Macron paralajmëroi Iranin

Presidenti francez, Emmanuel Macron, të mërkurën paralajmëroi Iranin kundër çdo ndërhyrje në Liban, pas shpërthimit në një port javën e kaluar, që ka shkaktuar një krizë politike në vend, transmeton REL.

Gjatë një bisede telefonike me presidentin iranian, Hassan Rouhani, Macron theksoi “domosdoshmërinë për të shmangur çdo ndërhyrje nga jashtë dhe për të mbështetur vendosjen e një qeverie e cila mund të menaxhojë emergjencën”, njoftoi zyra e Macronit, raporton Reuters.

Qeveria e Libanit dha dorëheqjen këtë javë pas demonstratave që shpërthyen duke kërkuar llogari për shpërthimin në portin e Bejrutit, nga i cili mbetën të shkatërruara lagje të tëra të qytetit.

Irani ka një ndikim të madh në Liban, përmes grupit shiit Hezbollah, i cili ishte i përfaqësuar fuqishëm në qeverinë në largim, dhe ka një aleancë me fraksionin e presidentit libanez, Michel Aoun.

Shpërthimi më 4 gusht, i cili la 171 njerëz të vdekur, sipas autoriteteve ndodhi në një depo të kimikateve, të cilat ishin ruajtur pa masa të sigurisë.

Macron, i cili ishte udhëheqësi i parë botëror që vizitoi Bejrutin pas shpërthimit, ka marrë rolin kryesor në koordinimin e reagimit ndërkombëtar dhe në fundjavë kryesoi një konferencë të ndihmës humanitare, e cila arriti të sigurojë më shumë se 250 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button