Nëntëmbëdhjetë vite më pas

Sot shënohet nëntëmbëdhjetë vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit e cila i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001. Është kjo një marrëveshje historike, posaçërisht e rëndësishme për këtë shtet. Shpesh debatohet për atë se sa kjo marrëveshje realisht është jetësuar dhe cilat kanë qenë sfidat me të cilat është përballur. Shpesh ka edhe kritika të tilla që shkojnë deri në nihilizëm dhe thonë që asgjë nga kjo marrëveshje nuk është zbatuar, por në fakt nuk është ashtu. Kritika gjithmonë duhet pasur sepse në asnjë vend të botës, e posaçërisht në Ballkan, marrëveshje të tilla si ajo e Ohrit nuk zbatohen lehtë. Por megjithatë, kjo marrëveshje e ndryshoi esencialisht mënyrën se si duket dhe si funksionon ky shtet.

Deri para 19 vitesh etnitetet jo-maqedonase në këtë shtet mbivotoheshin në kuvend, në po atë kuvend i cili gjatë tri viteve të fundit u kryesua nga një shqiptar. Nëse dikush mendon se para 19 vitesh një gjë e tillë do të ishte normale dhe aspak problematike, atëherë ai realisht nuk ka jetuar në këtë shtet gjatë viteve që i paraprinë Marrëveshjes së Ohrit.

Deri para 19 vitesh etnitetet jo-maqedonase gati se aspak nuk ishin të përfaqësuara në institucionet shtetërore. Për forcat e rendit dhe institucionet e inteligjencës as që bëhej fjalë. Në çdo institucion lokal ku duhej të drejtohesh vështirë se gjeje dikë të cilit mund t’ia shprehje kërkesën në gjuhën tënde. Tani shkon në institucionet lokale të policisë dhe shërbimeve tjera administrative dhe nuk ballafaqohesh më me problemet e viteve të nëntëdhjeta. Tani shkon në ministritë qendrore dhe ngado që kthehesh sheh zyrtarë shqiptarë dhe të komuniteteve tjera të cilët nëse mendon se ke mundur t’i shohësh në këtë numër para Marrëveshjes së Ohrit atëherë vërtet nuk ke jetuar në këtë shtet gjatë viteve që i paraprinë konfliktit.

Tani temat që lidhen me gjuhën, me flamurin dhe me identitetin kombëtar janë tema të tejkaluara, që vetë ne shqiptarët shpesh themi se nuk kemi nevojë më tu referohemi në bazë ditore si dikur. Por megjithatë të thuash se asgjë nga Marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar është vërtet pa kuptim, kur seancat e kuvendit e të institucioneve tjera qendrore e lokale mbahen në shqip, kur para komunave valëvitet flamuri për të cilin në të kaluarën janë burgosur e janë keqtrajtuar kryetarë komunash e qytetarë të thjeshtë, kur ka tri universitete që përkrahen nga shteti e që funksionojnë në gjuhë shqipe dhe kur në shumë institucione relevante votimi me shumicën Badenter është i domosdoshëm.

Tani po që mund të flasim dhe të debatojmë jo vetëm edhe 19 vjet të tjera por edhe në shekujt në vazhdim për atë se sa kualitative është administrata shtetërore në tërësi dhe jo vetëm kuadrot shqiptare aty. Mund të debatojmë pa fund për krizat që i përjeton identiteti jonë me vetë dëshirën tonë dhe jo më si rezultat i politikave asimiluese të pushtetit. Mund të debatojmë për kualitetin e jetës sonë, ambientit në të cilin jetojmë, shkollave tona, spitaleve tona dhe të kritikojmë gjithë ditën autoritetet të cilat udhëheqin me këto institucione. Mund të funksionojmë si qytetarë në një shtet me shumë probleme dhe të përpiqemi sa më shumë dita ditës ti tejkalojmë ato probleme. Mund të protestojmë së bashku me të gjithë qytetarët tjerë të këtij vendi për gjëra që na tangojnë të gjithëve njësoj, si për shembull tarifat e larta të rrymës elektrike, problemet ekologjike, liria e shprehjes e shumë gjëra tjera. Por për ti bërë të gjitha këto duhet fillimisht të jemi qytetarë me dinjitet, qytetarë zëri i të cilëve dëgjohet dhe është vendimtar, qytetarë të cilët nuk mbivotohen dhe nuk anashkalohen sikur nuk ekzistojnë, qytetarë të cilët refuzojnë të konsiderohen qiraxhinj në këtë shtet por pjesëtarë të mirëfilltë të kësaj shoqërie.

Marrëveshja e Ohrit e ka bërë këtë shtet një shtet më të mirë për të jetuar. Asnjë marrëveshje nuk mund të krijojë një shtet perfekt, por mund ta përmirësojë dukshëm atë. Asnjë marrëveshje nuk i zgjidh në tërësi të gjitha problemet e atij shteti, por mund të ngrisë vetëdijen dhe të krijojë kushte që ato probleme të zgjidhen një nga një në të ardhmen. Ka qytetarë të këtij shteti të cilët edhe sot flasin me urrejtje për Marrëveshjen e Ohrit dhe e përshkruajnë atë si disfatë që etniteti maqedonas e ka përjetuar. Ka madje edhe subjekte politike si partia e majtë e cila në programin parazgjedhor ka shënuar se do të angazhohet për anulimin e kësaj marrëveshje. Por çdo qytetar i vetëdijshëm e di që Marrëveshja e Ohrit ka ndikuar pozitivisht në këtë shtet dhe e ka bërë atë më të mirë se që ishte më parë.

Kjo marrëveshje është njëri ndër shembujt më specifikë që tregon më së miri se të drejtat e njeriut nuk janë tortë nga e cila po mori dikush më shumë për tjetrin mbetet më pak. Të drejtat e njeriut janë si ajri i cili nuk pakësohet po thithi dikush më shumë se sa që ka thithur deri tani. E mbi të gjitha, kur kualiteti i të drejtave të njeriut rritet është njësoj si kur rritet kualiteti i ajrit. Të gjithë thithin ajër më të mirë dhe jetojnë më shëndetshëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button