Presim që viti shkollor të fillojë kah mesi i shtatorit, vlerësoi zëvendësministrja e arsimit në RMV

Elizabeta Naumovska, zëvendësministrja e Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut ka vlerësuar se për shkak të mosfunksionalizimit të Kuvendit dhe pamundësisë që të miratohen ndryshime ligjore, qoftë për mësim online apo edhe shkurtim të orës mësimore, presim që viti shkollor të fillojë kah mesi i shtatorit, transmeton Portalb.mk.

“Presim që deri kah mesi i shtatorit, do të kemi mundësi ta vazhdojmë, gjegjësisht ta fillojmë vitin e ri shkollor. Ministri ka të drejtë që ta prolongojë vitin shkollor”, deklaroi Naumovska.

Me këtë ajo hedh poshtë mundësinë që viti shkollor të fillojë më 1 shtator.

“Nëse ne e fillojmë vitin shkollor më 1 shtator, Ligji parasheh që ai të zhvillohet në shkolla dhe me orë prej 40 minuta. Por meqë e dimë se si zhvillohen negociatat, Kuvendi nuk është në gjendje të miratojë ligje, ne konsiderojmë se nuk ka kushte që të miratohen ndryshimet ligjore në bazë të të gjitha procedurave që më 1shtator të fillojë viti shkollor dhe për këtë presim që afati për fillim të vitit shkollor do të prolongohet”, tha Naumovska.

Foli edhe për mësimin tërëditor, duke sqaruar se mund të zhvillohet në shkollat ku ka kushte të sigurisë, pasi Ministria ka protokoll. Ndërkaq për nxënësit me nevoja të veçanta, me sëmundje kronike dhe sëmundje të veçanta vlerësoi se për këtë do të duhet të deklarohen prindërit vet po me mendim paraprak të mjekëve.

Ndryshe, Ligji për arsimin fillor, neni 50 sqaron se “Viti shkollor në shkollë fillore, sipas rregullit, fillon më 1 shtator, ndërsa përfundon më 31 gusht vitin e ardhshëm”. Pikërisht ky Ligj në lidhje me kohëzgjatjen e orës mësimore, në nenin 51 shkruan: “Ora mësimore zgjat 40 minuta”.

Arbër Ademi, ministri i MASH-it më herët ka sqaruar se si rezultat i bisedimeve ndërmjet Komisionit për sëmundje ngjitëse dhe MASH-it është përpiluar propozimi është që mësimi në vitin e ri shkollor të zhvillohet në distancë, gjegjësisht onlajn, por me dy propozime.

“Propozimi i parë është prezencë fizike për nxënësit nga klasa e pare deri në klasë të tretë. Propozimi i dytë është që në ato shkolla ku ka numër të vogël nxënësish dhe ku mund të respektohen protokollet për prezencë fizike dhe mund të organizohet procesi arsimor, me atë që të mos rrezikohet shëndeti, atje do të organizohet procesi arsimor me distancë fizike”, deklaroi Ademi.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut gjatë javës në seancën e 80-të miratoi Planin e Ministrisë së arsimit dhe shkencës për zhvillimin e procesit arsimor gjatë vitit shkollor 2020/2021. Edhe pse u paralajmërua se më 10 gusht do të finalizohen protokollet për fillim të vitit shkollor 2020/2021 në kushte të pandemisë, akoma nuk është vendosur asgjë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button