Prej sot punojmë për pensione më të ulëta

Nga e mërkura do të ulet përqindja me të cilën përcaktohet vlera e pensionit. Me Ligjin e ri për sigurim pensional dhe invalidor, norma e zëvendësimit në nivel vjetor është zvogëluar prej 1,80% në 1,61%. Kjo praktikisht do të thotë se për çdo vit të cilin punëtori do ta punojë, vlera e pensionit do t’i rritet për vetëm 1,61%.

Norma e re e zëvendësimit i përket vetëm atyre të cilët kanë vazhduar të mbeten në fondin shtetëror pensional dhe nuk janë kyçur në fondet pensionale private.

“Më  herët paguhej 21% për kontribut pensional, tani shkalla është 18%, me tendencë që gjatë viteve në vijim të ulet deri në 17,4%. Me këtë kontribut, punëtori nuk do të mund të marrë 1,8% në vit, ashtu siç ishte deri më tani. Në qoftë se nuk e ndryshojmë këtë, atëherë shtylla e parë do të ishte shumë më e përshtatshme dhe kjo nuk do të ishte e drejtë për ata të cilët kaluan në fondet pensionale private”, thonë nga Ministria për punë dhe politikë sociale.

Por, me më pak para për pension do të mbesin edhe ata të cilët kanë hyrë në sistemin pensional me dy shtylla. Me Ligjin e ri i cili hyri në fuqi që nga gushti i vitit 2012 njëkohësisht ulet edhe përqindja e parave të cilat do të barten në fondet private, edhe atë nga 6,3% në 6%./Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button