Ndeshja Lincoln-Prishtina u anulua, shkaku i infektimeve me COVID-19 në ekipin kosovar

Ndeshja ndërmjet Lincoln Red Imps dhe Prishtinës, e paraparë të zhvillohej të martën në orën 6 pasdite, është anuluar pak kohë para fillimit të saj, për shkak se tetë futbollistë të Prishtinës rezultuan pozitiv ndaj koronavirusit të ri (COVID-19) në rezultatet e paraqitura nga laboratori i licencuar nga UEFA në Spanjë, transmeton Anadolu Agency (AA). 

Sipas njoftimit nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), përkundër faktit të diagnostikimit pozitiv me koronavirus dhe mungesës së disa prej futbollistëve titullarë që rezultuan pozitiv, “Prishtina ishte e gatshme për ta zhvilluar ndeshjen me lojtarët që kishte në dispozicion, gjë e cila rekomandohet edhe me rregulloren e re të UEFA-s për ndeshjet gjatë pandemisë”.

Por, sipas tyre, autoritet e Gjibraltarit e pamundësuan zhvillimin e ndeshjes dhe kësisoj ndeshja u pezullua.

“FFK konsideron se kjo ndeshje është dashur të luhet dhe do t’i qëndrojë përkrah klubit të Prishtinës që vendimi i UEFA-s të jetë i drejtë dhe i arsyeshëm dhe të mos jetë në dëm të klubit tonë. Ne si federatë dhe klubet tona jemi në situatë të palakmueshme, duke pasur parasysh faktin se UEFA nuk e ka licencuar asnjë laborator për kryerjen e testeve për COVID-19 në Kosovë, teksa në vendet fqinje, ku janë të licencuar laboratorët e tillë, nuk është e mundshme lëvizja për shkak të mbylljes së kufijve”, shkruan në reagimin e FFK-së.

Po kështu, federate kosovare e futbollit e konsideron të çuditshëm faktin se si rezultuan tetë futbollistë pozitivë me koronavirus kur para nisjes për në Gjibraltar në testet e kryera nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë “të gjithë futbollistët kanë rezultuar negativë”.

“FFK shpreson që kësaj radhe organet e UEFA-s do të jenë më vigjilente dhe do ta kenë parasysh situatën në të cilën ndodhemi në pandemi dhe në fund do të marrin vendim të merituar”, shkruan tutje FFK.

Ekipi i kryeqytetit arriti në Gjibraltar dje në mëngjes, në kërkim të fitorës së parë në kuadër të parakualifikimeve për Ligën e Kampioneve kundër Lincoln Red Imps.

Më 11 gusht, UEFA anuloi edhe ndeshjen midis ekipit kosovar “Drita” dhe ekipit të Irlandës së Veriut “Linfield”, për shkak se një lojtar tek Drita doli i diagnostikuar pozitiv me koronavirus, ndërsa një ditë më vonë Komisioni i Apelit në UEFA vendosi që ndeshja të anulohet përfundimisht dhe Linfieldit t’i takojë fitorja me rezultat zyrtar, 0:3 në tavolinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button