Viti 2012, një vit për t’u harruar sa më shpejtë

Një vit për t’u harruar sa më shpejtë. Kështu ekspertët komentojnë vitin që po lëmë pas. Recesioni ekonomik, mosmarrja e datës për hapjen e bisedimeve me BE-në, incidentet ndëretnike, si dhe kriza politike në fundvit, ishin theksi kryesor për këtë vit. Analisti Mersel Bilalli shprehet se në vitin që po kalon, qytetarët më shumë se kurrë kanë qenë të lënë anash, si nga pushteti, si nga opozita.

“Ishte edhe një vit i humbur në manipulimet e politikanëve të cilët në vazhdimësi vazhdojnë t’ua vështirësojnë jetën njerëzve, duke i ushqyer me lugë të zbrazur. Për fat të keq ,vazhdojmë me teposhzën. Tani pas një viti jemi akoma më të varfër, akoma më të dëshpëruar, akoma më të dezorientuar. Rinia ik nga këtu duke menduar se cdo kund do ta ketë më mirë se në vendlindjen e tij, ndërkohë që liderët lavdohen me simbole ikonografike duke mbajtur me mjete joreale rejtingun. Edhe në këtë vit qytetarit të zakonshëm nuk i është në ndihmë pjesa e pushtetit aq më pak e opozitës. Shpresoj se vitin 2013 popullata do të kërkon dicka të re” – tha Mersel Bilalli.

Sipas Xhelal Nezirit, ekspert politik, viti 2012 ka qenë vit i dështimeve. I përmbushur me dështime dhe me shumë pak përparime.

“Viti 2012, si asnjë vit më parë, është i karakterizuar vetëm me dështime. Vendi gjatë tërë vitit është në recesion ekonomik, me ulje të vazhdueshme të prodhimit industrial dhe të eksportit. I përmbushur me incidente ndëretnike që kane luhatur kohezionin dhe besimin midis dy etniteteve më të mëdha në Maqedoni. I përshkuar me kriza politike dhe institucionale që kulminuan në këtë fundvit, me dhunën e ushtruar në Parlament. Me dështime të mëdha në procesin e integrimit të vendit në NATO dhe BE. Dhashtë Zoti të mos përsëritet një vit si ky” – deklaroi Xhelal Neziri.

Edhe analisti tjetër, Ibrahim Mehmeti, thekson se po lëmë pas një vit negativ, pothuajse në të gjitha segmentet kyçe. 

“Ky vit shkoi me luhatje të konsiderueshme në skenën politike. Kishte një vështirësi në marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionet, që shkaktoi një krizë politike e cila reflektohej edhe më gjërë. Por e pamë se si shumë shpejt të dy partitë në pushtet e tejkaluan krizën. Përvec asaj, mendoj se dështuam në eurointegrimet, dështuam në ndërtimin e marrëdhënieve ndëretnike, dështuam në ekonomi, ku vendi kishte recesion e kështu me radhë. Ishte një vit jo edhe aq pozitiv për qytetarët e Republikës së Maqedonisë” – tha për Portalb Ibrahim Mehmeti.

Dalëngadalë po hymë në vitin 2013, vit në të cilën Maqedoninë e presin shumë sfida. Përveç zgjedhjeve lokale të marsit, nuk përjashtohen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Një test i vërtetë për demokracinë e Maqedonisë, duke marrë parasysh krizën politike në të cilën ka hyrë shteti. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button