Ivanov uron Vitin e ri: Maqedonia duhet të jetë e bashkuar

Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov në fjalimin e Vitit të Ri qytetarëve u dërgoi urime për shumë shëndet, gëzim dhe fat. Me optimizëm dhe forcë, mendje të shëndoshë, dinjitet dhe nder dëshiroj që të hyjmë në Vitin e Ri 2013, thotë Ivanov, duke shtuar se vetëm kështu do t’i arrijmë qëllimet tona. 

“Unë besoj se Republika e Maqedonisë do të jetë atje ku meriton të jetë. Prandaj të gjithë së bashku ta ndërtojmë Maqedoninë në lartësi. T’i arrijmë standardet dhe vlerat më të larta”, thekson presidenti Ivanov, duke iu dëshiruar të gjithë qytetarëve ngrohtësi në shtëpi dhe lumturi te fëmijët e tyre, sepse, thotë, jeta na ka mësuar që të jemi të durueshëm, paqedashës, solidarë. Kini zemër të gjerë edhe për dhënie edhe për pranim të dashurisë dhe mirësisë, dhe respektohuni mes vete, dhe ndihmohuni. 

“Ndërsa ne, që e kemi marrë besimin tuaj edhe në vitin e ardhshëm do të vazhdojmë në mënyrë joegoiste të krijojmë jetë më të mirë, për të gjithë ne. Megjithatë, le të jenë dëshirat reale, që të mund të realizohen”, thekson presidenti Ivanov. Viti që po shkon, përkujton ai, ishte i plotësuar me shumë pritje dhe shumë sfida. 

“Këto janë kohëra kur idetë e mëdha dhe projektet e mëdha kalojnë nëpër periudha të krizës. Ne nuk jemi imunë në gjithë atë që ndodh në botë edhe plan ekonomik edhe në atë politik. Ju qytetarë të nderuar i ndjeni ndryshimet, por falë urtësisë suaj dhe fuqisë tuaj, dalim çdoherë më të fuqishëm dhe më vendimtarë. Çdo krizë në të njëjtën kohë është një sfidë e madhe. Kohë për mundësi dhe shpresa të reja. Këto momente festive, janë momente, kur na bashkon shpresa. Shpresa është ajo që na jep fuqi që të qëndrojmë në qëllimet e përbashkëta. Na jep vrull dhe motiv për një ardhmëri më të mirë”, qëndron në fjalimin e presidentit Ivanov. 

“Ta respektojmë, atë që deri më tani e kemi hasur, si në shtëpi midis të afërmve, ashtu në vendin ku jetojmë dhe punojmë, por edhe në shtet si tërësi. Sjellja jonë përgjegjëse na jep bazë që të kërkojmë që edhe të tjerët me përgjegjësi të sillen ndaj nesh. Dallimet dhe ndarjet nuk guxojnë të na tërheqin nga interesat shtetërore dhe qëllimet strategjike. Kemi nevojë që Republika e Maqedonisë të jetë e bashkuar, e suksesshme dhe të jetë me prosperitet”, porosit Ivanov në fjalimin e Vitit të Ri. Presidenti i Republikës së Maqedonisë tregoi se u kemi borxh falënderim të gjithëve të cilët gjatë këtij viti kanë dhënë kontribut, që të ndjehemi krenarë dhe të suksesshëm. 

“Çdo rezultat i arritur, çdo medalje ose mirënjohje e fituar është motiv për suksese të reja. Suksesi i secilit prej nesh, është një sukses i atdheut tonë. Atë që e investojmë, atë edhe do ta fitojmë, dhe për këtë edhe të tjerët do të na njohin”, nënvizoi Ivanov. Ai shfaqi falenderim edhe nga Armata e Republikës së Maqedonisë dhe forcave të sigurisë. të cilët e ruajnë dhe e mbrojnë paqen dhe sigurinë tonë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button