Festat e fundvitit, vazhdon fluksi i madh i emigantëve që kthehen në Shqipëri

Festat e fundvitit kanë rikthyer fluksin e hyrje-daljeve në pikat kufitare të Shqipërisë. Sipas të dhënave, në 24 orët e fundit, nga pika e kalimit kufitar në Kakavijë, kanë hyrë 5739 persona dhe 1397 mjete dhe kanë dalë 3297 persona dhe 742 mjete, duke shënuar një rritje të ndjeshme të lëvizjes në të dy krahët. 

Nga ana e palës shqiptare është punuar me 5 sportele në hyrje dhe 4 të tjera në dalje, ndërsa nga pala greke kanë qenë vetëm 3 të tilla si në hyrje ashtu edhe në dalje. Sipas autoriteteve doganore, pavarësisht fluksit të lartë nuk janë shënuar radhë dhe lëvizja vijon pa probleme. 

Ndërkaq, mësohet se nga pika kufitare e Kapshticës, në Korçë, kanë hyrë në vendin tonë 4277 persona dhe 981 mjete dhe kanë dalë 1854 persona dhe 838 mjete. Ndërsa nga Qafa e Thanës, gjatë 24 orëve kanë hyrë 719 shqiptarë me 235 automjete. 

Kriza ekonomike në Greqi ka ulur ndjeshëm numrin e emigrantëve që kthehen për të festuar Vitin e Ri me familjet e tyre. Ndryshe nga një vit më parë, në pikën kufitare të Kapshticës, numri i emigrantëve që kthehen në atdhe ka ardhur në rënie. Sakaq, emigrantët kanë preferuar të udhëtojnë me autobusë për shkak të taksave të larta të aplikuara së fundmi për mjetet në Greqi. Nga ana tjetër, edhe autoritetet e policisë kufitare në Kapshticë thonë se këtë vit kanë hyrë rreth 7300 emigrantë, nga 13 mijë që ka qenë numri për vitin e kaluar./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button