Maqedonasit hileqarë apo ne hizmeqarë!

Muaji i fundit i vitit zakonisht është periudhë e nxehtë e debateve fiskale gjithandej. Përpilohen planet financiare për ambiciet sociale, ekonomike, kulturore, por më së shumti politike. Gjithkund përpilues dhe propozues i buxhetit është qeveria, por në vendet tona në regjion ajo pothuaja është edhe miratues faktik, edhe pse formalisht mbulohet me vendimin parlamentar. Parlamenti dhe roli i tij i margjinalizuar në fushat e tjera të jetës shoqërore dhe politike, kulminon me margjinalizimin e skajshëm fiskal.

Nëse krahasohen debatet dhe efektet parlamentare, bile edhe në vendet si Sllovenia (me ngjashmëri në traditën fiskale), roli i parlamentit është dominues në këtë proces, për të mos u krahasuar me vendet skandinave ku në debate dhe vendimbërje inkuadrohen edhe mbi 200 ekspertë të fushës, që domosdoshmërisht janë pjesë e procedurave formale në këtë proces. 

Si sillen qeveritë në këtë proces në Maqedoni opinioni i gjerë tanimë e ka shijuar, edhe pse asnjëherë nuk e ka të qartë se si zhvillohen gjërat në krahasim me premtimet publike të zyrtarëve. Për dallim nga kjo, sjelljen parlamentare opinioni e ka të qartë – së paku e sheh debatin joproduktiv dhe të paqëndrueshëm me argumente dhe dije për këtë. Qeveritë janë politike dhe, si të tilla, buxhetin e trajtojnë me theks dominues politik. Profesori i ekonomisë në Universitetin e Harvardit me prejardhje italiane, Alberto Alesina, në të gjitha studimet e tij në tre dekadat e fundit, konstaton se qeveritë e koalicionit – politikisht jo shumë stabile e të qëndrueshme, zakonisht gjenerojnë buxhete rritëse dhe s’mund t’i zvogëlojnë shpenzimet publike, ndërsa për pasojë deficitet janë në rritje permanente. Rasti i Italisë është më se i mirënjohur në këtë proces. Pra, edhe teoria fiskale e pranon faktorin e “koalicionit politik” si ndikues të madh në rritjet e buxheteve. 

Pse në rastin e Maqedonisë kjo nuk ndodh?

Asnjë qeveri deri sot në Maqedoni nuk ka funksionuar (dhe s’do të mundet të funksionojë!) pa shqiptarët – bile edhe atëherë kur ka pasur shumicë absolute politike – ajo për shkaqe monoetnike s’është funksionale! Në këtë simetri, përveç dimensionit të qëndrueshmërisë politike, domosdo se edhe dimensioni i qëndrueshmërisë etnike e kulturore është një arsye plotësuese për të rishikuar pse nuk ia dalim në këtë aspekt. Që vitin e kaluar kur kemi shkruar për këtë problematikë kam tërhequr vërejtjen se bile edhe në një nga anekset e Marrëveshjes së Ohrit ekziston përcaktimi dhe detyrimi politik për shpërndarje të drejtë dhe adekuate të fondeve publike. Fondet publike në këtë kontekst janë koncept shumë herë më i gjerë se vetëm buxheti – aty bëjnë pjesë të gjitha resurset publike të shtetit në të gjitha nivelet e tij. Nëse ne i referohemi këtij dimensioni, atëherë mund të shohim se edhe sa larg pjesëmarrjes adekuate (të mos themi përpjesëtimore!) të hises sonë jemi! Imagjinoni këtu sektorin publik me gjitha trupat rregullatore (energjetika, telekomunikacioni, aviacioni, transporti, mineralet dhe uji, toka dhe pyjet, koncesionet ajrore,…etj), pa përmendur ndërmarrjet publike gjeneruese të mëdha të profiteve dhe dividendave!

Në mes të Tetovës në shitoren e Telekomit gjeni tre maqedonas dhe vetëm një shqiptar, kurse ne Manastir, Veles, Ohër ose Prilep as që bëhet fjalë. Ky është dimensioni “i hisemarrjes”, që duhet të trajtohet në marrëveshjet politike. Përderisa nuk definohet mekanizmi funksional i shpërndarjes së fondeve publike me përfshirje etnike, s’mund të flitet as për pjesëmarrje adekuate politike. 

Si duket buxheti i këtij viti? 

I projektuar mbi parametrat 2% rritje ekonomike, 3,5% inflacion dhe 6% rritje investimesh bruto, për herë të parë me deficit rekord prej 3,5%, ky do të jetë problem realizimi i tij. Ndërkaq tashmë jemi mësuar – rishikimi do të bëhet 3-4 muaj më vonë, në 2013-ën, menjëherë pas zgjedhjeve lokale, nëse jo edhe ato të përgjithshme! Pa dashur ta ul shtjellimin në rrafsh teknik, po i trajtoj vetëm disa aspekte konceptuale, por të lidhura me paradigmën fiskale në këto rrethana dhe hapësira.

Së pari, buxheti si instrument ekonomik dhe zhvillimor në tre elementet e tij – të ardhurat publike, shpenzimet publike dhe deficiti.

(1) Të ardhurat publike prej 148 mrd. denar (afër 2,5 mrd. euro) janë dominuese nga tatimet, si nga tatimet e konsumit me mbi 70% (TVSH dhe Akciza)! Këto tatime zakonisht vilen nga shtresat e varfra dhe të mesme (nëse kanë mbetur!) dhe sistemi bëhet skajshmërisht regresiv në shpërndarjen e barrës (incidencës) fiskale. Ky model është debatues në vetvete me shumë “pro dhe cons” në varësi nga ideologjia politike, struktura sociale, aspektet kulturore dhe kështu me radhë. Pa u lëshuar në këto aspekte të tjera, dua të riafirmoj se në këtë model shqiptarët shndërrohen në “koloni fiskale”, sepse ata në Maqedoni kryesisht janë konsumatorë, duke krijuar në diasporë dhe duke shpenzuar këtu! Problematika është elaboruar edhe shkencërisht në revistën SHENJA dhe konferencën për 10-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit dhe kurrë s’pati një oponencë shkencore.

(2) Shpenzimet publike, që kryesisht janë joproduktive, të pabalancuara dhe jo të orientuara kundër cikleve ekonomike për t’i amortizuar rëniet dhe për t’i këndellë rritjet ekonomike. Aspekti jologjik qëndron te nomenklatura e shpenzimeve kapitale, me të cilën krenohet qeveria për orientimin e saj ekonomik, megjithëse në esencë ato janë kryesisht politike dhe me benefite abuzuese. Bile, qeveria në buxhetin 2013 promovon rritje të shpenzimeve “kapitale” prej 10,4%, por sa prej tyre janë kapitale dhe vërtet “ekonomike”, për këtë dëshmon struktura e programeve qeveritare, ku në kategorinë fiskale D. Zhvillimi ekonomik (zona teknologjike, hekurudha, promocion ekonomik,…) ka më pak se 7% nga i gjithë “kontingjenti” famoz i shpenzimeve kapitale!

(3) Deficiti i rritur për 30% në vitin fiskal 2013 në 3,5% të PBB-së me një vlerë prej rreth 285 mil. euro, që në fakt do të paraqesë një sfidë sa mund të qëndrojë si vëllim real ose do të ketë edhe po aq deficit latent dhe të padukshëm në shikim të parë (siç edhe aktualisht po ndodhë)! Personalisht mendoj se fare s’është problem lartësia e deficitit, por i rëndësishëm është destinimi i tij për shpenzime kryesisht joproduktive dhe të politikës ditore!

Së dyti, buxheti si dimension social, paraqet një “balon” të fryrë dhe në rritje permanente, si nga aspekti i punësimeve socio-politike, ashtu edhe nga aspekti i shpërndarjeve të kompensimeve për të papunët dhe asistencave sociale. Paradoksi politik vazhdon – në qeverisje të djathtistëve fryhen shpenzimet publike për programe sociale, tipike për proviniencat dhe profilimet majtiste politike. Arsyeja e thjeshtë – motive politike dhe mikrostrukturale partiake.

Së treti, buxheti si dimension politik kompleks në gjitha aspektet, pra jo vetëm i padrejtë, por edhe diskriminues, si mbi baza partiake ashtu edhe mbi ato etnike e kulturore.

Sa për dëshmi dhe relevancë faktesh, pa u lëshuar në dimensionet teknike sektoriale dhe destinimet e projekteve, do të sugjeroj që lexuesit t’i vrojtojnë dallimet në financimin e dotacioneve të destinuara dhe atyre bllok për kompetencat e deleguara në pushtetin lokal dhe komunat si vijon (në 000 den):

Shënimet fiskale dhe krahasimi i komunave me popullsi dominuese shqiptare dhe atyre maqedonase flet mjaft për (pa)drejtshmërinë dhe (pa)barazinë në shpërndarje, bile të buxhetit, se për fondet e tjera publike as që bëhet fjalë. Të gjitha komunat e krahasuara (të marra krejt rastësisht si: Manastiri me Tetovën, Haraçina me Berovën, Dibra me Dellçevën dhe Gostivari me Velesin) dhe jo vetëm këto, kanë dallim më shumë se 100%, bile disa edhe me mbi 150% diskrepancë negative për shqiptarët. Megjithëse komunat e krahasuara shqiptare, për nga numri i banorëve, janë edhe me më shumë banorë. Është krejtësisht indikativ diskriminimi i skajshëm te kultura shqiptare! Për këtë gjendje s’na ka faj kryeqeveritari dhe nuk e di se sa kemi të drejtë të presim nga ai – në asnjëherë s’e kemi votuar dhe legjitimuar atë, por është e pakuptueshme si mund të jenë kaq indiferent ministrat shqiptarë, posaçërisht për diçka që është kaq e dukshme. Le të mos “bëjnë inate me deklarata” se a ka apo s’ka destinim buxhetor për “branitellat”, por le të jenë të sigurt se, po qe se ligji kalon (që personalisht nuk besoj), shpjegimet e ministrit të Financave Stavreskit janë absolutisht teknikisht të qëndrueshme dhe të realizueshme në aspektin fiskal.

Burimi: Revista Shenja / Almakos

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button