajo theksoi sipas specifikave që kanë shkollat dhe gjithmonë duke kombinuar dhe me mësimin që mund të zhvillohet në kushte shtëpie, duke ndjekur RTSH shkollën dhe duke ndjekur mësimin online. Ministrja Shahini tha se bashkitë do të duhet të fillojnë procesin e pastrimit të shkollave dhe përgatitjen për shtator.

Ndërkaq, ministrja Manastirliu u shpreh se parakusht për hapjen e shkollave vlerësohet krijimi i kushteve dhe respektimi rigoroz i protokolleve të sigurisë. “Çdo vendim për hapjen e shkollave po koordinohet me përgjegjësi maksimale nga institucionet përgjegjëse për garantimin e masave të distancimit social dhe sigurisht duke vlerësuar në dinamikë situatën epidemiologjike”, tha Manastirliu.

Sipas ministres Manastirliu, grupet e ekspertëve janë në komunikim të vazhdueshëm, për një detajim të protokolleve të sigurisë, ku përfshihen masat e distancimit social, kushtet higjieno-sanitare, si dhe çdo masë që garanton kufizimin e përhapjes së virusit.

Nëse do të ndiqet mësim me orar të plotë në klasa, me orar të pjesshëm apo duke u kombinuar edhe me mësim në kushte shtëpie, nxënësit duhet të presin ende për një vendim zyrtar përfundimtar nga institucionet. Për çështjen e fillimit të ri shkollor, vendimi përfundimtar mbi skenarët e mundshëm do të merret nga Task-Forca për koronavirusin në varësi të ecurisë së pandemisë COVID-19.

Nga ana tjetër, procesi i regjistrimeve për nxënësit e klasave të para në sistemin 9-vjeçar dhe të gjimnazeve këtë vit ka filluar dhe është realizuar më herët, ndryshe nga vitet e kaluara që realizohej në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit.

Kështu, sipas urdhrave nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, regjistrimet u caktuan që të realizoheshin në qershor dhe në korrik.

Procesi mësimor duhet të fillojë më 14 shtator për institucionet arsimore të sistemit parauniversitar, ndërkohë për sistemin universitar ende nuk ka një komunikim zyrtar mbi mënyrën e procesit mësimor.

Kujtojmë se fillimisht në mars të këtij viti, Shqipëria vendosi mbylljen e institucioneve arsimore publike dhe jopublike, në kuadër të masave të reja kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button