Rexhepi do të propozojë që koalicioni “Tash është koha” ta bojkotojë Kuvendin, Taravari: Është opsion i mundshëm

Sekretari i Përgjithshëm i Alternativës, Skender Rexhepi – Zejd, do të propozojë që 12 deputetët e koalicionit “Tash është koha” ta bojkotojnë punën e Kuvendit, nëse BDI-ja nuk e merr postin e kryeministrit, njofton Portalb.mk.

“E mashtruan popullin (edhe një herë për të satën herë) se synimi i vetëm dhe vija e kuqe e tyre është kryeministri shqiptar. Përskaj bindjes publike se kjo ishte mashtrim i radhës, koalicioni “Tash është koha” publikisht u zotua se nëse e bëjnë kryeministrin shqiptar, pa asnjë kusht do ta votojmë atë. Por, tash edhe shqiptarët më skeptik po binden se VIJA E VËRTETË e kuqe e BDI-së është ruajtja e interesave te ngushta të disa personave të kapur nga sistemi shtetëror. PËRFUNDIMISHT…!!! Nëse brenda ditëve në vijim, gjërat nuk ndryshojnë në favor të shqiptarëve, unë do t’i propozoj kryesive dhe kryetarëve të koalicionit “Tash është koha” që të bojkotohet puna e kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe me këtë t’u bëhet në dijeni të gjithëve brenda dhe jashtë shtetit se nuk mund të luhet me dinjitetin politik shqiptare. Së paku, nuk do të kisha dashur të jemi bashkëhisetar në mashtrimin, krimin dhe vjedhjen e demokracisë te shqiptarët”, shkruan Rexhepi.

Në një deklaratë për TV21, sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, opsionin e bojkotimit të Kuvendit e ka vlerësuar si të mundshëm dhe logjik.

“Ideja e Zejdit, gjithsesi është një prej opsioneve të mundshme dhe shume logjike. Në ditët në vijim kryesitë e dy partive të koalicionit do të ulen së bashku dhe do te sjellin vendim definitiv për aktivitet e mëtutjeshme”, tha Taravari.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button