BDI njofton se kanë arritur përparim në negociatat me LSDM-në: Ahmeti-Zaev nesër pritet të arrijnë marrëveshje

BDI njofton se gjatë fundjavës dhe sot, takimet intensive të punës vazhduan midis përfaqësuesve të BDI dhe LSDM me qëllim të krijimit të një marrëveshje koalicioni për një Qeveri të ardhshme të qëndrueshme të Republikës së Maqedonisë së veriut.

Ekipet e BDI-së dhe LSDM-së, siç njofton BDI, punuan intensivisht në krijimin e një marrëveshje cilësore, të shpejtë dhe të plotë të koalicionit në ditët e para të afatit të përcaktuar me kushtetutë prej 20 ditësh pas marrjes së mandatit.

“Në bisedimet e zhvilluara në nivelin e sekretarëve partiak, Grubi dhe Nikollovski, është arritur përparim serioz në pothuajse të gjitha çështjet që çojnë në një marrëveshje për qeverinë. Duke pasur parasysh urgjencën dhe nevojën për të vënë shpejt në veprim institucionet kryesore në vend për të adresuar sfidat shëndetësore dhe ekonomike që lidhen me Covid-19, nesër do të mbahet një takim kryesor midis kryetarëve Ali Ahmeti dhe Zoran Zaev ku pritet një marrëveshje përfundimtare për një qeveri të re, të qëndrueshme, të përkushtuar me një mandat katër vjeçar. Duke pasur parasysh pritjet e qytetarëve për një marrëveshje të shpejtë përfundimtare, në ditët në vijim shpresojmë të vazhdojë seanca konstitutive për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së veriut. Të gjitha informacionet e reja nga përfundimi i negociatave do t’i raportohen publikut ekskluzivisht nga zyrtarë partiak ose shërbime të shtypit të palëve”, thonë nga BDI.

Të dielën, dy partitë dërguan kumtesa duke i quajtur takimet “konstruktive të punës midis LSDM-së dhe koalicionit “Mundemi” dhe BDI-së”, në nivel të sekretarëve të përgjithshëm.

Opozita maqedonase ndërkohë ka kritikuar vendimin e presidentit Stevo Pendarovski për të nominuar Zoran Zaevin për kryeministër, ende pa siguruar shumicën prej 61 votave në Kuvend. VMRO DPMNE-ja e ka akuzuar Pendarovskin për shkelje të kushtetutës duke punuar për interesa të LSDM-së.

Opozita ka vendosur të pezullojë raportet me presidentin ndërkohë që Pendarovski ka thënë se pavarësisht këtij qëndrimi, nëse Zaev nuk arrin të formojë qeverinë brenda 20 ditëve, atëherë për postin e kryeministrin do të nominoj Hristijan Mickovskin e VMRO DPMNE-së, parti kjo e cila në zgjedhjet e 15 korrik fitoi 44 ulëse në Kuvend apo dy më pak se LSDM-ja e cila doli e para me 46 mandate.

Opozita shqiptare e cila ka fituar 12 ulëse në Kuvend thotë se do të mbështesë BDI-në nëse arrin të realizojë premtimin për kryeministër shqiptar, në të kundërtën kërkon nga Ahmeti që të kalojë në opozitë.

Për formimin e qeverisë nevojiten 61 vota të deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi.

Ndryshe, LSDM-ja ka demantuar lajmin e publikuar në media se tre vjet do të jetë Zoran Zaev kryeministër dhe një vjet Naser Ziberi nga BDI-ja.

Zaev më 13 gusht e mori mandatin nga presidenti dhe ka afat prej 20 ditëve që ta formojë qeverinë, ndërsa ambasadorja amerikane, Kejt Meri Bërns, ia uroi Zaevit marrjen e mandatit për formimin e Qeverisë.

Po atë ditë, Ali Ahmeti, kryetari i BDI-së, pasi nuk arriti të zhvillojë takim me liderët shqiptarë që i kishte ftuar në Tryezën e Partive Parlamentare Shqiptare, ai në orët e pasdites ka zhvilluar takim me Zoran Zaevin, mandatarin për formimin e qeverisë. Ndërkaq, koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA nëpërmjet konferencës për shtyp njoftuan se nuk kanë zhvilluar asnjë takim formal a çfarëdo takimi tjetër me temën e pjesëmarrjes në qeveri.

Ndërkohë, Hristijan Mickoski, kryetari dhe kandidati për kryeministër nga VMRO-DPMNE-ja ka pasur një takim po atë ditë me presidentin e vendit, Stevo Pendarovski. Mickoski në takim ishte i shoqëruar me deputeten dhe ish-kandidaten për presidente, Gordana Siljanovska-Davkova, për të reaguar në lidhje me marrjen e mandatit nga Zoran Zaev pa e dëshmuar se e ka formuar shumicën. Pas takimit, Mickoski i përkujtoi tri deklaratat e presidentit Pendarovski që nuk po respektohen sipas tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button