Besnik Telai do del i pavarur për Çairin

Prof dr Besnik Telai zyrtarisht do të del kandidat i pavarur për kryetar të Komunës së Çairit. Kështu kishte vendosur këshilli iniciues në këtë komunë për të nxjerrë një kandidat të pavarur në zgjedhjet lokale të marsit 2013, transmeton Kurir shqip. 

Telai është ish anëtar i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe aktualisht profesor në Universitetin Shtetëror të Tetovës.   

“Aspiratat e mia për një kandidaturë të pavarur në komunën e Çairit kanë qenë të kamotshme, iniciativa jonë për të nxjerrë një kandidaturë serioze me gjasa të mira për të fituar më në fund dha rezultatin e saj” ka thënë Telai.

Ai ka theksuar se qëllimi pse do del për kandidat është të përmirësojë politikat, sipas tij, dështuese të kryetarit aktual, Izet Mexhiti.
“Për tetë vite në funksion nuk diti asgjë të bëjë përveç se zhdukjen e pjesëve gjelbëruese, ndërtime dhe mbindërtimet e panumërta të cilat ia kanë zënë frymën komunës të bëra pa asnjë plan urbanistik, përballja e qytetarëve me rrugët e shkatërruara të kësaj komune, mos pasja e rrjetit të kanalizimit në disa lagje shqiptare, rregullimi i ndriçimit vetëm në disa lagje edhe atë disa muaj para zgjedhjeve lokale” ka thënë Telai.

Nga ana tjetër, BDI ende nuk ka nxjerrë kandidatët për këtë komunë, flitet se Izet Mexhiti do të del serish, njëkohësisht që përmendet edhe emri i zëdhënësit Bujar Osmani.
PDSH zgjodhi Muhamed Thaçin për kandidat në këtë komunë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button