“KULTURA” E RREZIKUT (II)

“Pas individëve që dalin jashtë kontrollit qëndron një shoqëri që ka humbur torruan!”

Idesë së shkencës që gjeneron rrezik permanent i bashkëngjitet edhe sociologu i famshën nga Cambridge, Anthony Giddens, i cili thotë se ekziston një lidhje e ngushtë mes rritjes nivelit të dijes dhe ndjenjës së rrezikut, se burimi i shumë paqartësive me të cilat po përballemi sot është shtimi i diturisë. Sipas këtij skenari, dija krijon rrezik dhe ndjesi për të. Kur dija barazohet me rrezikun ka kuptimin se njeriu nuk është në gjendje t’i kontrollojë pasojat e veprimeve të veta. John Leslie ka shkruar një libër të titulluar The End of the World: The Science and the Ethics of Human Extinction (Fundi i botës: Shkenca dhe etika e shkatërrimit human), ku liston njëzet e tre rreziqet që e kërcënojnë botën, nga bërthamorja, copëtimi i shtresës së ozonit, shpërthimi  i një ylli, deri te katastrofat kibernetike.

Dija e tipit franjkenshtajnian shpërfaq  hidhëtirën e kësaj dukurie që dikur perceptohej si mesianike, shpëtimtare e njerëzimit (sauveur de l’humanité) [Comte] (Pickering, 2018), ndërsa sot nuk është problemzgjidhëse por problemkrijuese, destruktive. Domethënë, njeriu, përmes dijes po e shkatërron vetveten, po e pret degën mbi të cilën qëndron. Ai po shndërrohet në qenie në qorrskokak, në krijesë të mjerë e të pashpresë, aktor i skenës së pashpresisë, ku nuk është me rëndësi të qenët aktiv por pasiv, ku virtyt nuk  është trimëria por siguria. (41) Sot s’ka më individ të lirë, ka vetëm njeri të nënshtruar ndaj faktorëve të pavarur të krizës. Si përfundim, njeriun  pa rrugëdalje e ngushëllojnë duke i thënë se ka korrur sukses të madh me të mbijetuarit në një botë përplot kriza e kataklizma.

Në shekullin tonë jemi kah përballemi me një dukuri që Furedi e quan “apokalipsa medicinale”, në kuadër të së cilës qysh në fillim të shekullit XX përmend super viruset dhe gripin vrastar (51). Është epoka kur dominojnë “rrena të mira” dhe parulla të tipit: “Me gabimin e parë, puna juaj ka mbaruar, ka për t’ju ngrënë dreqi”.

Rreziku nga koronavirusi sot po ilustrohet përmes shifrave, po aritmetizohet dhe sa më tepër që bëhen kalkulime ditore aq më tepër bëjmë panik, aq më tepër frikohemi në kuptimin: “Mos vallë unë jam ai i radhës?” Sot të gjithë jemi objekt rreziku: nga bashkëshortja, djali, vajza, komshiu, deri te politikani e predikuesi, të gjithë vihemi në shënjestër të rrezikut apo potencialit për t’u goditur. Rrezikohemi nga rreziqe të krijuara nga njeriu, nga të tilla artificiale që dallojnë nga ato të së kaluarës të cilat kanë qenë natyrore dhe më lehtë të pranueshme për arsyen dhe psikologjinë njerëzore.

Sot në përgjithësi po forcohet një lloj i ri i identitetit, ai i kurbanit apo sakrificës që po e pret xhelatin i cili mund të jetë një konspiracionist, një fuqi sekrete apo diçka tjetër. Jemi në kohën e çmendinës kolektive, ku e kemi zor ta ruajmë optimizmin ndërkohë që jemi të bombarduar nga lajme që prodhojnë vetëm frikë, frikësim, trishtim, gjendje dhe kulturë depresive. Sot shoqëria e afirmon konceptin e vuajtjes, e përligj frikën nga të marrët përsipër rrezikun.

Idolet e reja të kësaj shoqërie janë njerëzit që vuajnë. (235) Kjo terminologji, mungesa e vetëbesimit dhe teza se “njerëzit kanë nevojë për ndihmë” ka prodhuar profesionalizimin e jetës së përditshme, gjegjësisht shpërthim në një profesion të ri, këshillimi  apo konsulenca, që ofron shërbime në një gamë të gjerë të jetës.  Furedi në këtë drejtim përmend këshillimet lidhur me çështjet në vijim: akoolizmi, divorci, problemet me seksualitetin, problemet me fobitë, rinia, shtatzania dhe aborti, sëmundjet, HIV, terapia feministe, papunësia, karriera, kurimi i shterpësisë, krizat e ndryshme, varësia nga bixhozi, lojërat e fatit, çështjet ndërkulturore dhe ndërracore, vdekja dhe ngushëllimi, aftësitë e kufizuara, bingo, përdhunimi, traumat, droga, pleqëria, tirania, varësia nga veglat e TI-së (teknologjive informatike), linjat telefonike për ndihmë ndaj personave në rrezik, e shumë të tjera.

Është kjo periudha e horrorit, e tronditjes dhe neverisë globale. Por, e gjithë kjo pikturë nuk do të thotë se duhet të strukemi, të thyhemi e të kaplohemi nga ndjenjat të pashpresisë. Çdo njeri mundet që të kontribuojë në kapërcimin e kësaj krize të sigurisë kur mbizotëron “ndjenja e nënshtrimit kolektiv” (239) dhe obsesioni i rrezikut: duke kultivuar vetëbesimin, duke përhapur shpresë në ditë më të mira, më pozitive, duke jetuar me frymë pozitive, duke besuar se pas vështirësive vjen lehtësimi. Mjafton të mos bëjmë panik dhe t’i respektojmë masat! Para kësaj, çdo gjë që e bëjmë ta bëjmë me ndërgjegje. Pa vënë profitin para ekzistencës, para qeniesisë, nga miza, njeriu, deri te Paqësori, Amazoni e Himallajet. Ekuilibri mund të arrihet vetëm nëse ruhet balanci në brendësinë dhe në habitatin tonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button