Gjeloshaj: Ky është koalicioni më i madh në këto 30 vitet e fundit të pluralizmit

Bartësi i Listës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, në një intervistë dhënë “Zërit të Amerikës”, vuri në dukje angazhimin e forcave politike shqiptare në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit në Mal të Zi.

Gjeloshaj beson se listat shqiptare mund të sigurojnë përfaqësimin e denjë në parlamentin malazez duke i ndihmuar të ardhmes më të mirë të shqiptarëve në Mal të Zi.

Objektivi i Listës Shqiptare në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit do të jetë zhvillimi ekonomik dhe demokratik i zonave ku shqiptarët janë shumicë në Mal të Zi. Këto komente bartësi i Listës shqiptare, Nik gjeloshaj i bëri në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës.

Gjeloshaj , vuri në dukje se koalicioni i subjekteve poltike shqiptare është më i madhi në këto 30 vitet e fundit të pluralizmit në Mal të Zi.

“Fokusi jonë duhet të jetë zhvillimi ekonomik në zonat ku jetojnë shqiptarët ku edhe do të përqendrohet koalicioni jonë. Ky është koalicioni më i madh në këto 30 vitet e fundit të pluralizmit dhe besoj se shqiptarët do ta vlerësojnë këtë bashkim që kemi bërë duke treguar me këtë edhe një sinqeritet ndaj votuesve tonë, por edhe duke marrë përgjegjësinë ndaj proceseve që na presin”, tha z. Gjeloshaj.

Gjeloshaj theksoi angazhimin e koalicionit për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi e posaçërisht ruajtjen e identitetit kombëtar.

“Do të përqendrohemi në disa çështje, siç është ekonomia, ku nënkuptohet kthimi i pronës, pastaj çështjet tjera specifike kombëtare si ruajtja e identitetit, përmirësimin e kushteve në arsim, kulturë dhe në sferat tjera ku ne si popull duhet të ruajmë identitetin tonë”.

Gjeloshaj i bëri thirrje gjithë elektoratit shqiptarë të votojnë listat shqiptare, pasi përmes tyre mund të realizohen interesat e shqiptarëve në Mal të Zi.

“Duhet që edhe ne shqiptarët të mobilizohemi dhe të jemi pranë njëri tjetrit dhe pranë subjekteve politike shqiptare. Nuk duhet të inkurajohemi se kemi dy lista shqiptare sepse votat e listave shqiptare sipas ligjit mblidhen dhe bëhen bashkë dhe si të tilla marrin pjesë në ndarjen e mandateve. Për këtë arsye votoni listat shqiptare, sigurisht se si udhëheqës i Listës Shqiptare mendoj se lista jonë është më serioze, më e kompletuar dhe që mund të punojë më shumë për popullin shqiptar”, tha ai.

Gjeloshaj vlerëson angazhimin e mërgimtarëve shqiptar në Amerikë dhe kyçjen e tyre ekonomike dhe politike në Mal të Zi.

“Jam i bindur se diaspora çdo herë e më shumë të kyçet në proceset politike dhe në ato zhvillimore ekonomike në ato vende ku jetojnë shqiptarët dhe besoj edhe në këto zgjedhje do të kemi votuese nga diaspora. Pa marrë parasysh situatën me pandemi do të kemi përfaqësuesë, individë dhe shumë persona që do të jenë bashkë me shqiptarët me 30 gusht”.

Bartësi i listës së koalicionit, Nik Gjeloshaj beson se listat shqiptare mund të sigurojnë përfaqësimin më të denjë në parlamentin malazez duke i ndihmuar të ardhmes më të mirë të shqiptarëve në Mal të Zi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button