MSH: Udhëtarët nga linja ajrore Shkup-Turku të Finlandës janë mërgimtarë

Në lidhje me informatat për fluturimin nga Shkupi në Turku të Finlandës, ku sipas autoriteteve finlandeze nga avioni me 157 udhëtarë, pas testimit vullnetar, 24 kanë qenë pozitiv në virusin korona, Ministria e Shëndetësisë pas kontrollimit të informatave me shërbimet e Aeroportit të Shkupit dhe Policisë Kufitare, informon se bëhet fjalë për udhëtarë, mërgimtarë, të cilët vijnë në Maqedoni ose transitojnë nëpërmjet Maqedonisë nga arsyet e ndryshme, dhe më pas kthehen në punë në Evropën Perëndimore, për të cilët për shkak të lejes për qëndrim ose nënshtetësisë së BE-së nuk vlejnë masat restriktive për hyrje ose dalje nga vendi, njofton Portalb.mk.

Sipas të dhënave të marra, në fluturimin e përmendur, pjesa më e madhe e udhëtarëve kanë udhëtuar me pasaportë të Kosovës (95), pasaportë finlandeze (60), ndërkaq të tjerët janë 2 me pasaportë të Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë, Estonisë dhe Suedisë.

“Ministria e Shëndetësisë informon se tanimë janë kryer kontrollet për të gjithë udhëtarët e avionit për në Finlandë. Asnjëri prej tyre nuk është i regjistruar në bazën e rasteve pozitive me KOVID-19 në Maqedoninë e Veriut, që do të thotë se nuk kanë vendim për izolim si pozitiv nga Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor”, thonë nga Ministria.

Ministria e Shëndetësisë sërish apelon që të respektohen të gjitha masat për mbrojtje personale gjatë çdo udhëtimi dhe gjithkund ku duhet të mbahet distancë, dezinfektim të duarve dhe mbajtje të maskës mbrojtëse.

Nga ana tjetër, SDK, sot ka informuar se një nënë me tre fëmijë (të gjithë pozitiv me KOVID-19) pas testimit në një Klinikë private në Shkup, kanë tentuar të largohen nga vendi për në Norvegji duke shkelur urdhrat e epidemiologëve për izolim të detyrueshëm.

Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së diel, ku pas njoftimit të Komisionit të Sëmundjeve Infektive, autoritetet e Aeroportit të Shkupit kanë parandaluar udhëtimin e familjes katër anëtareshe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button