fbpx

Mickoski i ka uruar fat Ahmetit me Zaevin, partitë shqiptare ende s’kanë përgjigje për ftesën e tryezës

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Micksoki, sot ka mbajtur konferencë për shtyp në të cilën në pyetje gazetareske u përgjigj se ka pasur takim të shkurtër me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, në të cilën ai ka marrë përgjigje se “integristët” do të bisedojnë për formimin e Qeverisë me LSDM-së, pasi që ata kanë marrë më shumë deputetë në zgjedhjet e 15 korrikut, njofton Portalb.mk.

“Javën e kaluar në Kuvend kam pasur takim njëorësh me Ali Ahmetin, në të cilin me informoi se do t’i fillojë bisedimet me LSDM-në pasi që ajo parti i ka fituar zgjedhjet në bllokuan maqedonas, edhe pse unë i thash se LSD nuk është fitues te blloku maqedonas dhe i dëshirova fat. Ne do të bëjmë koalicion me program dhe nuk do t’i ngarkojmë qytetarët me frustrimet tona. Po bëhen bisedime, bëhuni të durueshëm”, tha Mickoski.

Ai shtoi se Ahmetit i ka thënë se VMRO-DPMNE ka 40 deputetë të saj në Kuvend, ndërkaq LSDM 32 mandate të deputetëve të cilët janë anëtarë amë të partisë në pushtet.

“45 minutat e mbetura me të takimit, me Ahmetin kemi folur në tema të karakterit tjetër”, tha Mickoski.

Bisedimet në udhëkryq

Ahmeti dhe përfaqësuesit e tij partiak bëjnë bisedime me LSDM-në, tërësisht prapa syve të opinionit, për të formuar qeverinë e re. Njëkohësisht kryetari i BDI-së ka ftuar të gjithë partitë parlamentare shqiptare. Madje edhe Lëvizjen BESA, e cila është në koalicion me Zoran Zaevin, i cili këtë takim e vlerësoi si trysni ndaj tij për të pranuar kryeministrin shqiptar.

Dje Ahmeti dhe Zaev janë takuar, por nuk kanë arritur marrëveshje, por as që mori vesh opinioni se për çfarë kanë diskutuar dhe ku janë dallimet.

“Sa jemi afër, aq jemi larg nga formimi i Qeverisë”, tha Ahmeti pas mbarimit të takimit, duke shtuar se nuk dëshiron ta thotë i pari fjalën e fundit.

“Ne investojmë që çështjet të shkojnë në drejtim të mirë dhe jemi të gatshëm ta bëjmë atë për shtetin pasi që përfitime do të ketë stabiliteti dhe shteti, por edhe afrimi i komuniteteve. Shpresoj se të gjitha partitë do të kenë fuqi dhe vullnet që t’i tejkalojnë dallimet dhe pengesat”, tha Ahmeti.

“Besoj se nuk do të humbim shumë kohë në ndarjen e resorëve, përafërsisht e dimë se kush për ku është i përgatitur që të marrim përgjegjësi, por e gjithë ajo do të nënkuptojë dhe krahasim me kuadrot që do të diskutohet. Por, përfundimisht kemi shumë të punojmë në ditët e ardhshme. Shpresoj se ajo do të jetë një çast e më shpejtë”, tha dje Zaev pas takimit.

Të enjten nikoqiri Ahmeti i pret në tryezë të përbashkët liderët e partive shqiptare, të cilët ende nuk kanë vendosur se a do t’i përgjigjen ftesës apo jo.

Skender Rexhepi nga Alternativa, e cila është në koalicion me Aleancën për Shqiptarët, për Portalb.mk tha se çështjen e ftesës së Ahmetin e kanë diskutuar në parti dhe i kanë autorizuar kryetarët.

“E kemi diskutuar në parti çështjen e ftesës së Ahmetit dhe kemi marrë vendim që t’i autorizojmë vetë kryetarët e partive që ata të vendosin nëse do të marrin pjesë ose jo. Për atë vetë ata do ta njoftojnë opinionin”, thotë Rexhepi.

Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët tha se sonte do të njoftohet opinioni nëse lideri i tyre, Ziadin Sela do të marrë pjesë.

“Sonte do të njoftojmë nëse do të marrim pjesë në atë takim”, tha shkurt për Portalb.mk Taravari.

Portalb.mk, tentoi të bie në kontakt edhe me sekretarin gjeneral të Lëvizjes BESA, e cila është në koalicion me LSDM-në, por ai nuk iu përgjigj thirrjeve tona telefonike. Edhe nga PDSH paralajmëruan se do të njoftojnë, por edhe ata nuk kanë dhënë përgjigje.

Nëpër media vazhdon të qarkullojë ideja e kryeministrit shqiptar të propozuar nga BDI, e cila nuk është e pranueshme për LSDM-në.

Ndryshe, rrjedhin afatet për formimin e shumicës së re parlamentare dhe Qeverisë së re, për shkak të së cilës negociatat midis partive politike që fituan vende parlamentare po zhvillohen me një ritëm të përshpejtuar. Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik, përbërja e re parlamentare u konstituua më 4 gusht dhe filloi afati 10-ditor për formimin e shumicës parlamentare, pas së cilës Presidenti duhet të japë mandatin për të formuar Qeverinë. Mandatari, në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, dorëzon program në Kuvend dhe propozon formim të Qeverisë.

Në zgjedhjet e 15 korrikut, Koalicioni “Mundemi” ka fituar 46 deputetë,  VMRO-DPMNE 44, BDI 15, Aleanca për Shqiptarët & Alternativa  12, E majta 2 dhe PDSH 1.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close