BDI thotë se parimet mbi të cilat do të bazohet qeveria e ardhshme janë konfirmuar me LSDM-në

Konsultimet në nivele të ndryshme midis BDI dhe LSDM vazhdojnë edhe sot, njoftoi përmes kumtesës partia shqiptare, shkruan Portalb.mk.

“Parimet mbi të cilat do të bazohet qeveria e ardhshme janë konfirmuar, dhe ato janë komunikuar para opinionit disa herë. Ne po përgatitemi për hapat e tonë të ardhshëm, siç është përgatitja e një programi të detajuar të punës dhe përcaktimi i propozimeve me drejtues të institucioneve të përgatitur, të ndershëm dhe të aftë. Ne besojmë se kjo qasje do të çojë në një marrëveshje përfundimtare dhe një Qeveri me një mandat të plotë katër vjeçar që do të miratohet në Kuvend, do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë dhe do të vazhdojë partneritetin me aleatët tanë euro-atlantik.” kutmoi sot BDI.

Ndërkaq, koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA nëpërmjet konferencës për shtyp sot njoftuan se nuk kanë zhvilluar asnjë takim formal a çfarëdo takimi tjetër me temën e pjesëmarrjes në qeveri dhe, siç thonë, as që do të bisedojnë para se fituesi legal, por, sipas tyre jolegjitim, i zgjedhjeve në kampin shqiptar, pra BDI, ta konsumojë të drejtën e tij për t’u bërë pjesë e qeverisë.

Ndryshe, Zaev dje e mori mandatin nga presidenti dhe ka afat prej 20 ditëve që ta formojë qeverinë, ndërsa ambasadorja amerikane, Kejt Meri Bërns, ia uroi Zaevit marrjen e mandatit për formimin e Qeverisë.

Ndërkohë, Hristijan Mickoski, kryetari dhe kandidati për kryeministër nga VMRO-DPMNE-ja ka pasur një  takim me presidentin e vendit, Stevo Pendarovski. Mickoski në takim ishte i shoqëruar me deputeten dhe ish-kandidaten për presidente, Gordana Siljanovska-Davkova, për të reaguar në lidhje me marrjen e mandatit nga Zoran Zaev pa e dëshmuar se e ka formuar shumicën.
Pas takimit, Mickoski i përkujtoi tri deklaratat e presidentit Pendarovski që nuk po respektohen sipas tij.

Dje, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, pasi në terminin e caktuar për mbajtjen e Tryezës së Partive Parlamentare Shqiptare, nuk i erdhën liderët e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, Alternativës, Afrim Gashi, Lëvizjes BESA, Bilall Kasami dhe PDSH-së, Menduh Thaçi, mbajti konferencë për shtyp ku u shpreh se ndjehet i zhgënjyer nga mosprezenca e tyre dhe se tani ata e kanë radhën që të thirrin takim.

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik, përbërja e re parlamentare u konstituua më 4 gusht. Mandatari, në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, dorëzon program në Kuvend dhe propozon formim të Qeverisë.

Në zgjedhjet e 15 korrikut, Koalicioni “Mundemi” ka fituar 46 deputetë,  VMRO-DPMNE 44, BDI 15, Aleanca për Shqiptarët & Alternativa  12, E majta 2 dhe PDSH 1.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button