Vendnumërimet “fatale” të një viti të trazuar, Maqedonia 2012

Fundi i botës nuk erdhi por 2012 qe një vit i trazuar për Maqedoninë. Incidente ndëretnike, vrasje dhe përleshje të dhunshme në Parlament. Sërish pa datë për Bashkimin Evropian, vendi humbet në trajtat e korrupsionit dhe nacionalizmit. Qoftë 2013-ta më e mirë!

Ja dhe ngjarjet të cilat shënuan vitin, të radhitura kronologjikisht.

JANAR
Më 1 janar të vitit 2012, në moshën 94 vjeçare vdiq presidenti i parë i Republikës së Maqedonisë Kire Gligorov.
Në janar mbahet edhe karnevali i Vevçanit, karneval tradicional maqedonas, por, ndryshe nga të tjerat, këtë vit përqeshen dhe ofendohen rëndë shqiptarët. Si rezultat, pasojnë protesta nga qytetarët shqiptarë në Strugë, ndërsa në shenjë revolte sulmohen edhe objekte fetare të krishtere.

SHKURT
Më 28 shkurt të vitit 2012, polici maqedonas Jakim Trifunovski, jashtë orarit të punës, për arsye banale vret dy të rinj shqiptar në Gostivar. Nga revolja e punës së Trifunovskit pësojnë Besnik Shehap dhe Imran Mehmedi. Menjëherë pas vrasjes polici është arrestuar. Protesta masive janë organizuar nga qytetarët e Gostivarit në kërkim të drejtësisë.

MARS 
Pas disa incidenteve më të vogla, më 8 mars të vitit që po lëmë pas rrihen brutalisht 15 nxënës shqiptar nga persona të maskuar në autobus. Mes nxënësve të shtruar në spital kishte edhe disa femra. Shumë prej tyre ishin me lëndime të rënda trupore.

PRILL
Në prill të vitit 2012 ndodh një prej vrasjeve më makabre që ka njohur historia e shtetit maqedonas. Më 12 prill gjenden të vdekur 5 persona, kryesisht të rinj, të ekzekutuar pranë liqenit të Smillkovcit në afërsi të Shkupit.

MAJ
20 persona arrestohen në mega akcion të policisë maqedonase mëngjesin e 1 majit. Aksioni policor i quajtur “Monstra” kishte për qëllim kapjen e kryerësve të vrasjes në Smillkovc. Mes të arrestuarve kishte edhe gra. Në konferencën për shtyp, ministrja e punëve të brendshme Gordana Jankullovksa theksoi se janë kapur kryerësit e veprës, të cilët i etiketoi si radikal islamik që kanë marrë pjesë në luftimet kundër NATO-së në Afganistan dhe Irak. Megjithatë, ditën e nesërme shumica e të arrestuarve lirohen për mungesën e provave, ndërsa mbahen vetëm 6 prej tyre, nga të cilët 3 për armëmbajtje pa leje.

Arrestimi i grave shqiptare dhe etiketimi nga ministrja Jankullovska se vepra është kryer me pretekst fetar, nxiti protesta masive në rrugët e Shkupit. Mbi 15.000 protestues dy të premte protestuan para Gjykatës së Shkupit dhe Qeverisë.

QERSHOR
Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, pranohen gjashtë akademik të rinj, mes të cilëve edhe një shqiptar, akademik Abdulmenaf Bexheti. Kjo te shqiptarët ngjalli shpresa se përfundimisht do të merren hapa konkret për përmirësimin e Enciklopedisë Maqedonase, e cila në versionin e parë ishte përplot gabime dhe fyerje antishqiptare.

KORRIK

Në Maqedoni fillon shpallja e kodoshëve të lustruar nga Komisioni për verifikimin e fakteve, si rezultat i Ligjit për lustrim. Më 17 korrik shpallen gjashtë kodoshët e parë në faqen zyrtare të këtij komisioni.

GUSHT
Ministri i mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë Fatmir Besimi, i shoqëruar nga një delegacion i Armatës së Republikës së Maqedonisë, përkulet para përmendores së ish ushtarëve të UCK-së në Sllupçan. Për herë të parë uniforma të ARM-së nderojnë të rënët shqiptar nga konflikti i vitit 2001. Ngjarja u përcoll me bujë dhe presion mediatik dhe me reagime nga opinioni dhe kreu politik maqedonas, ndërsa u përshëndet nga Ambasada Amerikane dhe ambasadat tjera relevante në vend.

Si kundërpërgjigje, më 17 korrik grupi parlamentar i partisë në pushtet VMRO DPMNE, propozon ligj për të drejta të veçanta të pjesëtarëve të forcave të sigurisë në konfliktin e vitit 2001 dhe familjeve të tyre. Nga ky propozim ligj përjashtohen pjesëtarët e UCK-së. Ky pr/ligj vështirësoi marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit qeveritar VMRO – BDI. Ligji sot e kësaj dite mbetet në procedurë parlamentare pas bllokimit nga partneri shqiptar në koalicion me 15.000 amendamentet e dorëzuara.

SHTATOR
Më 8 shtator Maqedonia feston 21 vjetorin e pavarësisë. Si rezultat i marrëdhënieve të acaruara ndëretnike nga ngjarjet e gushtit, në manifestimin qendror të pavarësisë fishkëllohen këngëtarët shqiptar që kënduan në manifestim

TETOR
Më 5 tetor të vitit 2012 dështon votëbesimi i qeverisë i inicuar nga LSDM-ja opozitare. Kundër votëbesimit, diskutimi mbi të cilin zgjati deri në mesnatë, votuan partitë në pushtet VMRO dhe BDI. Sipas LSDM-së opozitare, qëllimi i votëbesimit ishte që të demaskohen skenaret për gjoja krizë brenda koalicionit VMRO – BDI.
Gjatë këtij muaji vjen edhe Raporti i Progresit nga Komisioni Evropian për Maqedoninë. Nga partitë në pushtet cilësohet si raport mjaft pozitiv, ndërsa opozita nënvizoi vërejtjet të cilat nuk munguan edhe në raportin e këtij viti.

NËNTOR
Në mbarë trojet shqiptare u festua 100 vjetori i pavarësisë së shtetit shqiptar. Në Shkup manifestimet filluan me vendosjen e bustit të Hasan Prishtinës. Manifestimi qendror u mbajt më 25 nëntor në sallën Boris Trajkovski, ku mysafir special ishin kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës Sali Berisha dhe Hashim Thaçi. Si asnjëherë më parë, kryeministrat shqiptar me fjalor jo diplomatik me theks në idenë e bashkimit kombëtar.

DHJETOR
Edhe përkundër pritjeve dhe optimizmit, Maqedonia ngelet pa datë për fillimin e bisedimeve nga mbledhja e Këshillit të Ministrave të BE-së në dhjetor. Përveç bllokimit permanent nga Greqia, kësaj rradhe për herë të parë kundër Maqedonisë doli edhe Bullgaria dhe shtete tjera përkrahëse të Greqisë.

Propozim Buxheti për vitin 2013 shkaktoi krizë të rëndë politike në Maqedoni. Partitë opozitare, si maqedonase edhe ato shqiptare, u shprehën kundër buxhetit të propozuar. Së bashku ata propozuan mbi 1200 amendamente për buxhetin. Duke anashkaluar procedurat ligjore, partitë në pushtet tejkalojnë komisionet dhe kthejnë buxhetin në Qeveri. Pas miratimit në Qeveri, buxheti duhej të votohet në seancë plenare të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Në seancën e 24 dhjetorit, deputetët opozitar të vendosur të bllokojnë buxhetin, nxirren me dhunë nga salla e Kuvendit, përderisa paraprakisht në të njëjtën mënyrë ishin larguar edhe gazetarët. Buxheti votohet me votat e VMRO-së dhe BDI-së, ndërsa kundër votoi PDSH, e cila qëndroi në sallë për të votuar./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button