U shënua 28-vjetori i Armatës së Maqedonisë së Veriut

Ceremonia qendrore me rastin e 18 Gushtit – Ditës së Armatës së Maqedonisë së Veriut, u mbajt sot në prani të liderëve të shtetit dhe të ushtrisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Me rastin e 28-vjetorit të Armatës, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerallejtënant Vasko Gjurçinovski, u drejtuan gjatë ceremonisë.

Para mysafirëve në stadiumin ushtarak në Parkun e Qytetit në Shkup, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kujtoi se Maqedonia e Veriut këtë vit u bë anëtari i 30-të i NATO-s, organizatës së vendeve demokratike dhe të prosperuara.

“Është e padiskutueshme që kjo është një arritje jashtëzakonisht historike që garanton sigurinë tonë dhe forcon kohezionin e brendshëm të shoqërisë sonë multietnike”, tha Pendarovski.

Duke theksuar se në arritjen e qëllimit strategjik, Maqedonia e Veriut kishte mbështetjen e vazhdueshme të anëtarëve të NATO-s, Pendarovski tha se mes tyre një vend të veçantë ka mbështetja e SHBA-së, nga pavarësia e deri më sot.

Pendarovski shtoi se SHBA vazhdimisht ka ndihmuar në ndërtimin e një ushtrie dhe shteti të qëndrueshëm, të sigurt dhe të prosperuar, duke përmendur se prandaj ai sot do t’ia ndajë Urdhrin e Meritës Ushtarake Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, urdhri është një shenjë simbolike e mirënjohjes së qytetarëve të Maqedonisë së Veriut ndaj Shteteve të Bashkuara dhe popullit miqësor amerikan për gjithë mbështetjen në të gjitha dekadat e kaluara.

Pendarovski theksoi gjithashtu se pa besim te institucionet, vendi rrezikon sigurinë kombëtare dhe se reputacioni i ulët dhe zhgënjimi i qytetarëve me politikën dhe politikanët krijojnë një mjedis ideal për mënyra të reja të minimit të stabilitetit dhe sigurisë.

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, theksoi se me anëtarësimin në NATO, Maqedonia e Veriut është e rrethuar nga aleatët të cilët ndajnë vlerat, shpresat dhe aspiratat me vendin.

“Për herë të parë në historinë e atdheut tonë, ne kemi arritur të vërejmë një sukses që e çoi vendin tonë përpara dhe hapi perspektivat e tij, ne arritëm rezultat nga fjalët dhe shpresat”, theksoi Shekerinska.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerallejtënant Vasko Gjurçinovski, duke përmendur se sot shënon 28-vjetorin e lindjes së armatës, vitin e parë si anëtare e plotë e NATO-s, tha se anëtarësimi është përfitim dhe privilegj i çdo shoqërie demokratike.

Shënimi i Ditës së Armatës filloi në orën 10:00 të mëngjesit me zjarr nderi të artilerisë dhe me intonimin e himnit shtetëror, himnit të NATO-s, si dhe himnit të armatës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button