Ky është vetëm fillimi, si do të duken negociatat për pranimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian

Analizë infografike e Institutit për Demokraci ‘Societas Civilis’ Shkup

Në një analizë nga Instituti për Demokraci ‘Societas Civilis’ në Shkup, të zhvilluar me konsulentë nga radhët e qeveritarëve, ekspertëve të çështjeve evropiane, analistë dhe opinionistë, vërehet se  procesi i anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian nuk është i lehtë, shkruan Portalb.mk.

Maqedonia e Veriut është në fillim të finales për anëtarësim. Pas vendimit pozitiv të Këshillit Evropian se Maqedonia e Veriut mund të fillojë negociatat për anëtarësim që pritet të nisin kah fundi i këtij viti, dhe prezantimit të metodologjisë së re, në tavolinë do të jenë të hapura kapitujt më të vështirë në gjithë procesin e anëtarësimit. 

Ka 35 kapituj që secili shtet duhet ti përmbushë për tu bërë anëtar i barabartë në BE. Më të rëndësishëm dhe thelbësor për procesin e anëtarësimit janë Kapitulli 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore” dhe Kapitulli 24 “Drejtësia, liria dhe siguria”. 

Kapitulli 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”

“Politikat e Bashkimit Evropian në fushën e sistemit gjyqësor dhe të drejtave themelore kanë qëllim të mundësojnë dhe të zhvillojnë Bashkimin Evropian si një zonë të lirisë, sigurisë dhe drejtësisë. Ngritja e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe efikas është e një rëndësie tepër të madhe. Paanshmëria, integriteti dhe një standard i lartë i një gjykimi nga gjykatat janë jetike për të siguruar sundimin e ligjit. Kjo kërkon një angazhim të vendosur për të eliminuar ndikimet e jashtme në gjyqësor dhe të vësh në dispozicion burime financiare dhe trajnime të përshtatshme. Duhet të sanksionohen garanci ligjore për procedura gjykimi të ndershme. Po kështu, vendet anëtare të BE-së duhet të luftojnë korrupsionin me efikasitet, pasi korrupsion përfaqëson një kërcënim për stabilitetin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit.

Një kuadër ligjor i qëndrueshëm dhe institucione të besueshme nevojiten që të përforcojnë një politikë logjike për parandalimin dhe zvogëlimin e korrupsionit. Vendet anëtare të BE-së duhet të sigurojnë respektimin e të drejtave themelore dhe të të drejtat të qytetarëve të BE-së, ashtu si garantohet nga “Acquis Communautaire” (baza ligjore e Bashkimit Evropian) si edhe nga Karta e të Drejtave Themelore”.

Kapitulli 24 “Drejtësia, liria dhe siguria”

“Politikat e Bashkimit Evropian në fushën e sistemit gjyqësori dhe të drejtave themelore kanë qëllim të mundësojnë dhe të zhvillojnë Bashkimin Evropian si një zonë të lirisë, sigurisë dhe drejtësisë. Mbi çështje si kontrolli i kufijve, vizat, migrim i jashtëm, azili, bashkëpunimi i forcave të rendit, lufta kundër krimit të organizuar dhe kundër terrorizmit, bashkëpunimi në sektorin kundër drogës, bashkëpunimi doganor dhe bashkëpunimi në fushën e gjyqësorit në çështje kriminale dhe civile, vendet anëtare të BE-së duhet të jenë të pajisura si duhet për të zbatuar në mënyrë të duhur kuadrin ligjor në rritje të rregullave të përbashkëta.
Mbi të gjitha, kjo kërkon një kapacitet administrativ të mirë-integruar në agjencitë ligjzbatuese dhe institucione të tjera përkatëse, të cilat duhet të arrijnë standardet e nevojshme. Një forcë e rendit profesionale, e besueshme dhe efikase është e një rëndësie tepër të madhe. Pjesa më e detajuar e politikave të BE-së për drejtësi, liri dhe siguri është baza ligjore e BE-së për “Schengen”-in, që kërkon heqjen e kontrolleve kufitare të brendshme në BE. Ndërkohë, për vendet e reja anëtare të BE-së, pjesë të konsiderueshme të bazës ligjore të BE-së për “Schengen”-in zbatohen pas një vendimi të tjeter, te ri,  nga Këshilli Evropian që merret pas anëtarësimit”.

Me këto dy kapituj, siç përmendëm në fillim të këtij teksti do të nisin negociatat për anëtarësimin e Maqedonivë së Veriut në BE.
S
ecili që merr këtë obligim, qoftë ai një zëvendës kryeministër i ri për Çështje Evropiane, apo një ministër i Jashtëm, të cilit mund t’i shtohet edhe kjo përgjegjësi, siç është rasti i Shqipërisë me ministër për Punë të Jashtme dhe Evropë, duke pasur parasysh lajmet se qeveria e re do të ketë numër të reduktuar të ministrive, ky person do ta ketë të vështirë të arsyetojë gjyqësorin e pa-reformuar, të korruptuar, dhe që ka besimin me të vogël të qytetarëve.

Infografiku nga Societas Civilis

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button