Britani, 3 milionë vende pune në rrëzik nëse qeveria ndërpret skemën e mbështetjes

Një think-tank britanik paralajmëroi se afër 3 milionë vende pune mund të humbin në rast të mosvazhdimit të skemës së mbështetjes qeveritare për punë gjatë pandemisë së koronavirusit, raportoi “Observer”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Instituti për Hulumtime të Politikave Publike (IPPR) paralajmëroi se pas përfundimit të skemave të qeverisë në tetor, Britania mund të regjistrojë nivele të papunësisë “që nuk janë parë që nga Depresioni i Madh i viteve 1930”.

Zyra e Statistikave Kombëtare raportoi javën e kaluar se ekonomia u tkurr me 20,4 për qind, duke e zhytur Britaninë zyrtarisht në recesionin më të thellë nga të gjitha vendet e G7-tës.

Clare McNeil, ndihmësdrejtore e institutit, për “The Observer” tha: “Kancealeri ka thënë se kurrë nuk do ta pranojë papunësinë si një rezultat të pashmangshëm. Por duke i dhënë fund skemës së mbështetjes së punës shumë herët, dhe pa plan për të mbrojtur punët gjatë masave lokale të mbylljes ose të një vale të dytë, kjo është pikërisht ajo që po ndodh”.

IPPR tha se 1 milion vende pune do të humbnin në çdo rast, por vendet e tjera të punës mund të ruhen nëse krijohet një skemë e parapërgatitur e programit të punës, duke u përqendruar në krijimin e vendeve të punës të qëndrueshme në hoteleri, argëtim dhe sektorët e ndërtimit.

Think-tanku sugjeron një program të ri qeveritar që do të inkurajonte punëdhënësit të mbajnë punonjësit e tyre me kohë të pjesshme, ku qeveria do të paguante 10 për qind të pagave për orët kur punonjësi punon me kohë të pjesshme, dhe 60 për qind të pagave të orëve kur nuk punojnë.

Kancelarja në hije Anneliese Dodds tha se raporti konfirmon se përfundimi i skemës së mbështetjes së punës do ta “zhytte vendin edhe më tej në një krizë pune”.

“Ne kemi parë tashmë gati tre të katërtat e një milion vendeve të humbura që nga marsi, dhe tani miliona vende të tjera rrezikojnë të humbasin nëse qeveria nuk ndryshon kursin”, tha ajo.

Javën e kaluar, kancelari Rishi Sunak i tha BBC-së se shtrirja e skemës së qeverisë ishte e gabuar, pasi harroi njerëzit në punë të paqëndrueshme.

“Është e gabuar t’i mbash njerëzit e bllokuar në një situatë dhe të pretendosh se gjithmonë ekziston një punë ku mund të kthehen. Nuk do të jetë kështu”, argumentoi ai.

“Në këto situata, është më mirë të shohim përpara dhe t’u ofrojmë këtyre njerëzve mundësi të reja”, shtoi Sunak.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button