Ja si funksionon Bashkimi Evropian

Në vjeshtë Maqedonia e Veriut (MV) do të nisë procesin e hapjes së kapitujve me Bashkimin Evropian (BE). Ky është një proces i gjatë dhe një veprim që kërkon nga qeveria dhe qytetarët angazhim të drejtpërdrejtë. Por çfarë në të vërtetë është BE-ja dhe si funksionon ky institucion kaq i rëndësishëm për evropianët dhe shtetet aspirante? Pse të gjithë e duan këtë union perëndimorë që u krijua në vitin 1950?

Në vitet e 50-ta të shekullit XX, marrëdhëniet në mes Perëndimit dhe Lindjes ishin në pikën më të ultë të bashkëpunimit dhe prej atëherë BE ka arritur shumë, pasi ka të bëjë me natyrën e kombeve dhe gjendjen ndërkombëtare të pas Luftës së Dytë Botërore (LDB). Që nga viti 1950, Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut, filloi t’i bashkojë shtetet evropiane ekonomikisht dhe politikisht në mënyrë që të sigurojë paqen afatgjate në Evropë nga kërcënimet e jashtme. Gjashtë shtetet themeluese të BE-së janë: Belgjika, Franca, Gjermania, Italia, Luksemburgu dhe Holanda. Në vitin 1957, Traktati i Romës krijoi Komunitetin Ekonomik Evropian (KEE). Danimarka, Irlanda dhe Mbretëria e Bashkuar anëtarësohen në union më 1 janar të vitit 1973, duke rritur numrin e shteteve në nëntë.

Në vitin 1981, Greqia bëhet anëtarja e 10-të e BE-së, dhe Spanja dhe Portugalia ndjekin pesë vjet më vonë të njëjtën rrugë. Në vitin 1986 nënshkruhet Akti i Vetëm Evropian. Ky është një traktat i cili siguron bazën për një program të gjërë gjashtë vjeçar që synon zgjidhjen e problemeve me anë të tregtisë së lirë përtej kufijve të BE-së dhe kështu krijohet “Tregu i Vetëm Evropian”.

Në vitin 1995, BE-ja bëhet me tre anëtarë të rinj: Austria, Finlanda dhe Suedia. Ndarjet politike midis Evropës Lindore dhe Perëndimore përfundimisht deklarohen të përfunduara, kur jo më pak se 10 shtete të reja të ish bllokut komunist anëtarësohen në BE në vitin 2004, duke u pasuar nga Bullgaria dhe Rumania në vitin 2007.

Nga Ballkani Perëndimor, Kroacia u bë shteti i 28-të anëtar i BE-së në vitin 2013. BE ka disa institucione të rëndësishme të qeverisjes dhe të funksionimit dhe ato janë: Parlamenti, Këshilli dhe Komisioni Evropian. Këta institucione në mediat e Maqedonisë së Veriut i kemi dëgjuar më shpesh, pasi përbëjnë shtyllat e BE-së. Në thelb BE-ja ashtu siç përmendëm më lartë, përbëhet nga 28 shtete dhe karakteristika unike e BE-së është se të gjitha vendet janë shtete sovrane, por ato kanë bashkuar apo kanë dhënë diçka nga “sovraniteti” i tyre që ky union të fitojë forcë dhe të jetë i suksesshëm në arenën ndërkombëtare.

Sovraniteti do të thotë që shtetet anëtare të delegojnë disa prej kompetencave vendimmarrëse të shteteve respektive, ndaj institucioneve të përbashkëta që kanë krijuar me anë të traktatit të BE-së. BE-ja kështu vendoset midis sistemit plotësisht federal që e shohim të gjithë në sistemin e SHBA-së dhe të një farë sistemi të bashkëpunimit ndërqeveritarë.

BE ka ndërtuar një treg të vetëm për mallra dhe shërbime të ndryshme që përfshin 28 shtete anëtare me mbi 500 milion qytetarë të lirë të lëvizin dhe të punojnë aty ku dëshirojnë. BE-ja ka krijuar një monedhë që quhet “Euro” e cila tani është një monedhë e fuqishme botërore. BE gjithashtu është furnizuesi më i madh i programeve të zhvillimit dhe ndihmave humanitare në botë. Gjatë pandemisë BE ka dhënë qindra miliona euro në mbarë botën dhe mbi 800 milion euro në Ballkanin Perëndimor.

BE ka ndërtuar një politikë të jashtme dhe të sigurisë dhe kjo politikë është e përbashkët në marrëdhëniet ndërkombëtare. Suksesi i politikës së jashtme varet nga aftësia dhe ambiciet e unionit për të përballuar kërcënimet aktuale dhe të së ardhmes për të marë vendime efektive dhe për t’i zbatuar të njëjtat në politikën ndërkombëtare si aktor global. Funksionimi i BE-së bazohet në traktate që janë miratuar në mënyrë vullnetare nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Traktatet janë negociuar dhe rënë dakord nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe pastaj janë ratifikuar nga parlamentet e tyre ose me referendum.

Në fakt, traktatet përcaktojnë objektivat e BE-së dhe bazat e unionit. Më 9 maj 1950, së pari në historinë evropiane Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman propozoi publikisht idenë e BE-së dhe kështu 9 maji është bërë traditë dhe festohet si ditëlindja e BE-së. Kur jemi tek traktatet, ai i fundit është Traktati i Lisbonës i nënshkruar në Lisbonë më 13 dhjetor të vitit 2007, dhe hyri në fuqi më 1 dhjetor të vitit 2009. Traktati për Stabilitetin, Koordinimin dhe Qeverisjen në Unionin Ekonomik dhe Monetar, është një traktat ndërqeveritar i cili u nënshkrua nga të gjithë shtetet e BE-së përveç Çekisë dhe Britanisë së Madhe në vitin 2012.

Traktati i Lisbonës është ratifikuar nga të gjitha vendet e BE-së para hyrjes në fuqi në vitin 2009. Ajo i siguron BE-së institucione bashkëkohore dhe metoda më të efektshme të qeverisjes.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button