Xhamitë si vlera universale në tokat evropiane

Në vitin 1990, në një TV kanal gjerman isha duke ndjekur një dokumentar, përkatësisht një reportazh, ku reporteri njoftonte për hapjen e një xhamie në Shqipëri, në përurimin e të cilit pos pjesëtarëve të komunitetit mysliman, merrnin pjesë edhe ata të komunitetit të krishterë. Më kujtohen komentet e gazetarit që i paraqiste gjatë raportimit, se Shqipëria që nga viti 1967 ishte bërë shtet i parë ateist në botë.
Kur diktatori Enver Hoxha, kushtimisht thënë, “dëboi Zotin”, ai ishte bërë vetë zot i shqiptarëve. Që nga viti 1967, shqiptarët atje u rritën “pa Zot”. Duke cituar frazën e Dostojevskit: “Kur dëbohet Zoti aty fillon kaosi dhe anarkia”, na del maksima se “aty ku “s’ka Zot”, çdo gjë është e lejuar! Më vonë, ky dokumentar i TV-së gjermane kaloi me storje nga Kosova, ku u paraqitën disa pleq në oborrin e xhamisë duke marrë abdes, pastaj tregoi edhe një manastir ortodoks serb.

* * *

Në Jugosllavinë e Titos, religjioni ka qenë më liberal, për dallim nga shtetet e tjera të kampit socialist. Në rrëfimin e tij, gazetari njoftonte se shqiptarët në Kosovë nuk i shënojnë festat shtetërore, por duke u fascinuar nga konstatimi i tij se edhe festat shtetërore pak po respektohen. Duke pyetur në formë ankete disa qytetarë të rastit, për atë se pse nuk festohen sa duhet festat fetare, si një kulturë qytetërimi, pasi që të gjithë popujt e tjerë i festojnë këto ceremoni dhe rituale, disa nga të anketuarit kishin thënë se kanë njohuri që paraardhësit e tyre kanë qenë të krishterë, ndërsa kishat dhe tempujt e tyre jo vetëm që i kanë uzurpuar, por edhe i kanë shkatërruar serbët.
Ata deklaronin: “Me ardhjen e osmanëve, pjesa më e madhe e shqiptarëve ishin islamizuar me mjete e qëllime të ndryshme, madje edhe me dhunë, ndërsa xhamitë, teqetë, hamamet i ndërtuan pushtuesit osmanë dhe se islami për shqiptarët ka qenë një aksident historik”.

PARADIGMA E MAKSIMËS “BËHU AI QË JE”   

Sa për ilustrim: po të udhëtoni në shtetet Perëndimore, me aeroplan apo me tren, në takime e njoftime me njerëz të rastit, ata së pari do t’ju pyesin se “nga cili vend jeni?”, pastaj do të pyesin për përkatësinë nacionale dhe fetare. Para formimit të kombeve, në Evropë e gjetiu, si identitet ka qenë gjuha dhe feja. Në Perëndim, edhe pse janë një shoqëri post-moderne dhe post-sekulare, religjioni ka mbetur akoma si një pjesë integrale e identitetit, si kulturë dhe qytetërim. Një numër i opinionistëve shqiptarë, sidomos disa pseudo-gazetarë, mediokër e islamofobë, preferonin revoltuesit dhe protestuesit e javës së fundit që dolën kundër ndërtimit të xhamisë në Prishtinë, mirëpo që po të shkonin në Perëndim këta diletantë e të pyesnin dikë se çfarë përkatësie fetare ka, ata do të kishin një siklet, turp e neveri, shpesh do të përgjigjeshin se paraardhësit e tyre kanë qenë të krishterë. Për perëndimorët do të ishte tragjikomike, banale, arratisja nga vetvetja, fyerja e unit e të personalitetit të tyre, të pasardhësve të tyre, të prindërve e të gjyshërve, fisit e të kombit. Në këtë aspekt, filozofi gjerman, Niçe, ka një maksimë lidhur me këtë: “Bëju ai që je!”

Është për t’u habitur fakti se brezi i dytë i shqiptarëve që kanë shkuar në Perëndim që në fëmijëri, por edhe ai që ka lindur e rritur atje, të cilët posedojnë dy kultura, dhe po i pyete ata për identitetin fetar, si individë, pa kurrfarë kompleksesh e paragjykimesh, pavarësisht se kishin lindur e rritur në një mjedis më liberal e sekular, do të thoshin pa hamendje se i takojnë komunitetit shqiptar mysliman.

Paragjykimet, fobitë, kompleksi i inferioritetit tek shqiptarët në ish-Jugosllavi arriti në periudhën e viteve 1970-1980 nga indoktrinimi dhe propaganda e Tiranës. Shumë profanë, ateistë, dogmatikë të vrazhdë bënin propagandë e fyerje, duke thënë se edhe gjysma e kombit të mbetur duhet të veprojë sipas shtetit amë dhe prijësit Enver Hoxha, duke dhënë frazën e njohur se: “Religjionet janë duke dhënë shpirt!” Parashikonin që në fund të shekullit, gjithë kombi të jetë në një shtet shqiptar ateist.

* * *

Në ish-Jugosllavi kishte dalë në skenë klasa hegjemoniste e Lidhjes së Komunistëve, e cila qeveriste në gjithë hierarkinë pushtetare politike, ekonomike, ushtarake, kulturore e arsimore, me pikëpamje sekulare e ateiste, ndërsa klasa e ulët punëtore e ajo tradicionale i takonin pjesës anti-komuniste. Ata konsideroheshin si qytetarë të prapambetur, dekadentë, konservatorë dhe arkaikë.

PËRPLASJA MES SEKULARISTËVE DHE TRADICIONALISTËVE

Pas shembjes së komunizmit dhe rrënimit të Murit të Berlinit, në ish-republikat sovjetike dhe në Ballkan filloi rilindja fetare dhe pluralizmi fetar, ku u përfshinë edhe trojet shqiptare. Me ardhjen e organizatave humanitare në trojet shqiptare, filloi edhe depërtimi i disa sekteve dhe fraksioneve nga vendet e Lindjes së Mesme. Me nisjen e përhapjes së disa sekteve, mejtepeve, si vehabizmi, selafizmi, që ishin sekte konservatore, beduine dhe puritane, vinin në përplasje e në divergjenca me islamin tradicional shqiptar. Këto sekte e zbehën Islamin tradicional shekullor të shqiptarëve në Ballkan.

Pas viteve 1990, shoqëria shqiptare u nda në dy taborë apo pole. Në njërin, komuniteti sekular, si trashëgues i shoqërisë post-komuniste, me të ashtuquajturën shoqëri sekulare, moderniste, liberale e proevropiane dhe, në tjetrin, shoqëritë tradicionale, fetare e konservatore. Kjo shoqëri, sipas sekularistëve hibridë, modernistë dhe ekstravagantë, konsiderohej si e prapambetur, dekadente e konservatore, madje lindore dhe orientale.

Në botën perëndimore janë po ashtu komunitetet sekulare dhe ato tradicionale. Por, këto dy komunitete respektojnë divergjencat dhe jetojnë në paqe, tolerancë e harmoni. Tabori ose komuniteti i ashtuquajtur sekular, modernist, liberal e proevropian, janë në përplasje me taborin ose komunitetin tradicional, konservator fetar. Thonë se ata kanë paragjykime, intolerancë, duke i konsideruar si shoqëri orientale, të prapambetur, konservatore e radikale, pjesa më radikale dhe ekstreme, organizata, grupe, individë, klerikë konservatorë e teknokratë. Po ashtu, këta vijnë me përplasje, hasmëri, duke i sulmuar sekularistët. Këto grupe ose individë e kanë polarizuar dhe instrumentalizuar Islamin, si fe e paqes dhe tolerancës, etikës e moralit dhe vlerave universale, shndërruan në islam ideologjik e politik. Nga këto grupe, shumë myslimanë me praktikim të devotshëm ranë pre dhe viktimë e propagandës, indoktrinimit të tyre nga grupet ekstreme radikale të një pjese të imamëve e klerikëve dogmatikë, anakronikë, konservatorë dhe arkaikë.

KULTET FETARE JANË VLERA MULTIKULTURORE

Evropa kontinentale dhe e krishterë, me afër 500 milionë banorë dhe me 5-7 për qind myslimanë autoktonë, shumica në Ballkan, nga komuniteti shqiptar, boshnjak e minoritete të tjera, e bëjnë Evropën dhe BE-në multi-kulturore dhe multi-fetare. Edhe evropianët autoktonë myslimanë nuk kanë rrugë tjetër alternative. E ardhmja e tyre është hyrja dhe integrimi në BE, në familjen e madhe evropiane.

Në fund, duke e mbyllur këtë pasazh, është e udhës që të bëhet me dije dhe të dërgohet një mesazh te protestuesit dhe revoltuesit që dolën në rrugë kundër ndërtimit të xhamisë në Prishtinë: në BE të gjitha katedralet, kishat, manastiret, sinagogat, xhamitë, teqetë dhe tempujt e tjerë të shenjtë janë vlera, thesar i çmuar, pasuri universale të qytetërimeve antike, romake, bizantine dhe islame. Kur barbarët dhe kriminelët në Bosnjë shembën deri në tokë urën e Mostarit, xhamitë, dyqanet, qytetin e vjetër oriental, ata shembën një kulturë dhe vlera universale. Ky veprim për gjithë Evropën ishte një kataklizëm, një goditje e madhe.

Pas përfundimit të luftës, BE-ja si donatore, ndau 25 milionë euro për investime riparuese, rikonstruuese dhe ndërtimore të objekteve arkitektonike orientale osmane. Edhe xhamia që do të ndërtohet në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, shekuj me radhë do të jetë një trashëgimi dhe pasuri me vlerë kulturore spirituale, jo vetëm e komunitetit shqiptar dhe entiteteve të tjera që jetojnë aty, por do të mbetet si tempujt e tjerë, një vlerë universale të mbarë kontinentit evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button