NËN SHENJËN E DIELLIT

(Krijimtaria e Murat Isakut sipas shtypit slloven)

Shtypi slloven, për sa i përket çështjes shqiptare, veçanërisht para dhe gjatë periudhës 1912 – 1913, ishte kopje e shtypit serb. Shqiptarët paraqiteshin si bashkësi fisesh, pa ndikim në kulturë e histori ose si të paaftë që ta organizonin dhe ta udhëhiqnin një shtet.

Pas vitit 1945 nisën të botoheshin shkrime për “kurset kundër analfabetizmit” në Kosovë e Maqedoni. Disa vite më vonë informohej për themelimin e institucioneve arsimore e kulturore ose për botimin e librave dhe revistave të para në gjuhën shqipe.

Gazeta në gjuhën sllovene, “Primorski dnevnik”, që botohej në Trieste, shkruante më 25 gusht 1949, se shqiptarët, si “pakica më e pazhvilluar në Jugosllavi”, kishin filluar të botonin libra dhe revista në gjuhën shqipe. E njëjta gazetë shkruante në vitin 1958 për “Flakën” dhe revistën “Gëzimi”, kurse më 1962 informonte për fillimin e botimit të revistës kulturore “Jehona”, në Shkup, me kryeredaktor Mustafa Pezën.

Në vitet ‘70 të shekullit të kaluar filluan të botoheshin shkrime ku vlerësohej letërsia shqipe e krijuar në hapësirën e Jugosllavisë së dikurshme.

Në shtypin slloven është shkruar edhe për krijimtarinë e Murat Isakut, në kontekst të zhvillimeve letrare në Jugosllavinë e dikurshme.

Revista prestigjioze “Tovarish”, ndër më cilësoret për kohën, e botoi shkrimin: “Nën shenjën e Diellit” (25 janar 1962, f. 52), ku flitet për simbolikën e Diellit në kulturën dhe letërsinë shqiptare. Revista i veçon poetët: Enver Gjergjekun dhe Murat Isakun, të cilët, siç thuhet, e trajtonin këtë simbolikë në poezitë e tyre, por me frymë moderne. Shkrimi ilustrohet me ballinat e librave të poetëve shqiptarë.

“Shqiptarët janë populli më i vjetër në Ballkan i cili, deri në ditët e sotme, e ka ruajtur simbolikën e Diellit. Këtë simbolikë e hasim në çdo hap të jetës së tyre. Shumë artistë i kthehen kësaj simbolike. E hasim edhe në ballinat e përmbledhjeve poetike të shqiptarëve, sikurse në ballinat e librave të dy poetëve më të mirë shqiptarë: Gjergjekut dhe Muratit, të cilët, para do kohe, në përmbledhjet e tyre, iu kthyen motivit të theksuar të diellit, por me frymë moderne”, thuhet në këtë shkrim.

Murat Isaku, në vitin 1965, e botoi edhe romanin: “Dielli e din rrugën e vet”.

Krijimtaria letrare e Murat Isakut është vlerësuar edhe prej autorëve tjerë sllovenë. Ata shkruajnë për specifikat e krijimtarisë letrare të shkrimtarit.

Tone Potokar, në shkrimin: “Letërsia shqipe te ne” (Delo, 4 maj 1969, f. 6), e vlerësonte Murat Isakun si njërin prej shkrimtarëve më të shquar të letërsisë shqipe që krijohej në hapësirën e Jugosllavisë së dikurshme dhe e informonte publikun slloven për dy romanet e tij. Sipas autorit, botimi i romaneve e kishte pasuruar letërsinë shqipe në zhanrin e prozës.

Jozhe Horvat, në një shkrim për antologjinë e poezisë shqipe në gjuhën sllovene (origjinal: “Sla po soncu”), e vlerësonte Murat Isakun si “poet temash të mëdha dhe të angazhuara”, që shkruante për jetën në kohë mobilizimesh dhe të një gare bërthamore që nuk i shihej fundi. (Delo, 21 shkurt 1980, f. 13).

Horvat, në këtë shkrim, i vlerësonte edhe poezitë e poetëve: Esad Mekuli, Fahredin Gunga, Muhamed Kërveshi, Enver Gjergjeku, Rexhep Hoxha, Besim Bokshi, Latif Berisha, Abdylazis Islami, Din Mehmeti, Adem Gajtani, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Ali Podrimja, Ibrahim Kadriu, Nexhat Halimi, Eqrem Basha, Bedri Hysa dhe Sabri Hamiti.

Murat Isaku vlerësohet si shkrimtar i dalluar edhe në shkrimin: “Ngjarjet në Kosovë”. Ky shkrim tematik u botua në shtojcën e së shtunës në gazetën “Delo” (11 prill 1981, f. 17 – 19). Shkrimi, i cili flet për zhvillimet politike, ekonomike, kulturore, arsimore në Kosovë, ishte përgatitur nga autorët: Vllado Shtamberger, Bojan Pleshec, Boris Jezh, Gregor Pucelj, Marjeta Novak dhe Stanka Godriç.

Në pjesën ku flitet për letërsinë shqipe në Jugosllavinë e dikurshme, thuhet se gjenerata e parë e shkrimtarëve shqiptarë, si: Sitki Imami, Hivzi Sulejmani, Mehmet Hoxha e disa të tjerë, ishin fokusuar te temat sociale, ndërkaq shkrimtarët e gjeneratës pasardhëse, si: Ramiz Kelmendi, Rexhai Surroi, Murat Isaku, Anton Pashku, Nazmi Rrahmani, Luan Dukagjini (pseudonim i Rexhep Qosjes), Daut Demaku, Fadil Kraja, Rifat Kukaj dhe Jusuf Buxhovi, e kishin pasuruar letërsinë shqipe me forma të reja rrëfimtare.

Në gazetat dhe revistat sllovene janë botuar shumë shkrime për zhvillimet kulturore dhe letrare në Kosovë e Maqedoni. Ka shkrime për shfaqje e filma, por edhe për krijimtarinë letrare të Esad Mekulit, Ismail Kadaresë, Ali Podrimjes apo Rexhep Qosjes, sidomos për romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”.

Shkrimet për artin dhe letërsinë shqipe janë botuar nëpër gazetat dhe revistat më të njohura sllovene.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button