Dhoma e horrorit! (Foto)

Shkruan: Kujtim Ramadani

Rrugë të errëta e plot gropa, të frekuentuara nga mori qensh a edhe “shtazësh” tjera që janë zhytur në grumbujt e pafund të mbeturinave që të zënë frymën nga cilado anë e rrugës të shpijnë në një të ashtuquajtur spital ku ti ke shpresën e fundit se mos ndoshta gjen zgjidhje për sikletin që të kapluar. Porsa hyn në korridorin e njërit prej reparteve të këtij spitali, një erë e ftohtë dimri të shpon kraharorin tej e përtej. Rroja i spitalit sikur është shndërruar në një fantazmë që sillet vërdallë nëpër korridor dhe ty fillon të të kaplojë një ndjenjë e çuditshme frike dhe tmerri. Për dore ke fëmijën që mezi po pret t’i ofrohet ndihma e mjekut që të mund t’i qetësohet shpirti e t’i pushojë zemra. Mbasi reparti për fëmijë ndodhet në katin e parafundit, respektivisht të fundit, të duhet të marrësh liftin që të shpie atje. Për çudi, njëri prej dy lifteve duket se është funksional dhe ti vendos të futesh në të, ndonëse me dyshim sepse ta merr mendja që mund të të lërë në mes të rrugës dhe të mbetesh aty edhe për shumë kohë. Sidoqoftë, duke menduar se fëmija nuk do të mund të ngjitet në këmbë deri atje lart, ti vendos të rrezikosh. Më në fund arrin në katin e destinuar, megjithëse rrugës ka bërë vaki që lifti të ndalet në katin në të cilin ti nuk i ke dhënë urdhër të ndalet. Nuk thonë kot, si koka – kësula. 

Mbasi qasja deri te mjeku kërkon procedura të jashtëzakonshme, si p.sh. t’i biesh ziles nja dhjetë herë, pastaj të vijë pastruesja e cila domosdo të marrë vesh shkakun e ardhjes tënde aty, që më pas ajo të alarmojë motrën dhe kjo më në fund të shkojë e të trazojë nga gjumi dimëror mjekun kujdestar, të mbetet shumë kohë të presësh në korridorin përjashta. Dhe derisa po pret që të hapet ndonjëra prej dyerve, çfarë s’të zë syri: një qenie “e paidentifikuar” aty pranë po thith cigaren me aq lezet sa ti mendon se është duke mas…….! Anësh ke një kosh me plehra që kushedi se kur është pastruar për herë të fundit. Po aty sheh materiale ndërtimore që kanë zënë tërë hapësirën dhe ti nuk ke vend për të lëvizur, ndërsa lëvizja është gjë e domosdoshme gjatë atyre momenteve sepse nxehje nuk ka askund dhe ka të ngjarë që edhe ti bashkë me fëmijën të përfundosh në spital. Pluhuri mbi ulëset në hapësirën e pritjes kap trashësinë e disa centimetrave. Duke u munduar të mbrohesh nga të gjitha këto rreziqe të papritura hapet dera dhe ti i lumtur pa masë futesh brenda duke shpresuar se më në fund do të gjesh atë për të cilën ke ardhur deri këtu, duke kaluar tërë ato peripeci tmerruese rrugës. Motra të kërkon udhëzimin nga mjeku amë dhe kartonin e gjelbër pa të cilët ti nuk guxon të marrësh ndihmën mjekësore. Fare nuk i bëhet vonë se ti mund të jesh në prag të kolapsit shëndetësor. Pasi e kalon me vështirësi edhe këtë pengesë i vjen radha mjekut të të kontrollojë dhe të të ofrojë ndihmën e duhur, ashtu si e kërkojnë rregullat e mirësjelljes dhe ato të ngërthyera në betimin e Hipokratit. Mirëpo, nuk del ashtu si e mendon ti. Përkundrazi, pasi ty të ka rastisur të vizitosh mjekun në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa ai ka prishur gjumin për ty, ti përsëri je fajtori që je sëmurë në pikë të natës. Qenka dashur të sëmuresh më herët ose të presësh deri nesër…Ashtu i përgjumur dhe gojëhapur bën gjoja se të kontrollon dhe të përshkruan ilaçet shabllon të cilat nuk varen nga diagnoza, respektivisht sëmundja jote, sepse ato janë të njëjta për këdo që vjen në atë kohë. Po pate fatin të kthehesh në shtëpi, shpëtove, përndryshe po u desh të shtrihesh në spital për të qëndruar qoftë edhe një natë të vetme, tmerri i vërtetë veç sa fillon për ty.

Në dhomën ku je dërguar për t’u shtrirë qëndrojnë disa shtretër që kur i sheh të vjen të vjellësh, jo më të shtrihesh në ta; të pistë pa fund, ngase fare nuk janë pastruar pasi pacienti paraprak ka lëshuar vendin. Në dhomë kundërmon një erë keqe që të bën të hapësh të gjitha dritaret ani se është pikë e dimrit dhe temperaturat janë nën zero. Më në fund vendos të shtrihesh se nata ka hyrë thellë dhe ty të vjen gjumi. Gjatë asaj kohe vjen ndihma mjekësore në ilaçe dhe motrat bëjnë punën e tyre rutinore. Ka të ngjarë që gjatë ofrimit të ndihmës mjekësore terapia jote të ngatërrohet me atë të pacientit tjetër, por kjo s’është tragjike ngaqë të gjithë marrin barnat e njëjta. Paramendoni!!!!

Fiken dritat dhe ti bëhesh gati të shtrihesh në shtratin tënd sa për të bërë një sy gjumë. Papritmas dikton që diçka po të ngacmon nëpër trup por nuk i vë veshin. Ngacmimi vazhdon dhe ti nuk ke zgjidhje tjetër përpos të ndezësh dritën dhe të shohësh se ku qëndron problemi. Dhe…çfarë të shohësh!!! Kulmi i horrorit po ndodh pikërisht në ato çaste…Një varg buburrecash janë bërë gati për sulmin e radhës. Kërcimi nga shtrati është më se i domosdoshëm ngase nuk ke alternativë tjetër. I trishtuar vendos të shkosh në tualet për të larë sytë se mos ndoshta je në ëndërr, kur ç’të shohësh… e njëjta situatë edhe aty, bile më keq. Pisllëku ka arrirë kulmin. Nuk ke nga të rrotullohesh dhe fillon të bërtasësh e të bësh si i çmendur. I kapluar nga ethet e frikës, gërdisë po edhe të ftohtit (ngaqë nxehja nuk punon), vendos ta kalosh natën i zgjuar dhe që herët në mëngjes të largohesh nga ky vend fantazmash e të shkosh në shtëpinë tënde për të vazhduar shërimin tënd me metodat e mjekësisë tradicionale shtëpiake. 

Ky është të nderuar realiteti i spitaleve tona në shekullin XXI.

Në vijim keni një mini foto-galeri të asaj që u përshkrua më lart.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button