MASH dhe Komisioni i Sëmundjeve Infektive e anuluan për nesër mbledhjen për protokollin e mësimit

Anëtarët e Komisionit për Sëmundje Infektive dhe grupi punues i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) e anuluan për nesër mbledhjen për protokollet, me të cilat duhet të konfirmohet mënyra për realizimin e mësimit nga 1 shtatori me të gjitha modelet e propozuara. Edhe pse u paralajmërua se më 10 gusht do të finalizohen protokollet për fillim të vitit shkollor 2020/2021 në kushte të pandemisë, mbledhja dje përfundoi pa konkluzione.

Ministria e Shëndetësisë informoi se bisedat do të vazhdojnë me qëllim që të gjendet dhe të arrihet zgjidhje më e mirë dhe më e sigurt për mënyrën e zhvillimit të mësimit dhe se vendimin final për mënyrën e zhvillimit të mësimit do ta marrë MASH.

“Komisioni për sëmundje infektive i ka përgatitur masat për mbrojtje dhe protokollet e nevojshme që duhet të respektohen për mbrojtje të fëmijëve dhe arsimtarëve gjatë procesit arsimor. Megjithatë, vendimi final për fillim të vitit arsimor dhe mënyrës së zhvillimit të mësimit është në kompetencë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Bisedat mes Komisionit për sëmundje infektive dhe MASH vazhdojnë nesër”, kumtoi mbrëmë Ministria e Shëndetësisë.

Ndërsa autoritetet harmonizojnë dhe specifikojnë gjërat, reagimet e prindërve që thonë se nuk do t’i lënë fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë po bëhen gjithnjë e më të zëshme në rrjetet sociale.

Anëtarët e grupit në Facebook “Mbështetje për onlajn mësimin në vitin akademik 2020/2021” paraqitën kërkesë në Qeveri, Ministrisë së Arsimit dhe Shëndetësisë, UNICEF-it, Komisionit për Sëmundje Infektive dhe institucioneve të tjera përkatëse. Ata kërkojnë që të merret një vendim për onlajn mësim në shkolla për të gjithë nxënësit, e veçanërisht për fëmijët nga klasa e 1-të deri në 5-të, duke marrë parasysh, siç thonë ata, moshën dhe paaftësinë për të respektuar në mënyrë të pavarur protokollet shëndetësore.

“Pa përjashtim, njërit prej prindërve të fëmijëve deri në moshën dhjetë vjeç duhet t’i jepet mundësia të lirohet nga puna ose të ketë punë me kohë të pjesshme. Kërkojmë, si një platformë për realizim të onlajn mësimit, të përdoret cilido nga veglat internet që mundëson video konferenca si Microsoft teams, Zoom, Google classroom dhe të ngjashme”, kanë shkruar prindërit e këtij grupi në rrjetin social Facebook.

Ata më tej pyesin, “A do të testohen stafi mësimdhënës dhe ndihmës para se të hapen shkollat?” Kush do të bartë shpenzimet e testeve PCR në rast të infeksionit, ku sipas protokolleve, të gjitha kontaktet, departamentet e tëra dhe të gjithë familjet e tyre do të duhet të testohen? Kush do të bartë kostot e maskave cilësore, të rekomanduara nga OBSH? Kush do të bartë shpenzimet për dezinfektues cilësor dhe të sigurt (për fëmijë), termometra, llamba UV, mjete të rregullta dhe shërbime të certifikuara për pastrim të plotë të ambienteve, në fund të çdo dite (kur do të bëhet prokurimi publik i cili kërkon shumë më tepër kohë sesa çfarë ka mbetur para fillimit të vitit shkollor)? Kush do ta matë temperaturën e hyrjes dhe kush do ta kontrollojë atë që mat? “Kush do të garantojë që fëmijët do t’i mbajnë maskat ​​siç duhet?”

Zëvendës ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Elizabeta Naumovska për MIA-n dje deklaroi se u bisedua për propozimet për kohëzgjatjen e orëve dhe për nevojën për ndryshime të ligjeve nëse ato shkurtohen prej 40 sa janë në arsimin fillor, respektivisht 45 në arsimin e mesëm.

Vendimi për orët e shkurtuara, siç tha ajo, duhet të ketë kornizë ligjore dhe të harmonizohet me ligjet për arsim fillor dhe të mesëm. Ndryshimet duhet t’i miratojë Kuvendi, i cili deri 1 shtator pritet të jetë funksional. Po ashtu, po shqyrtohet edhe nevoja që do ta kishin komunat për përkrahje shtesë financiare ose tjetër për higjienë në objektet shkollore, për transport të nxënësve, respektivisht për zbatimin e të gjitha instruksioneve, të cilat i përmbajnë protokollet. Ato do të kenë hollësira për tre lloje të mësimit, varësisht nga gjendja epidemiologjike në mjedis të caktuar – me prani fizike, mësim-onllajn ose i kombinuar.

Naumovska potencoi se vazhdimisht janë në biseda me kryetarë të komunave dhe me drejtorë të shkollave për gjendjet reale dhe problemet, në koordinim janë edhe me BNJVL, i kanë marrë mendimet e sindikatës për arsim – SASHK.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button