A kalojnë fëmijët më shumë kohë me mediat gjatë pandemisë?

Me përdorimin e tepërt të mediave dhe përmbajtjes së papërshtatshme në internet, lista e rreziqeve me të cilat fëmijët mund të ballafaqohen është e gjatë.

Përgjigja e kësaj pyetjeje është e parashikueshme dhe shumë e thjeshtë. Po, koha që fëmijët si dhe të rriturit, kalojnë me mediat që nga fillimi i krizës me koronën, ose pandemia e shkaktuar nga virusi COVID-19, është rritur në mënyrë drastike. Fakti i thjeshtë që fëmijët kalonin disa orë në ditë me orë mësimi në internet ose mësime televizive në vend të shkollës klasike, tashmë konfirmon deklaratën e mësipërme. Shtojmë edhe faktin që për shkak të ndalesës për largim nga shtëpia, në vend që të luanin jashtë, fëmijët kalonin kohë shtesë pranë ekraneve, duke komunikuar me miqtë ose thjesht duke u argëtuar me karikaturat, seritë, lojërat video dhe rrjetet sociale.

Në krahasim me vitin 2019, koha mesatare e kaluar në mediat sociale në vitin 2020 u rrit me një rekord prej 100% në të gjitha platformat.

Koha me mediat më parë dhe tani

Edhe para situatës së zhvilluar në mars të këtij viti, ekspertët në çdo studim të ri theksonin se fëmijët, më shumë se kurrë më parë, janë pranë mediave dhe paralajmëruan nevojën për të kufizuar atë kohë.

Një studim i Fondacionit Kaiser Family i botuar në vitin 2010 tregoi se edhe atëherë fëmijët e moshës 8 deri në 18 vjeç kalonin mesatarisht 7 orë dhe 38 minuta në ditë duke konsumuar përmbajtje mediatike, megjithëse ky numër është në të vërtetë më i lartë nëse marrim parasysh që fëmijët shpesh përdorin më shumë media në të njëjtën kohë (p.sh. luajnë video lojëra duke dëgjuar muzikë në radio). Sot, adoleshentët i kushtojnë mediave deri në 9 orë në ditë. Prandaj, nuk është për t’u habitur që rreth 66% e prindërve mendojnë se fëmijët e tyre kalojnë shumë kohë para ekraneve, dhe 59% e tyre kanë ndjenjën se fëmijët e tyre janë të varur nga pajisjet e lëvizshme.

Kur flasim për fëmijë më të vegjël, në vitin 2017 në Kroaci, Poliklinika për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Rinisë së Qytetit të Zagrebit zhvilloi sondazhin e parë kombëtar për fëmijët parashkollorë para ekraneve të vogla. Rezultatet tregojnë se midis gati 700 parashkollorëve, nuk ka as një që nuk përdor të paktën një pajisje elektronike, dhe se parashkollorët kalojnë mesatarisht 2.4 orë gjatë ditëve të javës dhe 3 orë gjatë fundjavave para ekranit. Ekspertët theksojnë se fëmijët deri në 18 muaj duhet të kenë kontakte minimale, ose pothuajse aspak, me mediat, nga 18 deri në 24 muaj fëmijët duhet të shikojnë përmbajtje ekskluzive arsimore nën mbikëqyrje, dhe fëmijët nga 2 deri në 5 vjet me media duhet të kalojnë një maksimum 1 orë çdo ditë gjatë javës dhe gjatë fundjavave deri në 3 orë duke konsumuar përmbajtje mediatike. Në shumicën e rasteve, prindërit nuk i ndjekin këto rekomandime.

Aplikacioni Tik Tok kurrë nuk ka qenë më i përdorur

Edhe pse YouTube është ende aplikacioni me të cilin fëmijët kalojnë më shumë kohë, Tik Tok-u  i vjen shumë afër. Sipas hulumtimit të fundit, i cili gjithashtu përfshiu periudhën e krizës me koronën, fëmijët kalojnë mesatarisht 85 minuta në ditë në YouTube dhe 80 minuta në Tik Tok.

Average time spent per day on social media
Burimi: Të dhëna të theksuara për SH.B.A., MB, Spanjë, Qustudio, 2020

Tik Tok-u është një rrjet relativisht i ri shoqëror, i nisur me emrin Musical.ly, që në vitin 2018 u mor nga ndërmarrja kineze Byte Dance e cila e ndryshoi emrin e saj. Por të gjitha përmbajtjet dhe përdoruesit mbeten dhe transferohen automatikisht në platformën e re. Aplikacioni ka për qëllim krijimin, redaktimin, komentimin dhe ndarjen e videove të shkurtra (deri në 15 sekonda) për çdo temë. Ka fituar popullaritet për shkak të karakterit të saj argëtues dhe lehtësisë së përdorimit. Disa theksojnë se aplikacioni Tik Tok është aplikacion sikur i krijuar për karantinë, sepse përfshin regjistrimin e videove në ambiente të mbyllura – pothuajse të gjitha u morën në dhoma ose diku brenda shtëpive, ndërsa postimet në Instagram për postime nga udhëtime, shoqërime ose aktivitete të ndryshme në natyrë.

Pikërisht Tik Tok-u është përgjegjës për rritjen e shpejtë në përdorimin e rrjeteve sociale. Deri më tani, aplikacioni është shkarkuar më shumë se 2 miliardë herë, dhe vetëm në tremujorin e parë të vitit 2020, regjistroi 315 milion shkarkime – më shumë se çdo aplikacion tjetër në një tremujor të vetëm.

Numri më i madh i përdoruesve është në Indi, i ndjekur nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara, me 800 milion përdorues aktivë në muaj.

Edhe pse dy aplikacionet tjera Instagram-i dhe Snapchat-i regjistrojnë një rritje të madhe të shkarkimeve dhe përdoruesve, rrjeti kryesor social mbetet Facebook-u.

The world most used social media platforms
Burimi: Datareportal, 2020

Përdorimi i rrjeteve sociale ndalet vetëm kur fëmijët janë në gjumë. Para shpërthimit të krizës me COVID-19, të paktën gjatë orëve të mësimit, fëmijët ishin të përfshirë në ndërveprim ballë për ballë me njëri-tjetrin, dhe aktualisht ajo pjesë është transferuar edhe në botën virtuale. Rrjetet sociale nuk janë më një alternative e përfshirjes sociale por janë bërë një nga mënyrat themelore të veprimit shoqëror

Rreziqet në internet

Megjithëse rrjetet sociale dhe Interneti në përgjithësi kanë një numër përparësish, është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm edhe për kufizimet dhe sfidat që ata na paraqesin.

Pavarësisht nëse bëhet fjalë për ndjekje të TV programeve, luajtje të video lojërave,  komunikim përmes telefonave inteligjentë ose aktivitete në mediat sociale, mediat lehtë mund të bëhen mjet i varësisë. Kur flasim për Internetin, duhet të jemi të vetëdijshëm se paraqet një hapësirë ​​të gjerë virtuale në të cilën është e pamundur që ligjërisht të rregullohen të gjitha përmbajtjet. Fëmijët qasen në internet kryesisht përmes telefonave inteligjentë që janë të lehta dhe të lëvizshme, duke u bërë kështu një pjesë integrale e aktiviteteve në jetën e përditshme të tyre. Ata i përdorin telefonat gjatë ngrënies, para shtratit, menjëherë pas zgjimit dhe madje edhe gjatë kohës që kalojnë me familjen dhe miqtë.

Pikërisht sepse fëmijët mund t’i marrin me vete kudo që duan, ata mund të fshihen lehtësisht nga prindërit e tyre nëse duan të kalojnë fshehurazi kohën në shfletime në internet. Po kështu, fëmijët dhe të rinjtë zhvillojnë mënyra për të përdorur mediat, të cilat janë krejtësisht të ndryshme nga ato të përdorura nga prindërit e tyre. Ata nuk bëjnë më dallim midis botës reale dhe asaj virtuale.

Përveç varësisë, ekziston një problem i madh me përmbajtjen që fëmijët hasin në media.

Për shembull, tek Tik Tok-u, rrjeti social që fitoi më shumë popullaritet në mesin e fëmijëve, mund të shohim se në gjysmën e dytë të vitit 2019, u larguan më shumë se 49 milion video për shkak të përmbajtjes së tyre të papërshtatshme. Një e katërta e këtyre rasteve përfshinin lakuriqësi ose aktivitet seksual.

Pothuajse të gjitha rrjetet sociale u shoqëruan me disa skandale të lidhura me përdoruesit. Kështu që Tik Tok-u, i njohur në atë kohë si Musical.ly, e gjeti veten në gjykatë për mbledhjen e paligjshme të informacioneve për fëmijë nën moshën 13 vjeç dhe ra dakord të paguaj një gjobë prej 5.7 milionë dollarë për shkeljen e rregullave të COPPA.

Vitin e kaluar, në Facebook u postua  një video e drejtpërdrejtë e vrasjes masive të 49 personave në Zelandën e Re. Nga Facebook-u treguan se e kishin zbuluar postimin e videos në internet vetëm kur policia i njoftoi për të. Regjistrimi u hoq menjëherë, por ishte i pranishëm mjaftë gjatë që njerëzit ta shihnin, shkarkonin dhe të vazhdonin ta shpërndanin në rrjete tjera sociale. Këtu lind problemi i njohjes së përmbajtjes së dhunshme dhe të papërshtatshme të postuar në internet. Kontrollimi i përmbajtjes që vendoset në rrjetë bëhet nga inteligjenca artificiale, tek  e cila, siç shihet nga ky shembull, shumë lehtë kalon përmbajtja që nuk duhet të publikohet kurrë.

Gati se gjysma e prindërve theksojnë shqetësimin nga përmbajtjet që inkurajojnë fëmijët të vetë-dëmtohen gjatë përdorimit të mediave të reja. Një rast që konfirmon që shqetësimi i  prindërve nuk është i pabazë është vetëvrasja e vajzës së vogël Molly Russell. Prindërit e saj fajësojnë drejtpërdrejt Instagram-in për këtë rast tragjik për shkak të përmbajtjes ndaj cilës vajza e tyre kishte qasje përmes aplikacionit, dhe kjo lidhet me vizatime, video dhe fotografi që tregojnë metoda të vetëvrasjeve. Pas këtij incidenti, Instagram u zotua të bëjë çmos për të hequr të gjithë përmbajtjen e tillë dhe për të parandaluar që ajo të postohet në internet.

Me përdorimin e tepruar të mediave dhe përmbajtjes së papërshtatshme në internet, ekziston një listë e gjatë e rreziqeve me të cilat mund të përballen fëmijët. Nga përfaqësimi i rremë, pedofilia, dhuna ndaj bashkëmoshatarëve deri tek viruset, hakmarrja, vjedhja e identitetit, etj. Këto janë të gjitha problemet që nuk do të ikin me kalimin e kohës por vetëm mund të përshkallëzohen. Ne mund të instalojmë aplikacione të ndryshme për të monitoruar fëmijët, të vendosim rregulla, të vendosim ndëshkime dhe kufizime, dhe e gjithë kjo mund të ndihmojë, por vetëm arsimi, komunikimi në shkollë dhe familje, dhe inkurajimi i fëmijëve që të mendojnë në mënyrë kritike mund të parandalojnë sfidat me të cilat fëmijët e të sotmes (dhe të ardhmes).

Burimi: Respublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button