“Nacionalizmi” i vaksinave: Pse vetëm bashkëpunimi ndërkombëtar, do t’i japë fund pandemisë

Korona virus, Photo: Pexels

Marrë me shkurtime nga “Foreign Affairs” – përkthyer nga Bota.al.

Zyrtarët e administratës Trump, e kanë krahasuar grumbullimin global të vaksinave ndaj koronavirusit që shkakton Covid-19, me maskat ​e ​oksigjenit që bien mbi kokat e pasagjerëve brenda një avioni që është duke u rrëzuar.

“Ju e vendosni i pari maskën, dhe pastaj dëshironi të ndihmoni edhe të tjerët sa më shpejt të jetë e mundur”- tha në qershor Peter Marks, një zyrtar i lartë në Administratën e Ushqimit dhe Barnave në SHBA, që mbikëqyri fazat fillestare të zhvillimit të vaksinave për llogari të qeverisë amerikane.

Natyrisht, ndryshimi i madh është se maskat e oksigjenit në avion, nuk bien vetëm mbi kokat e pasagjerëve në klasin e parë, që është ekuivalenti i asaj që do të ndodhë kur vaksinat të jenë të disponueshme, nëse qeveritë vonojnë sigurimin e tyre edhe për njerëzit në vendet e tjera.

Deri në fillim të muajit korrik, ishin duke u zhvilluar 160 vaksina kandidate kundër koronavirusit të ri, me 21 prej tyre që janë tashmë në fazën e provave klinike. Edhe pse do të kalojnë të paktën disa muaj, përpara se një ose më shumë prej atyre vaksinave të jenë vërtetuar si të sigurta dhe efektive, vendet që i prodhojnë vaksinat (dhe vendet e pasura që nuk po merren me këtë punë), kanë nisur tashmë të rivalizojnë mbi to.

Dhe gjykuar nga mënyra se si kanë vepruar qeveritë gjatë pandemisë aktuale por dhe atyre të shkuara, ka shumë gjasa që një sjellje e tillë të vazhdojë. Për momentin, mungon një angazhim ndërkombëtar për t’i shpërndarë vaksinat në mënyrë globale, në mënyrë të barabartë dhe racionale.

Përkundrazi, udhëheqësit po i japin përparësi vetëm popujve të tyre, në vend të ngadalësimit të përhapjes së Covid-19 diku tjetër, apo ndihmës ndaj autoriteteve shëndetësore dhe popullatave shumë të ndjeshme në vende të tjera. Por çdo lloj “nacionalizmi i vaksinës”, apo qasje “vendi im i pari” ndaj vaksinës, do të ketë pasoja të rënda negative.

Pa një koordinim global, vendet mund të konkurrojnë kundër njëra-tjetrës, duke rritur çmimin e vaksinave dhe materialeve përkatëse. Furnizimi me vaksina, të testuara për efektivitetin e tyre, do të jetë fillimisht i kufizuar vetëm në disa vende të pasura.

Ndërkohë, ato që do të vuajnë më tepër, do të jenë vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Vende të tilla do të detyrohen të shohin teksa homologët e tyre më të pasur reduktojnë sasinë e vaksinave në dispozicion, dhe do t’u duhet të presin me muaj (në mos edhe vite) për pasjen e tyre.

Ilustrim, Photo: Pexels

Ndërkohë, punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe miliarda njerëz të moshuar, dhe njerëz të tjerë të rrezikuar në vendet e varfra, do të mbeten të pambrojtur. Kjo gjë do ta zgjasë në kohë pandeminë, do të rrisë numrin e vdekjeve, dhe do të shkatërrojnë sistemet dhe ekonomitë tashmë të brishta të kujdesit shëndetësor.

Në përpjekjen e tyre të dëshpëruar për të pasur vaksinën, vendet pa qasje në stokun fillestar të vaksinave do të përdorin çdo mjet presioni, përfshirë bllokimin e eksporteve të përbërësve jetikë të vaksinave, gjë që do të çojë në prishjen e zinxhirëve të furnizimit për përbërës të papërpunuar, shiringat dhe flakonë.

Ato mund të firmosin ndërkohë marrëveshje afatshkurtra për vaksina me efekte anësore të rënda për interesat e tyre afatgjata ekonomike, diplomatike dhe strategjikë. Rezultati do të jetë jo vetëm kriza të panevojshme ekonomike dhe humanitare, por edhe një pakënaqësi e madhe ndaj vendeve prodhuese të vaksinave.

Kjo do të rrezikojë edhe llojin e bashkëpunimit ndërkombëtar, që do të jetë i nevojshëm për të menaxhuar epidemitë apo pandemitë e ardhshme. Për të mos përmendur sfida të tjera të ngutshme, si ndryshimi i klimës dhe përhapja e armëve bërthamore.

Nuk është asnjëherë tepër vonë, që bashkëpunimi të dominojë mbi mos-bashkëpunimin global. Por kjo do të kërkojë një ndryshim të kursit nga shtetet dhe udhëheqësit e tyre politikë. Ajo që i duhet tani botës, është një marrëveshje e zbatueshme për tregtinë dhe investimet mbi vaksinat kundër Covid-19.

Ilustrim, Photo: Pexels

Pakti do të zbehte frikën e drejtuesve në vendet që prodhojnë vaksina, se ndarja e vaksinave më të tjerët, do ta bënte më të vështirë kujdesin ndaj popullsisë e tyre. Një marrëveshje e tillë, mund të arrihet nga institucionet dhe sistemet ekzistuese.

Qëllimi i një vaksine, është të rrisë reagimin imunitar të trupit të njerit, që kur një person i vaksinuar të ekspozohet ndaj virusit, sistemi i tj imunitar të marrë shpejt nën kontroll patogjenin, në mënyrë që personi të mos infektohet apo sëmuret.

Në rast se një ose më shumë vaksina vërtetohen si të sigurta dhe efektive në parandalimin e infeksionit, dhe nëse vaksinohet një pjesë e mjaftueshme e një popullate, numri i individëve të prekshëm do të bjerë deri në pikën ku koronavirusi nuk do të jetë në gjendje të përhapet.

Klinika infektive, virusi korona, COVID-19, KOVID-19, pacient, infektuar, maska, maske, ndihma e shpejte, urgjenca

Ekspertët parashikuan në fillim, se pandemia e koronavirusit mund të vrasë deri në 40 milion njerëz, dhe të zvogëlojë me 12.5 trilion dollarë prodhimin ekonomik global deri në fund të vitit 2021.

Dhënia fund e kësaj pandemie sa më shpejt të jetë e mundur, është në interesin e të gjithëve. E megjithatë, në shumicën e kryeqyteteve, thirrjet për një qasje globale ranë në vesh të shurdhër. Përballë mungesës globale të pajisjeve mjekësore mbrojtës dhe barnave, në fillim Kina; dhe pastaj Franca, Gjermania dhe Bashkimi Evropian; dhe në fund Shtetet e Bashkuara, grumbulluan të gjitha rezervat e mundshme me ventilatorë, maska ​​kirurgjikale dhe doreza për përdorimin e punonjësve të tyre nëpër spital.

Në përgjithësi, më shumë se 70 vende plus Bashkimi Evropian, vendosën kontrolle mbi eksportin e pajisjeve mbrojtëse, ventilatorëve ose ilaçeve gjatë 4 muajve të parë të pandemisë. Ky grup, përfshin shumicën e vendeve ku janë duke u prodhuar vaksinat e mundshme kundër Covid-19.

Mjerisht, një sjellje e tillë nuk është e re. Një vaksinë u zhvillua brenda 7 shtatë muajsh për pandeminë e gripit A të virusit H1N1 në vitin 2009, i njohur gjithashtu si Gripi i Derrit, që i mori jetën rreth 284.000 njerëz në mbarë botën. Dhe vendet e pasura blenë thuajse të gjitha vaksinat në dispozicion.

Klinika infektive, virusi korona, COVID-19, KOVID-19, pacient, infektuar, maska, maske
Klinika Infektive, foto: Arbnora Mehmeti

Kur Organizata Botërore e Shëndetit bëri thirrje për dhurime, Australia, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara dhe 6 vende të tjera ranë dakord t’i japin 10 për qind të vaksinave të tyre vendeve më të varfra, por vetëm pasi llogaritën se furnizimet e tyre të mbetura do të ishin të mjaftueshme për të përballuar nevojat e brendshme.

Organizatat joqeveritare dhe jofitimprurëse, kanë nisur zbatimin e 2 strategji për të zvogëluar rrezikun e një “nacionalizmi” të tillë vaksinash në rastin e Covid-19. Së pari, CEPI (Koalicioni për Inovacione dhe Gatishmërinë Epidemike) Fondacioni Bill & Melinda Gates, partneriteti joqeveritar për vaksinat i njohur si GAVi, dhe donatorë të tjerë kanë hartuar plane për të shkurtuar radhët për vaksinat, duke investuar që herët në kapacitetin prodhues dhe shpërndarës për vaksinat-kandidate më premtuese.

Një qasje alternative, është të tentohet të eliminohen rradhët. Në SHBA, administrata Trump i ka kushtuar gati 10 miliardë dollarë Operacionit “Warp Speed”, për të prodhuar miliona vaksina anti Covid-19 deri në janarin e vitit të ardhshëm 2021, por vetëm për qytetarët amerikanë.

Ndërkohë, Adar Ponavalla, shefi ekzekutiv i Institutit Serum në Indi, ka deklaruar se “të paktën në fillim”, çdo vaksinë që prodhon kompania do të shkojë për 1.3 miliardë indianët. Zhvilluesit e tjerë të vaksinave, kanë bërë deklarata të ngjashme.

Shumicën e liderëve politikë janë dritëshkurtër, sidomos ata që përballen me zgjedhjet e afërta. Shumë prej tyre nuk binden, se tek e fundit votuesit do ta se kuptojnë pasojat afatgjata shëndetësore dhe ekonomike të koronavirusit që përhapet pa kontroll jashtë vendit, janë më të mëdha se kërcënimi i menjëhershëm ndaj të afërmve të tyre.

Fatmirësisht, ka disa mënyra për të zbehur dekurajimin për të bashkëpunuar. Së pari, politikanët mund të jenë më të gatshëm të heqin dorë nga imunizimi i tërë popullatës së tyre në mënyrë që të ndajnë vaksinat me vendet e tjera, nëse do të kishte një studim të besueshëm që tregon numrin dhe shpërndarjen e dozave të nevojshme, për të arritur objektivat kryesorë në një vend.

Së dyti, një marrëveshje kornizë për ndarjen e vaksinave, ka të ngjarë të ketë më shumë sukses nëse do të arrihej përmes një forumi ndërkombëtar. Hapa të tillë drejt një marrëveshje të tillë, janë hedhur tashmë nga një grup pune i ministrave të tregtisë të G-20. Por kjo përpjekje, duhet të zgjerohet për të përfshirë zyrtarët e shëndetit publik.

Virusi korona, Shkup, qytetare, sport, vrapim, atletike
Ilustrim

Nacionalizmi i vaksinës, nuk është thjesht i gabuar moralisht dhe etikisht. Ai është në kundërshtim me interesat ekonomike, strategjike dhe shëndetësore të çdo vendi. Nëse vendet e pasura e të fuqishme zgjedhin atë rrugë, nuk do të ketë asnjë fitues. Në fund, çdo vend do të jetë një humbës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button