fbpx

Autoritetet malazeze me vendim të ri për hyrjet e qytetarëve të vendeve tjera

Trupi për Koordinim Kombëtar për luftimin e sëmundjeve infektive në Mal të Zi vendosi më 17 gusht, të lejojë hyrjen në Mal të Zi të personave që kanë caktuar paraprakisht akomodimin në këtë vend, dhe të cilët dëshmojnë një rezultat negativ të testit ELISA IgM ose një test negativ ECLIA, në përputhje me rregullat që kanë qenë të vlefshme deri të premten më 14 gusht, transmeton REL.

“Testi negativ ELISA IgM ose testi ECLIA, duhet të jetë i lëshuar nga një laborator i licencuar dhe të mos jetë më i vjetër se 72 orë në kohën e hyrjes së personave në Mal të Zi. Një kusht tjetër për hyrje është që këta persona brenda periudhës 15 ditëshe të mos kenë qenë banorë të ndonjë vendi, qytetarët e së cilit e kanë të ndaluar të hyjnë në Mal të Zi”.

Vendimi i mëhershëm i autoriteteve malazeze, i datës 14 gusht, thoshte se banorët e Kosovës, Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, për të hyrë në Mal të Zi, duhej të kishin një rezultat negativ të testit PCR për koronavirusin (SARS-CoV-2), ose një rezultat pozitiv të testit të antitrupave ELISA, jo më të vjetër se 72 orë.

Testi Elisa, është test serologjik që bëhet përmes gjakut dhe tregon prezencën e antitrupave të virusit në organizmin e njeriut. Testi Eclia është poashtu test serologjik që përcakton nëse një pacient ka qenë i ekspozuar ndaj virusit dhe nëse ai ka zhvilluar antitrupa kundër tij.

Testi virologjik, me metodën PCR, përcakton nëse virusi është aktiv në trupin e njeriut.

Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të njëzetekatërt, ndër të tjera ka miratuar edhe vendimin për hapjen e kufijve shtetërorë të Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe me Republikën e Serbisë, por përsëri duke respektuar kufizimet, si testi PCR-negativ.

Nuk lejohen të hyjnë në Itali apo të udhëtojnë persona që nuk i përkasin territorit të BE-së apo të Shengen. Janë ndaluar kategorikisht deri më 7 shtator udhëtimet e personave që vijnë nga vendet që i përkasin një liste prej 16 shtetesh ku përfshihen Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina.

 

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close