Serbia vendosi tela me gjemba në kufirin me Maqedoninë e Veriut

Serbia ka filluar të vendosë një gardh me tela gjemborë në kufirin me Maqedoninë e Veriut, në afërsi të Preshevës. Ky gardh me tela gjemborë do të duhej të pamundësonte kalimet masive të paligjshme të kufirit, kanë konfirmuar për REL, autoritetet e vetëqeverisjes lokale në Preshevë.

Shqiprim Arifi, kryetar i Komunës së Preshevës, e cila gjendet në jug të Serbisë dhe 380 kilometra larg nga Beogradi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë që ngritja e gardhit me tela gjemborë është pjesë e marrëveshjes me Bashkimin Evropian (BE).

“Mendojmë që gardhi me tela gjemborë është në funksion të sigurimit të kufijve jashtë BE-së për refugjatët, të cilët ndoshta pritet të na frekuentojnë në këtë pjesë të ‘Rrugës Ballkanike’”, theksoi Arifi.

Ai konsideron se shikuar nga ky këndvështrim, gardhi me tela gjemborë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë do të kontribuojë në procesin e integrimeve evropiane, por me mirëkuptimin e plotë dhe respektimin e rrethanave politike.

“Personalisht, unë kam rezerva ndaj një tretmani të tillë ndaj refugjatëve”, tha Arifi.

Autoritetet në Serbi nuk janë të hapura për të dhënë detaje lidhur me gardhin me tela gjemborë të cilin Serbia po e vendos në kufi me Maqedoninë e Veriut, në afërsi të Preshevës.

Në vendimin e Drejtorisë republikane të pronave, i cili në qershor është publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Financave të Serbisë, është publikuar lista prej disa dhjetëra njerëzve dhe personave juridikë që posedojnë tokë përgjatë vijës kufitare me Maqedoninë e Veriut, marrjen e përkohshme të së cilave e ka urdhëruar Serbia.

Fshati Miratoc gjendet në Rrugën e dikurshme Ballkanike më të frekuentuar të migrantëve, ku përmes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, migrantët arrinin në Serbi.

Ata pas hyrjes në territorin e fqinjit jugor të Serbisë, kryesisht lëvizin përmes autostradës ose në mënyrë paralele me të. Pas Kumanovës marrin kthesën kah fshati Reçicë dhe përmes fshatit Vaksincë arrijnë në Llojan, prej nga hyjnë në Serbi, në zonën e fshatit Miratoc.

Ndonëse përgjatë asaj rruge, ata nuk udhëtojnë me mijëra, ashtu sikurse ndodhi në vitin 2015, megjithatë ajo mbetet ende në funksion, sepse pjesa më e madhe e migrantëve shmangin vendkalimin kufitar Preshevë – Tabanovc dhe kampin transit për migrantë në atë vend.

“Policia kufitare i ndalon ata njerëz dhe i kthen në Greqi, por njëkohësisht edhe në kufirin me Serbinë i evidentojmë rreth 50 përpjekje në ditë të migrantëve që nga Maqedonia e Veriut tentojnë të kalojnë në Serbi. Kjo tregon që ata megjithatë gjejnë mënyra që të vazhdojnë rrugën kah caku i tyre përfundimtar – Evropa Perëndimore”, ka sqaruar për Radion Evropa e Lirë sekretari i përgjithshëm i organizatës joqeveritare “Legis” nga Shkupi, Jasmin Rexhepi.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button