DAVIDE ET IMPERA

Autorësia e thënies latine davide et impera (përçaj e sundo) i përshkruhet ushtarakut e burrështetasit romak Jul Çezarit (100-44 p.e.s.). Që atëherë ajo u bë parim i politikave sunduese, që synojnë drobitjen e më të vegjëlve, më të dobtive, më inferiorëve, më shpirtrobërve.

Me metodën e përçarjes gjeneralët romakë mposhtën hebrejët pasi i përçanë fillimisht në pesë pjesë. Ngjashëm vepruan edhe me popujt tjerë që i vunë me shekuj nën thundrat e tyre.

Disa shekuj më vonë, politikani, diplomati e filozofi italian Nikolla Makiaveli (1469-1527) shkroi se një prijës i mirë lufte duhet të shfrytëzojë të gjitha mënyrat dhe mjetet e mundshme për të përçarë nga brenda popujt armiqë, gjer në shkallën që t’i bëjë të mos u besojnë as njerëzve të tyre më të urtë e më dinjitozë.

Ndër  etnitë që e kanë provuar disa herë mbi kurrizin e tyre metodën në fjalë të armiqve shekullorë jemi dhe ne. Kështu, pas rezistencës epike 25 vjeçare, që Skënderbeu e bëri me shqiptarët ndaj Perandorisë shumëfish më të fuqishme otomane, trojet tona u ndanë në 4 vilajete, me çka iu bë e mundshme pushtuesit t’na sundojë 5 shekuj të plotë, duke shuar rebelimet e shpeshta e të përgjakshme të ndonjërit prej vilajeteve me ndihmën e bashibozukëve të vilajeteve të tjera.

Po këtë e bëri përgjatë pesë dekadash edhe Jugosllavia titiste, duke i ndarë shqiptarët në më shumë njësi federale (Kosovë, Serbi, Maqedoni e Mal të Zi), duke i vënë nën një kontroll të plotë dhe duke i tëhuajtë (tjetërsuar) nga vetvetja. Po ajo që rrallë kush ka pritur të ndodhë është lehtësia me të cilën na përçanë dhe na poshtërron, kryesisht me faj të politikanëve shqiptarë, një shtet i brishtë si Maqedonia e Veriut.

Kjo shihet më së miri në garat tragji-komike që bëjnë liderët shqiptarë për të qenë me çdo kusht pjesë e pushteteve të drejtuara përherë nga maqedonasit biblikë, antikë, qiellorë…, që tri dekadat e fundit janë ndërruar çdo të dytin vit. Them “tragji-komike”, sepse, për shkak të hileve të shumta dhe manipulimeve me numrin real të shqiptarëve në këtë vend, asnjëra nga partitë tona nuk mund të jetë fituese e vërtetë e zgjedhjeve parlamentare për të arritur më pastaj ta formojë qeverinë dhe të jetësojë programin e saj zgjedhor. Në këso rrethanash subjektet shqiptare bëhen pjesë e pushtetit pa pasur pushtet real, gjë që vërehet lehtësisht në pafuqinë e ministrave tanë për të sjellur vendime fuqiplota të dikastereve që “drejtojnë”…

Pikërisht përë këtë në njërën prej kulumnave të mia të fundit apelova që: të paktën tani, kur shqiptarët fituan më shumë mandate kuvendarësh se kurdoherë tjetër, duhet të dëshmojnë se nuk janë pakicë kombëtare, po një etni kompakte, që nuk do të lejojë të nëpërkëmbet sërish nga kubaritë e tjetrit; duhet të bashkëpunojnë, të përgatisin strategji, nëpërmjet të cilave mund të ndryshojnë shumëçka në shtetin që duhet t’u takojë qytetarëve dhe etnive të barabarta, ku secili do të ndihet zot në shtëpinë dhe trollin e të parëve, ku askush nuk do të ketë më të drejtë të përcaktojë me doza të kërmillta rritën e tjetrit, ku nuk do të ketë më padronë dhe robër, po qytetarë evropianë që e kanë të qartë se liria e tyre nuk fillon aty ku mbaron liria e tjetrit.

Ndryshe: inatet dhe përçarjet e reja, do ta ulin çmimin e votës shqiptare dhe do ta kthejnë atë sërish në garë qesharake lypsarësh të padinjitet, që do të radhiten si kokrra rruazash të pavlera para dyerve të LSDM-së apo VMRO-së, duke lutur për pushtete fiktive, për ca poste ministrash e drejtorësh, që as i kanë zgjidhur as do t’i zgjidhin në të ardhmen problemet madhore me të cilat ballafaqohemi me dekada të tëra.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button