Ahmeti e publikoi agjendën për tryezën, por pavarësisht kërkesës së Selës e Gashit nuk e anuloi takimin e nesërm

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, sot e ka publikuar agjendën e Tryezës të caktuar për nesër (13 gusht), pas përgjigjes pozitive të marrë nga kryetarët e Aleancës për Shqiptarët dhe Alterantivës, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi, të cilët mes tjerash kërkuan që të njoftohen detajet e takimit, por dhe të prolongohet takimi prej të hënës. Ahmeti, duke njoftuar për agjendën, i ka ftuar sërish për takimin e nesërm, duke mos përjashtuar edhe takime të ardhshme, njofton Portalb.mk.

“Bashkimi Demokratik për Integrim falënderon të gjitha partitë parlamentare shqiptare për komunikimin korrekt, përgjigjën afirmative dhe sugjerimet miqësore për këtë takim shumë të rëndësishëm dhe të mirëpritur nga të gjithë shqiptarët. Rrjedhimisht, BDI ka propozuar rendin e ditës për takimin e 13 gushtit i cili mund të plotësohet dhe ndryshohet me propozime nga të gjithë pjesëmarrësit gjatë takimit të përbashkët. Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet në dispozicion dhe i hapur edhe për takime vijuese gjatë javës së ardhshme ose edhe në cilën do datë të ardhshme të dakorduar bashkërisht në takimin e nesërm, e enjte, më 13 gusht 2020, me fillim në ora 12:00, në hotelin Park në Shkup”, thonë nga BDI.

Nga Koalicioni “Tash është koha”, paraprakisht kërkuan datë tjetër për takim edhe atë duke nisur nga dita e hënë (17.08.2020) e tutje.

“I nderuari kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, Pas ftesës së pranuar nga ju për një takim të Tryezës së Partive Parlamentare Shqiptare, dëshirojmë t’ju përgjigjemi se koalicioni Aleanca për Shqiptarët & Alternativa parimisht është dakord për një takim të tillë. Ne mendojmë se mekanizmi politik i Tryezës është një instrument i rëndësishëm politik për koordinimin e qëndrimeve të partive parlamentare shqiptare dhe, si i tillë, mendojmë se duhet të vazhdojë të kultivohet për artikulimin e interesave shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Në funksion të një takimi përmbajtjesor dhe të frytshëm, do të ishte mirë që ftesa të ketë edhe një propozim për rend dite, në mënyrë që të kemi një ide më të qartë për arsyen e organizimit të takimit të Tryezës së Partive Parlamentare Shqiptare. Në këtë drejtim konsiderojeni mundësinë e një date tjetër duke nisur nga e hëna (17.08.2020) e tutje, sigurisht duke na njoftuar disa ditë më herët me rendin e ditës së takimit”, thanë Sela dhe Gashi.

Ahmeti, pas kësaj e publikoi rendin e ditës për takimin e nesërm, të cilin mund ta shihni më poshtë.

“Në përputhje me Deklaratën e Përbashkët të partive parlamentare shqiptare nga 7 janari i vitit 2017 dhe takimet vijuese të partive tona politike si dhe të zotimit tonë për dakordësi për përkrahje të ndërsjellë të agjendës së përbashkët politike që parashikon realizimin e objektivave që vijojnë, në mandatin e ardhshëm qeverisës dhe/ose në çdo mandat tjetër pasues, për takimin e ditës së enjte, më 13 gusht 2020, me fillim në ora 12:00, ju propozojmë agjendën vijuese:

  • Statusi i realizimit të përcaktimeve nga Deklarata e Përbashkët në mandatin e kaluar
  • Vlerësim i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 15 korrikut 2020
  • Krijimi i Këshillit ndërpartiak në përputhje me Deklaratën e Përbashkët dhe përcaktimi i afateve për realizimin e objektivave të përbashkëta
  • Të ndryshme

Agjenda mund të plotësohet dhe ndryshohet me propozim të pjesëmarrësve të Tryezës së Përbashkët.

Propozojmë formatin vijues për pjesëmarrje: Kryetar plus dy bashkëpunëtor”, thuhet në agjendën e BDI-së.

Në ndërkohë ende nuk ka njoftim nga PDSH-ja dhe Lëvizja BESA, ndonëse për këtë të fundit u spekulua në media se nuk do të marrë pjesë në takim.

Ahmeti dhe përfaqësuesit e tij partiak bëjnë bisedime me LSDM-në, tërësisht prapa syve të opinionit, për të formuar qeverinë e re. Njëkohësisht kryetari i BDI-së ka ftuar të gjithë partitë parlamentare shqiptare. Madje edhe Lëvizjen BESA, e cila është në koalicion me Zoran Zaevin, i cili këtë takim e vlerësoi si trysni ndaj tij për të pranuar kryeministrin shqiptar.

Nga ana tjetër, rrjedhin afatet për formimin e shumicës së re parlamentare dhe Qeverisë së re, për shkak të së cilës negociatat midis partive politike që fituan vende parlamentare po zhvillohen me një ritëm të përshpejtuar. Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik, përbërja e re parlamentare u konstituua më 4 gusht dhe filloi afati 10-ditor për formimin e shumicës parlamentare, pas së cilës Presidenti duhet të japë mandatin për të formuar Qeverinë. Mandatari, në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, dorëzon program në Kuvend dhe propozon formim të Qeverisë.

Në zgjedhjet e 15 korrikut, Koalicioni “Mundemi” ka fituar 46 deputetë,  VMRO-DPMNE 44, BDI 15, Aleanca për Shqiptarët & Alternativa  12, E majta 2 dhe PDSH 1.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button