Kuvendi i Kosovës nuk arriti ta miratojë në parim Projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK-së

Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk ka arritur të marrë shumicën e votave për miratim sot në Kuvendin e Kosovës ndërsa është shtyrë për ndonjë ditë tjetër që të votohet përsëri, raporton Anadolu Agency (AA).

Votimi në parim i këtij projektligji ka qenë pika e parë e rendit të ditës në seancën plenare ndërsa në votimin e tij kanë marrë pjesë vetëm 36 deputetë edhe pse në sallë ishin të pranishëm 68 deputetë.

Rezultatin pas votimit e ka bërë të ditur kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila para disa ditësh ka kritikuar mënyrën e ndërtimit të këtij projekt-ligji.

“Në total morën pjesë 36 deputetë, 35 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim”, tha Osmani.

Në votim të këtij projektligji nuk morën pjesë deputetët opozitarë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) si dhe shumica e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) edhe pse ishin të pranishëm në seancë.

Por, atë e votuan deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të cilët e iniciuan këtë ligj, deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si dhe Nismës Socialdemokrate, që të tria parti të “krahut të luftës”.

Projektligji ka hasur në kritika të mëdha të faktorit ndërkombëtar, meqë sipas tyre ai “e kufizon lirinë e shprehjes”. Projektligji i propozuar nga PDK-ja parasheh përcaktimin e obligimit institucional dhe qytetar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.

Vlerë e luftës, sipas këtij projektligji, është lufta e armatosur e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK, vetë UÇK-ja si formacion ushtarak i armatosur, veterani i UÇK-së, flamuri, betimi i ushtarit, stema, Shtabi i Përgjithshëm, Drejtoria Politike, Shtabet e zonave operative, arkiva si dhe Kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe komplekset tjera.

Implikimet buxhetore të këtij projektligji nëse miratohet do të jenë mbi 2 milionë euro, pa llogaritur investimet në ndërtimin e Muzeut të Luftës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button