2012-ta, disfata ekonomike apo suksese qeveritare?

Qeveria numëronte uljen e papunësisë, institucionet ndërkombëtare paralajmëronin se Maqedonia mbetet lider i numrit të papunëve. Pushteti projektonte rritje ekonomike, ekonomisë i ndodhi recesioni. Opozita dëshironte të pengonte huamarrje të reja, përfundoi “duke u tërhequr zvarrë” me forcë nga salla kuvendore.

Cilat ngjarje dhe deklarata e shënuan vitin që e lamë pas. “Portalb” kronologjikisht i radhit ndodhitë kyçe ekonomike.

Janar:
Revista me renome “Economist” bëri të ditur se Maqedonia është vend – lider për jetën mizore. Me shkallë të lartë të papunësisë dhe me inflacion rritës Maqedonia zuri vendin e parë në konkurrencë të 92 vendeve në botë. Qeveria me heshtje e priti këtë lajm, me deklaratë se ekzistojnë “matje dhe rangime të ndryshme”. Por nga ana tjetër me zë të lartë, po atë muaj, bëri të ditur se “Wall Street Journal” e rangon vendin në vendin e 43-të për nga liria ekonomike, apo si vend mesatarisht i lirë.

Shkurt:
Qeveria vazhdon me udhëtimet nëpër botë. Në fillim të vitit mes destinacioneve të para është Turqia prej ku dërgohet porosia: “Maqedonia të bëhet portë drejt Evropës për kompanitë turke”.

Në fillim të këtij muaji, drejtori i Drejtorisë për të Ardhura Publike deklaroi se për vitin 2011 tërësisht është paguar kthesa e TVSH-së ndaj ekonomisë. Odat ekonomike “me turp” e pritën deklaratën, me sqarimin se “nuk ka shumë ankesa nga ndërmarrjet lidhur me këtë çështje”.

Mars:
Fillon trysnia çmimore mbi standardin e qytetarëve. Pas rritjes së vazhdueshme të çmimeve të derivateve të naftës, druhet se një litër benzinë do të shitet për 100 denarë për litër.

Prill:
Mysafir i Maqedonisë është multimiliarderi Carlos Slim. Qëndron në IT konferencën në Ohër. Pasaniku më i madh në botë vjen me “një valixhe” plot premtime. Tetë muaj më pas, ende priten hapat e meksikanit.

Qeveria përgatitet për rebalanc të buxhetit, biznesi druan se do të jetë cak i shkurtimeve. “Ne pamë se buxheti është tejet ambicioz dhe se do të ketë shkurtime, por kishim ndjenjë se ka edhe prapavijë politike për arsyetimin e disa paragrafëve që për ne ende janë të padukshme. Nëse nuk bëhet me kujdes shkurtimi do të ketë efekte negative”, deklaroi Menderes Kuçi, njeriu i parë i Odës Veriperëndimore të Maqedonisë.

Biznes forumi i parë ndërkombëtar në Prishtinë. Në forumin me titull l“Kosova – vend i artë për investime” mori pjesë edhe një delegacion i Maqedonisë. Zëvendëskryeministrja kosovare Mimoza Kusari Lila me porosi “I heqim problemet administrative për import dhe eksport, ndërsa jemi duke punuar edhe në përmirësimin e infrastrukturës. Tregu kosovar më nuk do të jetë i dyshimtë për klientët, të cilët do jenë të kënaqur nga cilësia që ju ofrohet”.

Maqedonia shënon 20 vjetorin e mëvetësisë monetare. “Në këto dy dekada denari u bë valutë e çmuar dhe gjerësisht e pranuar e cila gjatë 15 viteve të këtyre dy dekadave është stabil”, deklaroi guvernatori Dimitar Bogov.

Maj:
Derisa Evropën dhe botën e dridhnin protesta masive të punëtorëve – sindikatat e Maqedonisë e presin “Ditën e Punës” – në zyre dhe në tribuna debatuese. Para Kuvendit, pjesëtarë të Konfederatës së sindikatave dolën në protestë të qetë dhe modeste. Sindikalisti i parë Zhivko Mitrevski jep deklaratën historike se më nuk mbështet protesta të brishta që nuk japin rezultate.

Qershor:
Maqedonia është nikoqir i miliarderit indian Subrata Roy. Vjen me plane të mëdha, largohet i mahnitur nga Nëna Terezë. “Në Maqedoni planifikojmë investime të mëdha, për grupacionin tonë nuk korrespondojnë gjëra të vogla. Jemi të interesuar para se gjithash për të investuar në prodhimin e ushqimit për eksport dhe në turizëm”, tha Subrata Roy, themelues dhe pronar i kompanisë “Sahara India Parivar”.

“Profesori universitar dhe ekonomist Abdulmenaf Bexheti bëhet pjesë e akademisë së shkencave, zgjidhet si akademik pranë Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë.

Korrik:
Deputeti Izet Zeqiri priti 5 minutat e tij: në seancën kuvendore kushtuar pyetjeve të deputetëve, Zeqiri parashtroi 50 pyetje. Përfaqësuesit e Qeverisë duhej me orë të tëra t’i përgjigjeshin deputetit Zeqiri. Katër orë në sallën kuvendore nuk dëgjohej pyetje tjetër, veç atyre të deputetit të RDK-së.

Nga 5.000 euro subvencione për zejtarët. Ministri i Ekonomisë Valon Saraçini bëri të ditur se Qeveria do të jep nga 300 mijë denarë për furnizim të pajisjes dhe veglave për zejtarët e Maqedonisë. Masa vlente deri në 1 nëntor, pritet përgjigje për shfrytëzimin.

Biznesmenët e Odës së Maqedonisë Veriperëndimore kërkojnë nga dyshja qeveritare Ahmeti – Gruevski që të sigurojë para për ndërtimin e dy rrugëve: autostradën drejt Tiranës, Shqipëri dhe autostradën drejt Prizrenit, Kosovë. “Infrastruktura e keqe ka ndikim jashtëzakonisht të keq në Maqedoninë Veriperëndimore, përveç rrugës Shkup – Tetovë-  Gostivar. Deri në Shqipëri në vend se të vozisim 190 kilometra, ne vozisim madje 370 kilometra”, tha Shefki Aliti nga Oda ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

Gusht:
Shok për qytetarët, ngrohjen në të ardhmen do ta paguajnë të gjithë, e përdor ose jo. Pasi që me muaj e mbante të fshehtë, përfundimisht në gusht Komisioni rregullator publikoi rregulloren e re për shfrytëzimin e energjisë termike. Kjo do të jetë njëra nga hapat që do të iniciojë protesta qytetare kundër shtrenjtimeve.

Edhe një shok për qytetarët. Komisioni rregullator dha edhe një goditje që do ta zbraz buxhetin familjar. Hiqet tarifa e lirë ditore për energjinë elektrike. Gushti – muaj i shtrenjtimeve – rryma me çmim më të lartë për thuajse 18 për qind ndërsa ngrohja për 15 për qind. Me heqjen e tarifës së lirë – një kilovat orë energji elektrike u shtrenjtua madje për 130 për qind.
Nisma civile “AMAN – mjaft është” fillon me protesta kundër shtrenjtimeve. Në protestat qytetare – kundër protesta, kundër privatizimit të EVN-së. Orvatje për të politizuar pakënaqësinë e çmimeve që e shkrijnë standardin. Organizatorët e “AMAN” nuk heqin dorë, paralajmërojnë betejë para Gjykatës Kushtetuese dhe në Kuvend.

RDK-ja e Rufi Osmanit propozon ndryshime dhe plotësime të Ligjit për akciza me të cilat kërkohet zvogëlimi i akcizave për disa derivate të caktuara të naftës me çka do të sigurohet zvogëlimi i çmimit deri në 6 denarë për një litër. “Zgjidhja e propozuar është masë antikrizë, ndërsa Qeveria nëse dëshiron t’u ndihmojë qytetarëve, do ta pranojë”, deklaroi Zeqiri. Tentimi, përfundoi vetëm në letër, si propozim.

Shtator:
Maqedonia hyri në recesion. Me rënie të BPV-së prej 0.9 për qind në kuartalin e dytë, ekonomia zyrtarisht është në zonën negative.

Oda ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore kërkon dhe ofron pako të re të masave antikrizë: kthimin urgjent të TVSH-së, kthimin e borxhit të shtetit për të gjitha  çështjet, lehtësimin e procedurave doganore dhe administrative.

Qeveria pranon, ka borxh ndaj ekonomisë, por refuzon të kumtojë se sa është ai. Bashkësia afariste me duartrokitje e pret lajmin që e kumtoi personalisht kryeministri Nikolla Gruevski. Ai u premtoi se deri në shkurt të vitit 2013, borxhet për kthimin e TVSH-së tërësisht do të paguhen.
Vendosen “Dëftesat e borxhit”. Qeveria i obligon ndërmarrjet që me kohë t’i paguajnë borxhet mes veti, por kjo nuk vlen edhe për shtetin. Në shtator hyn në fuqi instrument ii ri që duhet ta përmirësojë likuiditetin në ekonomi.

Porti shqiptar “Durrës” hap port në Maqedoni. Rruga më e afërt e Maqedonisë deri në Evropë shpie pikërisht përmes “Durrësit”, porositi drejtori i portit Edvard Nedrini.

Tetor:
Raporti i Bashkimit Evropian për progresin e Maqedonisë shënoi vërejtje të reja për problemet e vjetra: administrate, korrupsioni, papunësia dhe varfëria. Njëra nga rekomandimet kyçe ndërlidhej pikërisht në ritmin e huamarrje të pushtetit qendror. Ministrat Saraçini, Peshevski, Ristovski, Dimovski lexuan kinse ka progres në raportin, ekonomistët dhe biznesmenët kërkuan që të mos injorohen vlerësimet.

FMN me porosi deri të Qeveria “Kujdes me huamarrjet”. Përfaqësuesi i FMN-së për Maqedoninë, Aleksander Timen deklaroi “Në kushte kur shpenzimet rriten ndërsa tatimet janë në nivel të njëjtë, servisimi i borxhit publik në afat të mesëm, është i rrezikshëm”.

Edhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti në turne ekonomike. Në tetor personalisht ai pret shiritin e kuq gjatë lëshimit në përdorim të qendrës së re tregtare në komunën e Sarajit. Projekti vlen tre milionë euro ndërsa siguron punësimin e 50 personave. Muajin e njëjtë Ahmeti merr pjesë në ceremoninë e lëshimit në përdorim të rrugës që lidh Velesin me Jabollçishten e Poshtme dhe të Epërme.

Maqedonia – top reformator në botë. Në raportin e tetorit “Doing business” i Bankës Botërore, Maqedoninë e rangon në vendin e 23-të prej gjithsej 185 vendeve lidhur me reformat në pjesën më të madhe të sferave ekonomike.

Nëntor:
Qeveria shpall buxhetin e ri për vitin 2013. Planifikon të shpenzojë 2.7 miliardë euro, me vrimë të thellë në arkën shtetërore prej 2.5 për qind në 3.5 për qind të Bruto Prodhimit Vendor.
Zëvendëskryeministrja Teuta Arifi, për herë të dytë takohet me sheikun Hamid bin Kalifa Al – Tani. Paralajmërohet bashkëpunim në arsim dhe ekonomi. Arifi tashmë realizon disa takime në SHBA dhe Katar, të cilat sipas analistëve, nuk kanë asnjë pikë të përbashkët me pozitën dhe funksionin e saj.

Përgjegjësi penale për ata që i fshehin të dhënat për huamarrjet e përgjithshme të ekonomisë. Këtë e kërkoi ish-guvernatori dhe njëri nga ish-ministrat e Financave, Petar Goshev. Publikon një informatë marramendëse se borxhi i përgjithshëm publik i shtetit është 45 për qind e BPV-së. Pas këtyre shifrave qëndron edhe akademik Abdulmenaf Bexheti i cili pohon se opinionit i prezantohen informata selektive për huamarrjet.

Dhjetor:
Maqedonia nuk e kaloi testin për demokracinë, por miratoi buxhetin e ri për vitin 2013. Opinioni i ekspertëve pa më të voglin dyshim vlerësoi se “shkop-buxheti” është miratuar me procedurë jo-legjitime e me këtë edhe ai si ligj është jolegjitim. Bashkësia afariste para vitit të ri dëshiroi që Baba Dimri t’u sjellë buxhet të ri. E fituan, por a është ai shprehje e realitetit, së shpejti do të analizohet. Ajo që dihet është se me buxhetin e ri, të miratuar me “muskuj” Qeveria humbi edhe alibin e fundit për t’i arsyetuar mossukseset ekonomike në vitin 2013.

Mënyra se si u “miratua” buxheti i mobilizoi edhe intelektualët shqiptarë. U distancuan nga BDI-ja qeveritare por edhe nga PDHS-ja opozitare. “Kemi obligim moral dhe njerëzor, që ta dënojmë praninë e djeshme të deputetëve edhe të pozitës edhe të opozitës shqiptare në seancën parlamentare. Atë që ata e panë nuk ka asgjë të përbashkët as me buxhetin as me demokracinë”, deklaroi Edmond Ademi.

Me çfarë pritje dhe pozita ekonomike fillon viti 2013? Ajo që është e qartë është se Qeveria projektoi optimizëm, rritje të ekonomisë, të investimeve publike dhe të huaja. Inflacioni, sipas parametrave duhet të jetë mesatar me shkallë prej 3.5 për qind. Edhe në vitin e ri – Maqedonia mbetet para portave të BE-së dhe NATO-s – me pritje për një shans të ri për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Aneta Dodevska, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button